Vrau në kufi në ‘90, pranga ish-komandantit të Postës

Feb 25, 2012 | 13:51
SHPËRNDAJE

Besnik Zykaj i arrestuar në Itali

Gjykata e Shkodrës e dënoi përjetë në ‘96. Qëlloi për vdekje Vatë Beqin .

Besnik Zykaj, i dënuari i parë për krime kundër njerëzimit.

Arrestohet në Itali i dënuari i parë në Shqipëri për krime kundër njerëzimit. Besnik Zykaj, (Bino Binaj) duhet të vuajë burgimin e përjetshëm për vrasjen në kufi të Vatë Beqit dhe plagosjen e vëllait të tij, të cilët tentonin të arratiseshin me not. Krimi u shënua më 19 maj të vitit 1990, në kohën kur Zykaj ishte komandant i postës kufitare në Velipojë të Shkodrës. Prangosja e 49-vjeçarit u bë në qytetin e Firences, pasi Zykaj kishte shkuar për të përsëritur lejen e qëndrimit në Kuesturë. Menjëherë është bërë zbulimi i personit të kërkuar nga Drejtësia shqiptare, edhe pse ai kishte falsifikuar dokumentet, duke ndryshuar identitetin. Pritet që të kryhet ekstradimi i ish-komandantit të kufirit, për të vuajtur dënimin e caktuar për të në vitin 1996 nga Gjykata e Shkodrës.
Tentativa e arratisjes
Nga dëshmitë okulare të asaj kohe, dhënë në gjykatë, mes të cilëve vëllai i viktimës dhe punonjësit e kufirit në atë kohë, është mësuar dhe çfarë ndodhi mëngjesin e 19 majit të vitit 1990. Dy vëllezërit Beqi ishin nga zona e Velipojës. Prej kohësh ata po përgatiteshin për t’u larguar jashtë vendit, por frika e vrasjes gjatë kalimit të kufirit, burgu dhe internimet që i bëheshin atëherë familjeve, i kishte frenuar që të ndërmerrnin një iniciativë të tillë. Aq më tepër që vëllai i madh, Gjeka, ishte i martuar prej 10 vitesh, ndërsa Vata ishte më i vogël, rreth 25 vjeç. Familjarët e tyre kanë treguar më vonë se dy vëllezërit, duke nuhatur ndryshimet më të fundit të ndodhura në atë kohë, tentuan të provonin realizimin e ëndrrës së tyre, duke u arratisur drejt ish-Jugosllavisë së asaj kohe, në Malin e Zi. Më 8 maj 1990 ishte ndryshuar legjislacioni në Kodin Penal, duke hequr arratisjen nga Shqipëria nga “tradhti ndaj atdheut” në “kalim të paligjshëm të kufirit”. Po ashtu, më 11 maj vendin tonë e vizitoi Perez De Kuelari, ish-sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Këta elementë ndikuan për t’i bindur vëllezërit, të cilët menduan se tani, edhe nëse do të kapeshin, masa më e rëndë do të ishte burgu. Mbrëmjen e 18 majit ata u nisën në drejtim të lagunës së Vilunit nga ku do të arratiseshin për në zonën e Ulqinit.
Vrasja e 25-vjeçarit
Mëngjesin e 19 majit, dy vëllezërit ndodheshin në ujë, të hipur mbi një kamerdare zetori dhe notonin në drejtim të thellësisë së detit për t’u shpëtuar prozhektorëve të kullës së rojeve bregdetare. Rreth 1 milje më vonë ndryshuan drejtim duke ecur paralel me bregun e plazhit të Velipojës për në drejtim të ishullit të Adës në Ulqin. Pas 4 miljesh, të dy vëllezërit, rreth orës 04:00 të mëngjesit u diktuan nga ushtari i shërbimit, roja bregdetare i cili njoftoi komandantin e postës, Bino Binajn, (Besnik Zykaj). Ky i fundit ka marrë 3 ushtarë dhe me skafin e policisë është nisur në drejtim të kamardares. Siç ka rezultuar në gjyq, sapo i është afruar dy vëllezërve, komandanti i Postës, Bino Binaj, ka qëlluar me automatik pa paralajmërim në drejtim të tyre, nga një distancë rreth 10 metra larg, duke i plagosur të dy. Gjeka ka rënë në ujë i plagosur, ndërsa Vata mbeti në kamerdare. Ushtarët e Postës kanë tërhequr dy vëllezërit deri në afërsi të bregut. Ndërkohë që skafi i Postës dhe kamerdarja me vëllezërit Beqi, të plagosur, ishin rreth 3 metra nga bregu, dëshmitarët thanë se komandanti Binaj qëlloi me automatik në drejtim të Vatës, duke e lënë të vrarë në vend. Në këtë kohë kanë ndërhyrë ushtarët duke i thënë komandantit: “Çfarë bëre, se e vrave” dhe ia kanë marrë armën nga dora duke shpëtuar kështu vëllanë tjetër, Gjekën. Pas kësaj ngjarjeje Gjeka u dërgua në Degën e Brendshme të Shkodrës për t’u dënuar për ngjarjen. Me ndryshimet politike, në fund të viteve ’90, i mbijetuari arriti të dalë nga birucat e burgut.

Gjyqi i parë
Ky është rasti i parë që jepej një vendim i tillë ekstrem në Shqipëri për një akuzë të tillë. Premisat në atë kohë kanë qenë për ta dënuar me vdekje, por meqenëse Zykaj u gjykua në mungesë, si dhe po të kihej parasysh ndjeshmëria ndaj dënimit me vdekje e organeve të Drejtësisë në Europën Perëndimore ku qëndronte i fshehur, ekzistonte mendimi që dhe në rast arrestimi, ai nuk do të ekstradohej në Shqipëri. Në këtë mënyrë u vendos dënimi i tij me burgim të përjetshëm.

Ekstradimi
Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana bëri dje të ditur arrestimin e Besnik Zykajt, 49 vjeç në qytetin italian. Sipas përfaqësuesve të Interpolit, arrestimi i Zykajt u bë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, pasi shtetasi shqiptar ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e formës së prerë nr.96, datë 14.05.1996, e ka dënuar shtetasin Besnik Zykaj (Bino BINAJ) me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprës penale të “krimeve kundër njerëzimit”, parashikuar nga neni 74 i Kodit Penal të vitit 1995. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, më datën 16.02.2012, në Firence, Itali, u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë”.

Procesi ndaj ish-komandantit të Postës
Pas vitit 1991, Bino Binaj u arratis nga Shqipëria nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme ndaj tij mbi atë vepër të kryer më 19 maj 1990. Fillimisht ai ndryshoi emrin nga Bino Binaj në Besnik Zykaj, gjithashtu dhe vendbanimin e tij në Shqipëri, nga një fshat i Vlorës në një lagje të qytetit. Sikurse ka dalë gjatë seancave gjyqësore të zhvilluara në ngarkim të tij në mungesë, këto veprime Bino Binaj i ka bërë për të humbur gjurmët sepse që nga viti 1996 ishte dënuar në mungesë me “burgim të përjetshëm”, pasi ndaj tij u ngrit akuza për “krime kundër njerëzimit”, duke e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtësia Shqiptare. Në gjyqin kundër Bino Binajt, të zhvilluar në Shkodër, krahas shumë dëshmive të tjera, kanë dëshmuar kundër tij të tre ushtarët që ndodheshin në vendngjarje. Në vitin 1995, ish-presidenti Sali Berisha ka dekoruar me titullin “Martir i Demokracisë” Vatë Beqin.

ELIDA DOMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura