Vrau vajzën pasi mbeti shtatzënë me kushëririn, babai i shpëton burgut përjetë

May 4, 2015 | 13:29
SHPËRNDAJE

TIRANE – Doksan Dushku, 70-vjeçari nga Dibra, i akuzuar për vrasjen e vajzës së tij shtatzënë në oborrin e banesës së tyre në fshatin Sllatinë të komunës Sllovë, i shpëton burgimit të përjetshëm. Edhe nëse do të jetë ky verdikti i Gjykatës ndaj tij, ai nuk do të qëndrojë përjetë në qeli.

Doksan Dushku në gjykatë

Në seancën gjyqësore të datës 29 prill, pesëshja gjykuese e dosjes në ngarkim të 70- vjeçarit ka pranuar kërkesën e tij për zhvillimin e gjykimit me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Referuar këtij fakti, dosja gjyqësore ndaj Doksan Dushkut dhe djalit të tij, Lulëzim Dushku, i bashkëpandehur në proces, do të zgjidhet në gjendjen në të cilat janë aktet e sjella nga Prokuroria. 

Referuar ligjeve në fuqi, në rastin e zbatimit të këtij gjykimi, të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së masës së dënimit. Në rast se dënimi është me burgim të përjetshëm, në rastin e krimit brenda familjes, përfundimisht i pandehuri dënohet me 35 vjet heqje lirie. Konkluzionet përfundimtare të akuzës priten të jepen në seancën e 8 majit. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, Doksan Dushku është autori i vrasjes së vajzës së tij, Fatmira Dushkut, 21 vjeçe, ngjarje e ndodhur më 28 maj 2014.

Nga hetimi ka rezultuar se shkak i vrasjes ka qenë shtatzënia e 21-vjeçares. Sipas Prokurorisë, ky fakt është vënë re nga familja e saj disa javë para ngjarjes. I pandehuri Doksan i ka kërkuar asaj t’i tregonte atësinë e fëmijës, pasi ajo nuk ishte as e fejuar dhe as e martuar. Pas acarimit të situatës në familje, i pandehuri ka mësuar se vajza mund të kishte lidhje me djalin e një kushëririt të tij të largët.

Sipas Prokurorisë, ai ka shkuar disa herë me vajzën në spitalin e Peshkopisë, që vajza të abortonte fëmijën. Aborti nuk është pranuar nga mjekët dhe i pandehuri ka bërë disa bisedime me familjen e babait të dyshuar, i cili nuk ka pranuar të kishte lidhje me këtë fakt. Disa orë më vonë, Doksan Dushku ka qëlluar me automatik drejt vajzës së tij, duke e lënë të vdekur në vend. Krimi është zbuluar nga Policia të nesërmen, kur edhe u arrestua Doksan Dushku për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Djali i tij, Lulzim, njëkohësisht vëllai i viktimës, akuzohet për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Pas ngjarjes, ai dyshohet se ka mbuluar njollat e gjakut dhe ka mbledhur gëzhojat, duke i hedhur ato në një përrua. ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura