Vrau kryekomisar Lamaj, Interpol shpall në kërkim ndërkombëtar Arben Frrokun

Jul 2, 2015 | 10:08
SHPËRNDAJE

Interpol Tirana shpall në kërkim ndërkombëtar Arben Frrokun, dënuar vetëm pak ditë më parë nga Gjykata e Apelit me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Vendimi për shpalljen në kërkim ndërkombëtar është marrë mbrëmjen e së martës. 

Arben Frroku pas lirimit

Vendimi i Apelit erdhi ndërkohë që Frroku kishte 10 ditë që kishte lënë Shqipërinë dhe nuk dihet se ku ka shkuar. 

Largimi i tij nga vendi në datën 20 qershor 2015 u pa edhe si një fakt që tregonte pritshmërinë e biznesmenit për një vendim fajësie ndaj tij në Gjykatën e Apelit.

Pak ditë para seancave përfundimtare të procesit ndaj tij në Gjykatën e Shkallës së Dytë të Krimeve të Rënda, Arben Frroku ka kaluar kufirin shqiptar pa u regjistruar në sistemin TIMS.

Largimi i Arben Frrokut nga Shqipëria do të mbetej i fshehtë nëse në datën 20 qershor 2015 policia nuk do ta ndalonte biznesmenin shqiptar në Mal të Zi. Ndalimi është bërë nga policia malazeze, pasi Arben Frroku kishte hyrë në territorin e Malit të Zi me një automjet nga Shqipëria, ndërkohë që nuk ishte regjistruar në sistemin e policisë kufitare.

Teksa e mbajtën të shoqëruar, agjentët e policisë malazeze kanë kërkuar konfirmim nga Interpol Tirana në lidhje me biznesmenin nëse ai ishte në kërkim. Pala shqiptare ka konfirmuar se Frroku nuk kishte ndonjë masë ndalimi për të dalë jashtë vendit, për shkak të pafajësisë së dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Policia malazeze, pas konfirmimit se Shqipëria nuk kishte ndonjë urdhër arresti ndaj tij, mësohet se e ka lënë të lirë biznesmenin. Ndalimi i biznesmenit nga Shqipëria mësohet se është bërë në kohën kur ai po udhëtonte nga Mali i Zi në drejtim të daljes së kufirit shtetëror drejt Kroacisë.

Sipas Prokurorisë, lëvizja e biznesmenit Arben Frroku nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi, nuk është pasqyruar në sistemin TIMS.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura