Vrau ish-vjehrrin, prokuroria dërgon dosjen në gjykatë

Aug 1, 2015 | 13:30
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën për Altin Sulku, i akuzuar për vrasjen e ish-vjehrrit të tij, Lutfi Xhaferri dhe plagosjen e ish-vjehrrës, Naime Xhaferri.

Policia gjate kontrollit dhe autori i krimit
Policia gjate kontrollit dhe autori i krimit

Bashkë me këtë, prokuroria ka dërguar për gjykim edhe babane e Altin Sulkut, shtetasi Skënder Sulku. “Ky shtetas është i akuzuar për “armëmbajtje pa leje”, pasi gjatë kontrollit policor për arrestimin e të birit për krimin e kryer, në shtëpinë e tij janë gjetur 170 plumba automatiku”- thuhet në dosjen e prokurorisë. 

Ngjarja ndodhi në 17 maj të ketij viti në Kashar të Tiranës. Hetimi për të pandehurit, sipas akuzes është zhvilluar nën masën e sigurisë “arrest me burg” për Altin Sulkun dhe “detyrim paraqitje” për babanë e tij.

Ngjarja 

Sipas deklarimeve të dëshmitares okulare, të të dëmtuarës Naime Xhaferri, mëngjesin e 17 majit 2015, i pandehuri Altin Sulku u ka dalë para bashkëshortëve Xhaferri, ish-vjehrrëve të tyre, dhe u ka thënë që “ju më keni qëlluar mbrëmë në darkë me armë te shtëpia”.

Pavarësisht se kjo akuzë është hedhur poshtë menjëherë nga shtetasi Lutfi Xhaferri, i pandehuri ka qëlluar menjëherë me automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në këtë moment, shtetasja Naime Xhaferri ka tentuar t’i marrë armën, por është goditur me plumb në dorë.

Më pas autori është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është arrestuar disa orë më vonë nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura