Vrau ish-gruan dhe kunatin, autori i dha fund jetës në tualet pasi qëlloi 10 herë drejt…detaje të reja nga ngjarja e rëndë

Feb 29, 2020 | 14:33
SHPËRNDAJE

fatmir-kolecaj-1

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Zejmen të Lezhës ku i dha fund jetës duke u vetëvrarë Fatmir Kolecaj, i cili të martën vrau me armë zjarri ish-gruan dhe vëllain e saj në Kodër Rrëshen të Mirditës.

Sipas burimeve, para se të vetëvritej, 47-vjeçari ka qëlluar mbi 10 herë nga ballkoni i shtëpisë në drejtim të Policisë, e cila e kishte rrethuar, duke i bërë thirrje që të dorëzohej. Pasi hapi zjarr ndaj bluve, duke lënë të plagosur një efektiv të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, 47-vjeçari ka hyrë brenda shtëpisë dhe ka qëlluar veten në tualet.

Nga kontrolli në banesë janë sekuestruar një armë zjarri dhe dy granata, ndërsa dyshimet janë se pikërisht me armën që u vetëvra Fatmir Kolecaj të ketë kryer edhe krimin makabër në Kodër Rrëshen të Mirditës. Ndërkohë, sipas burimeve, Fatmir Kolecaj është pikasur nga Policia, duke lëvizur në këmbë përgjatë malit dhe më pas ka hyrë në banesën e tij.

Për arrestimin e tij, në ndihmë të Policisë së Lezhës ishin dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës dhe ato RENEA, ndërsa u krijua një perimetër sigurie për shkak se zona ku ndodhi përplasja me Policinë është e banuar. Fatmir Kolecaj qëndroi afro 48 orë në arrati, pasi ekzekutoi me armë zjarri ish-gruan e tij, Violeta Filopati, dhe vëllain e saj, Vledison Filopati.

Fatmir Kolecaj ka shkuar në Kodër Rrëshen të Mirditës rreth 1 orë para se të kryente krimin e dyfishtë, ku ekzekutoi me armë zjarri vëlla e motër.

Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezulton se 47-vjeçari ka qëndruar përreth shtëpisë së familjes Filopati, madje ai është afruar edhe te dritarja e dhomës ku qëndronin fëmijët e tij të mitur, por nuk është konstatuar.

Sapo ka parë automjetin, me të cilin po vinin ish-bashkëshortja e tij Violeta Filopati dhe vëllai i saj, Vledison Filopati, autori është fshehur pas murit rrethues të oborrit të shtëpisë dhe kur ata kanë zbritur nga makina për të hyrë në shtëpi, 47-vjeçari ka qëlluar me breshëri automatiku.

PANORAMA.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura