Vrau gjyshen për florinjtë, reagon ashpër djali i viktimës: Dua burg përjetë për mbesën

Mar 13, 2017 | 9:30
SHPËRNDAJE

Vendimi i Gjykatës së Shkodrës, që dënoi si autore të vrasjes së gjyshes së saj me 23 vite burg Xhoana Hilën dhe 20 vjet të dashurin e saj, Erando Qatipi, si bashkëpunëtor në krimin e rëndë, ka lënë të pakënaqur djalin e viktimës.

xhoana-hila

Andrea Hila shprehet se ndihet i ofenduar nga vendimi i Gjykatës për autorët e vrasjes së nënës së tij, raporton “Panorama”.

Ngjarja ndodhi më 22 shkurt të 2015-s, kur nëna e tij, 82- vjeçarja Angje Hila, u gjet e pajetë në shtëpinë e saj në lagjen “Gjuhadol” të Shkodrës. Sipas Andrea Hilës, autori është djali dhe mbesa e tij bashkëpunëtore në krim.

andrea-hila

Ai shprehet i revoltuar me vendimin e Shkallës së Parë, e cila, sipas tij, duhej t’i kishte dënuar të dy me burg përjetë. Për këtë shkak, xhaxhai i Xhoanës shprehet se do ta apelojë vendimin derisa të gjejë drejtësi për autorët që i mbytën nënën me qëllim vjedhjen e parave dhe të bizhuterive. Ka qenë pikërisht këmbëngulja e tij që çoi në zbardhjen e krimit.

Z. Hila, si ju duket vendimi që dha Gjykata për mbesën tuaj dhe Erando Qatipin, të cilët u shpallën fajtorë për vrasjen e nënës suaj?

Për vendimin e dhënë ndihem për herë të dytë shumë i ofenduar. Nuk kam fjalë që ta përshkruaj. Nuk e kam pritur një vendim të tillë. Nëna ime është vrarë për herë të dytë nga drejtësia shqiptare me këtë vendim që është dhënë.

Çfarë vendimi keni pritur ju?

Kam pritur atë që përmban ligji dhe asgjë më shumë. Personi që ka bërë krimin të dënohet me burgim të përjetshëm. S’ka të bëjë urrejtja në këtë mes si djali i viktimës, absolutisht që jo, por të respektohet ligji. Autori i krimit nuk ka bashkëpunuar për dy vite me radhë me drejtësinë.

Si ndiheni pas këtij vendimi, për të cilin nuk jeni dakord?

Ndihem i tradhtuar nga Prokuroria. Duhej të kërkonte burgim të përjetshëm Prokuroria dhe jo atë që kërkoi. Vrasësi, nëse do kishte bashkëpunuar me drejtësinë, atëherë mund të ishte një vendim tjetër për të.

Po Gjykata?

Gjykata pak a shumë i është përmbajtur kërkesës së prokurorit. Gjykata nxjerr vajzën autore, që është mbesa ime, por në fakt është e kundërta. Autori i vrasjes është Erando Qatipi dhe mbesa bashkëpunëtore me të. Prokuroria i ka provat për këtë gjë. Është Erando ai që ka forcën, por përveç kësaj logjike, ka edhe shenjat e gishtërinjve dhe prova të tjera të mjaftueshme.

Do ta apeloni këtë vendim?

Do të shkojmë në Apel patjetër, por më pas edhe në gjykatat e tjera më lart të Shqipërisë e nëse nuk gjej drejtësi, edhe në gjykatat europiane. Nëse drejtësia këtu mendon për të ndyrë provat, atëherë unë jam gati që ta nxjerr nënën nga varri për të bërë një tjetër ekspertizë, sepse ka shumë gjëra të parregullta në këtë proces. Unë kam çuar detaje të tjera në prokurori për të hetuar edhe persona të tjerë si ai që ka bërë autopsinë në shtëpinë e nënës sime, por prokurori më ka thënë se nuk mund ta hap dosjen më, sepse kam shumë ngarkesë. Më ka thënë gjej një prokuror tjetër nëse nuk je i kënaqur, në një kohë që gjatë procesit dërgova prova të tjera që prokurori nuk i mori parasysh.

Do të kërkoni burg të përjetshëm?

Patjetër që do të kërkojmë dënimin me burg të përjetshëm për të dy, sepse dua që drejtësia të vihet në vend dhe në këtë çështje të dalë plotësisht e vërteta e vrasjes së nënës sime, sepse ende nuk është zbardhur totalisht ky krim. Vendimi në Shkallën e Parë është i papranueshëm nga ana jonë.

SENAD NIKSHIQI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura