Vrau dy turistët çekë, Gjykata e lë në burg. Mjacaj pranon krimin, në gjyq me antiplumb

Jul 9, 2015 | 8:16
SHPËRNDAJE

Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg Sokol Mjacaj, 20-vjeçarin që vrau dy turistët çekë në Prekal. Ai ka pranuar autorësinë e krimit edhe para trupës gjykuese. Në sallë nuk kanë qenë të pranishëm familjarët, ndërkohë që ai është sjellë në gjykatë në masa të rrepta sigurie. 

Ai ka qenë me antiplumb dhe me maskë në kokë, shoqëruar nga forca të shumta policie. 

 

Mjacaj pas arrestimit

I përballur edhe herë të tjera me Gjykatën, një herë me akuzën e vrasjes së një të mituri dhe më pas për vjedhje, 20-vjeçari kësaj radhe ka peshën më të rëndë të ngjarjes, ku humbën jetën dy turistët çekë.

Prokuroria e Shkodrës, e cila ka mbledhur provat dhe dëshmitë në lidhje me ngjarjen, ka bërë me dije dje se fajësia e 20-vjeçarit konsiderohet e provuar me fakte shkencore dhe me prova të pakundërshtueshme.

Mjacaj me antiplumb ne sallen e gjyqit

Për këtë arsye, mësohet se Prokuroria ka kërkuar në Gjykatë caktimin e masës së sigurisë arrest me burg për shtetasin Sokol Mjacaj me akuzën e “vjedhjes me pasojë vdekjen” dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Fakti se i akuzuari është i dënuar më parë, duket se do ta rëndojë pozitën e të riut në raport me Gjykatën. Pas arrestimit nga forcat speciale RENEA dhe FNSH me ndihmën e banorëve, Sokol Mjacaj ka pranuar autorësinë e krimit të kryer, duke treguar se i vrau turistët çekë për arsye se donte t’u grabiste makinën. Më herët, Sokol Mjacaj ka qenë i dënuar dy herë, por ka arritur të dalë shpejt nga burgu falë uljes së dënimit dhe lehtësimit të akuzave në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.

Në shtator 2010, Sokol Mjacaj u akuzua se bashkë me dy persona të tjerë kishte vrarë një 13-vjeçar. Në dhjetor 2010, Prokuroria kërkoi dhjetë vjet burg në Gjykatën e Shkodrës, ndërsa Mjacaj, atëherë 15 vjeç, u dënua me masën e kërkuar nga organi i akuzës. Çështja kaloi në Gjykatën e Apelit të Shkodrës me ankim nga ana e të dënuarit. Tolerimi i të miturit që akuzohej për vrasjen e një të riu dy vjet më të ri se vetja, ndodhi në datën 4 janar 2013.

Gjykata e Apelit Shkodër, me trupë gjykuese të përbërë nga kryesues Musa Halili dhe anëtarë Fuat Vjerdha e Luan Dervishi, vendosi dënimin e Sokol Mjacajt me 4 vjet burg, duke ia lehtësuar ndjeshëm akuzën, nga vrasje në bashkëpunim në vetëm moskallëzim krimi. Ulja e gjashtë viteve burg në Apel, në raport me dënimin me 10 vjet në Shkallën e parë, u bë pasi trupi gjykues rikualifikoi akuzën ndaj të riut nga pjesëmarrje në vrasje në “moskallëzim krimi”.

Sokol Mjacaj e vuajti dënimin e dhënë ndaj tij me katër vjet burg nga Apeli i Shkodrës, ndërsa u lirua. Precedenti i tij i dytë me Policinë u regjistrua më datë 24 dhjetor 2014, kur Sokol Mjacaj u akuzua për një vjedhje. Prokuroria kërkoi dy vjet heqje lirie për të akuzuarin, i cili u dënua me 1.6 vjet burg. Mjacaj u mbajt në burg deri rreth një muaj më parë e më pas u la i lirë me argumentin se përfundoi dënimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura