Vrau dhe dogji dy persona pasi nuk e paguan për 75 kg kanabis, burg përjetë Odise Verboshit

May 27, 2015 | 21:20
SHPËRNDAJE

Gjykata e Durrësit ka dhene sot vendimin e saj dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Odise Verbofshi, i akuzuar për vrasjen e dy personave dhe më pas djegien e tyre më 20 shkurt 2014 në zonën e Kënetës.

Ngjarja horror ka ndodhur pas një përplasje mes autorit dhe viktimave, shtetasve Shaban Babasi dhe Albert Kasalla, për shkak të mospagesës së çmimit për rreth 75 kilogram canabis sattiva, të cilën i pandehuri u kishte dhënë viktimave.

Odise Verboshi

Prokuroria e cila kërkoi para disa ditesh te njejtin denim, sqaroi rrethanat e krimit duke nenvizuar se “rezultoi e provuar se i pandehuri Verbofshi i ka vrarë dy viktimat në ambjentet e shtëpisë së tij, në Shkozet, me një armë pistoletë rreth pasdites së datës 20 shkurt 2014 dhe më pas, në mbrëmje, i ka hipur trupat e tyre në mjetin me të cilin ata kishin ardhur nga Fushë-Kruja dhe e ka dërguar makinën deri në zonën e Kënetës, ku më pas i ka vënë flakën, për të humbur gjurmët e trupave të viktimave.

Pas krimit, autori Odise Verbofshi është larguar drejt disa të njohurve në tij, në qytetin e Korçës, ku ka tentuar të kalojë kufirin. Pasi nuk ka mundur të kalojë në mënyrë ilegale për në Greqi, autori është rikthyer tek shtëpia e të njohurve të tij në Korçë dhe u ka kërkuar të njoftojnë policinë, pasi do të dorëzohej, duke u treguar edhe për krimin e kryer”.

Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Durrësit kërkoi burgim të përjetshëm për këtë shtetas, për akuzat e “Vrasjes ne Rrethana te tjera cilesuese”; “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje te armeve luftarake apo municioneve” dhe “Prodhimit dhe shitjes se lendeve narkotike”. Po ashtu, në përfundim të këtij gjykimi, Prokuroria e Durrësit kërkon dënimin me dy vjet burg edhe për shtetasin Ilirjan Thanasi, lidhje shoqërore e të pandehurit Odise Verbofshi, i akuzuar për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”.

***

“Vrava e dogja me benzinë dy shokët për 120 euro”

 KONFLIKTI PËR 120 EURO 
Sipas dëshmisë së dhënë nga i arrestuari, Albert Kasalla dhe Shaban Babasi u vranë dhe më pas u dogjën për prishjen e pazarit të drogës, për një vlerë prej 120 eurosh. “Paraditen e së enjtes kisha lënë të takohesha me Albertin dhe Shabanin në Shkozet. Ata erdhën rreth orës 10:30. U takuam pranë servisit ku punoj. Pimë një kafe në një nga lokalet e zonës dhe më pas me makinën e tyre shkuam te shtëpia ime. Ishte ora rreth 11:30, kur hymë në shtëpi, aty ku mbaja drogën. Alberti dhe Shabani do të blinin një pjesë të drogës. E mora hashashin nga rafti ku e mbaja të fshehur dhe në momentin që ne e peshuam, nisëm të diskutonim rreth çmimit. Fillimisht u kisha dhënë një çmim prej 270 eurosh për kilogramë. Por, në momentin e fundit vendosa ta shisja 300 euro kg. Sapo u thashë çmimin 300 euro, Alberi reagoi ashpër ndaj meje. Debatuam për disa minuta dhe më pas ai më qëlloi me grushte dhe shkelma. Ata ishin të armatosur dhe kjo më frikësoi. Madje në debat e sipër më thanë që do ta marrim mallin pa më dhënë asnjë qindarkë. Ka qenë ky momenti kur nxora pistoletën dhe qëllova Albertin me një plumb pas koke. Brenda pak sekondash qëllova përballë edhe Shabanin, i cili ishte i ulur në kolltuk dhe u gjet i papërgatitur. I gjithë debati dhe ngjarja u zhvillua brenda harkut të 40 minutave”, është shprehur Odise Verbofshi para grupit hetimor. 

VERBOFSHI, 10 ORË ME KUFOMAT
Rreth dhjetë orë i janë dashur 32-vjeçarit për të pastruar vendin e krimit dhe planifikuar deri në detaje zhdukjen e kufomave. “Nuk arrija ta besoja që kisha vrarë dy persona, aq më tepër që trupat e pajetë ndodheshin në banesën time. Qëndrova i traumatizuar për disa minuta, i ulur përballë kufomave të shtrira në mes të shtëpisë. Sapo mora veten, dola nga shtëpia. Mbylla derën dhe shkova të takoja vëllain te servisi me qëllim që t’i merrja makinën. Kisha dhimbje të forta në këmbë, pasi Alberti më qëlloi me shkelm. Vëllai më pyeti se çfarë ke nga këmba, por i thashë që e kam vrarë aksidentalisht. Pasi i mora makinën, u riktheva në shtëpi që të pastroja vendin e krimit. Fillimisht dy trupat i mbështolla me batanije dhe i lashë në korridor. Pas kësaj nisa të pastroja vendin nga gjaku që ishte përhapur në të gjithë dhomën e ndenjes. Pasi përfundova pastrimin, u ula dhe nisa të mendoja deri në detaje zhdukjen e kufomave. Isha tejet i trembur dhe i mbërthyer nga paniku. Kisha frikë se policia do të më zbulonte, ndaj mendova që do të ishte më mirë që t’i digjja trupat dhe makinën e tyre. Telefonova një të afërmin e nuses (Gazep Pili, i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasje). Ishte rreth orës 19:00, ku i kërkova të më sillte një bidon benzinë. Ai ma solli dhe unë e takova në një rrugicë te lagjja. I kërkova që të largohej, ndërsa vetë u ktheva sërish në shtëpi”. 

TRANSFERIMI DHE ASGJËSIMI I KUFOMAVE 
Mbi një orë i është dashur për të nxjerrë dy trupat nga banesa deri në vendin e djegies së tyre me benzinë. “Po prisja që të binte errësira dhe të nxirrja trupat nga shtëpia, pasi kisha frikë mos më shikonin komshinjtë. Rreth orës 21:00 mora trupin e Shabanit dhe e futa në bagazhin e automjetit. Më pas tërhoqa zvarrë deri te shkallët edhe trupin e Albertit. Meqë bagazhi nuk i nxinte të dy, Albertin e vendosa te sedilja e pasme. Hipa në makinë dhe u nisa në drejtim të vendit ku kisha planifikuar të zhdukja kufomat, pranë ish- Vaskave të Peshkut, në periferi të Spitallës. Kufomat do t’i hidhja në një nënkalim të rrugës, ku dhe kisha menduar t’i digjja, ndërsa me automjetin e tyre do të largohesha për ta djegur në një vend tjetër. Në kohën që po ecja me makinë mbeta në rrugë, pasi nuk e kalova dot grumbullin me inerte. Makina nuk lëvizte më. I gjendur pa rrugëdalje vendosa të spërkas makinën dhe kufomat me benzinë për t’i djegur. Sapo i vura flakën dhe pashë që flakët po përhapeshin me shpejtësi u largova në këmbë. Ishte ora rreth 22:10. Gjatë rrugës për të marrë makinën e vëllait që e kisha lënë më para në Shkozet, hodha pistoletën me të cilën kisha kryer vrasjet”, ka dëshmuar 32-vjeçari. 

ARRATISJA NË KORÇË
Odise Verbofshit i është dashur rreth një orë për t’u larguar nga vendi ku dogji makinën me kufomat, deri në shtëpinë e vjehrrit. Aty kishte lënë bashkëshorten së bashku me djalin e vogël. “Rreth orës 23:30 shkova te shtëpia e vjehrrit. Nusen dhe djalin i kisha dërguar që prej paradites, pasi do vinin Alberti dhe Shabani në shtëpi për të marrë drogën. Te shtëpia e vjehrrit qëndrova për disa minuta jashtë në makinë. U futa brenda më pas dhe qëndruam për disa minuta. I thashë nuses që kisha ardhur për ta marrë dhe për të shkuar në Korçë. Ajo më tha të prisnim mëngjesin, por unë këmbëngula që të niseshim. Mora familjen dhe u nisa me makinën time për te të afërmit e kunatës. Mbërrita herët në mëngjes te vjehrra e vëllait dhe qëndrova aty deri në momentin që më arrestoi policia. Fakti që shkova në Korçë ishte se kisha planifikuar që të arratisesha drejt Greqisë së bashku me familjen time, pasi i druhesha hakmarrjes”. Kështu e ka përfunduar rrëfimin e tij para grupit hetimor autori i vrasjes së dyfishtë Odise Verbofshi, babai i një fëmije. Viktima Albert Kasalla Viktima Shaban Babasi Odise Verbofshi gjatë arrestimit nga Policia në Korçë.

LEONIDHA MUSAJ 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura