Vrau burrin në gjumë, djali i mitur: Pashë mamin me sëpatë në dorë

Jul 22, 2016 | 8:47
SHPËRNDAJE

Mirela Buzalli, 35- vjeçarja që vrau me sëpatë bashkëshortin e saj në Barbullush të Shkodrës, u paraqit dje në Gjykatën për Krimet e Rënda për caktimin e masës së sigurisë ndaj saj.

Çifti Buzalli
Çifti Buzalli

Me kërkesë të Prokurorisë për Krimet e Rënda, gjyqtarja e gatshme, Etleva Deda, caktoi masën “arrest në burg” ndaj saj për vrasjen me sëpatë të Shkëlzen Buzallit. Burime brenda sallës me dyer të mbyllura bënë me dije se nëna e tre fëmijëve ka shfaqur pendesë për krimin e kryer përmes mbrojtësit të saj.

Avokati ka pretenduar se e dyshuara ka kryer veprën penale në kushte të tronditjes psikike, të shkaktuar nga kërcënimet dhe dhuna e vijueshme fizike e psikologjike nga ana e bashkëshortit të saj të ndjerë. Sipas burimeve, vetë e dyshuara nuk ka dhënë asnjë shpjegim para gjykatës.

Gjatë seancës ajo ka qëndruar e heshtur në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit, duke pohuar vetëm “jam dakord me çfarë tha avokati”. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Prokurorisë ka kërkuar masën ekstreme të sigurisë për 35-vjeçaren, duke iu referuar rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprës penale, për të cilën ajo akuzohet dhe masës së dënimit të parashikuar për këtë vepër.

Gjatë leximit të akt-akuzës, përfaqësuesi i Prokurorisë nuk ka përcaktuar saktësisht motivin e kryerjes së krimit nga ana e të dyshuarës Buzalli. Duke iu referuar deklarimeve paraprake të dhëna para oficerëve të Policisë së Shkodrës, 35-vjeçarja nuk ka dhënë një motiv fiks, duke folur për konflikte të mëparshme me bashkëshortin për shkak të dhunës, apo xhelozisë. Sipas Prokurorisë, krimi makabër ka ndodhur në sytë e njërit prej fëmijëve të mitur të familjes, i cili ka qenë në të njëjtën dhomë ku flinte viktima.

Në deklarimet e dhëna prej tij, në praninë e një psikologu, i mituri ka rrëfyer se ka parë nënën e tij me sëpatë në dorë në momentin e ngjarjes. Po ashtu, i mituri ka shpjeguar se nëna e tyre u ka rrëfyer për krimin e bërë dhe pasi i ka përcjellë ata te një i afërm i familjes, vetë ka shkuar për t’u dorëzuar në Policinë e Vaut të Dejës.

Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjykata la në masën “arrest në burg” Mirela Buzallin, të dyshuar për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”.

VRASJA

Sipas Policisë së Shkodrës, krimi brenda familje në fshatin Barbullush është shënuar rreth orës 05:30 të mëngjesit të 18 korrikut. Njoftimi për ngjarjen e rëndë është bërë nga e dyshuara Mirela Buzalli, e cila ka shkuar në polici dhe ka rrëfyer krimin. Sipas hetimit, 45-vjeçari Shkëlzen Buzalli ka gjetur vdekje të menjëhershme, pasi është qëlluar disa herë me sëpatë në pjesën e kokës.

Në momentin e ngjarjes, viktima ka qenë duke fjetur gjumë dhe nuk ka pasur asnjë mundësi reagimi. Gjatë rrëfimit të saj para oficerëve të policisë, 35- vjeçarja Buzalli ka treguar se ka vrarë bashkëshortin për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike që ai ushtronte ndaj saj. Njëkohësisht ajo ka pohuar se marrëdhënia në çift ishte konfliktuar prej kohësh për një sërë arsyesh, përfshi edhe përkatësinë e saj fetare të ndryshme nga ajo e bashkëshortit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura