Vrau babë e bir, i dënuari përjetë kërcënon fqinjët: Njërit i kërkon ti blejë shtëpin 30 milion lekë, tjetrit i kërkon 10 milionë

May 28, 2015 | 0:34
SHPËRNDAJE

Vrau babë e bir në 2010, i dënuari përjetë u dërgon letër kërcënuese nga burgu dy komshinjve të tjerë të tij. Sipas Policisë, Hysen Shera, autori i vrasjes së ndodhur më 9 nëntor 2010, të Fatmir dhe Izmir Sula, 50 dhe 18 vjeç, u ka dërguar letër kërcënuese dy komshinjve të tij në Shijak.

Fatmir dhe Izmir Sula, të vrarë nga Hysen Shera, 5 vite më parë në Shijak

Njërit prej tyre i kërkon të bëjë rolin e sekserit për t’i shitur atij shtëpinë. Nëse nuk ia shet ai e kërcënon që ta blejë vetë komshiu në vlerën e 30 milionë lekëve.

Ndërsa komshiut tjetër i kërkon 10 milionë lekë, duke e akuzuar atë se e ka shitur në Polici Sherën, pasi kishte kryer krimin e dyfishtë. “Komisariati i Policisë në Shijak, filloi procedimin penal për shtetasin Hysen Shera, 58 vjeç, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasje, në burgun e Fushë-Krujës.

Procedimi penal nisi, pasi ndaj Sherës kanë bërë kallëzim shtetasit: Sh.S., 66 vjeç dhe Xh.B., 30 vjeç, banues në Shijak. Shtetasi Hysen Shera, me anë të një personi të panjohur, iu ka dërguar një letër kërcënuese në shtëpi”, bëri të ditur Policia.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, ai i kërkon fqinjit Sh.S., ta shesë ose t’i marrë vetë shtëpinë e tij, e t’i japë 30 milionë lekë. Ndërsa fqinjit tjetër me inicialet Xh.B., i kërkon brenda 7 ditësh, 10 milionë lekë, për shpifje ndaj tij për vrasje. Policia ka nisur menjëherë hetimin pas kallëzimeve të kryera dhe po punohet për identifikimin e gjetjen e prurësit të letrës. Vetë i akuzuari nuk ka pranuar të ketë pasur lidhje me këtë ngjarje. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Durrës vijojnë hetimet për veprën penale “kanosja”. Hysen Shera, 58 vjeç, akuzohet për vrasjen e dyfishtë të babë e bir, Fatmir dhe Izmir Sula, përkatësisht 50 dhe 18 vjeç, të cilët ishin gjithashtu komshinj të tij.

Ngjarja ndodhi pak metra larg banesës së viktimave (Katër Rrugët e Shijakut), gjatë kohës që po ktheheshin në shtëpi. Asokohe burime zyrtare të Policisë së Durrësit thanë se ngjarja ka ndodhur për motive banale, pasi shtetasit nuk komunikonin me njëri-tjetrin prej muajsh për shkak të disa konflikteve. Autori u arrestua pak ditë më vonë. Shera nuk ka pranuar asnjëherë se ka kryer krimin e dyfishtë, por Policia arriti të zbardhë ngjarjen e rëndë, duke përdorur metodat speciale të hetimit.

Si rezultat i kësaj pune është konkluduar me identifikimin dhe ndalimin e autorit të dyshuar për vrasjen e dyfishtë, zbardhjen e motiveve, si dhe dokumentimin ligjor të saj. Sipas Policisë, provat materiale, përkatësisht arma me të cilën është kryer vrasja, si dhe rrobat që dispononte në kohën që ka kryer krimin, i kishte hedhur në një kanal në afërsi të zonës ku jetonte.

LEONIDHA MUSAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura