Vrasjet në Selitë, flet mamaja e Ervin Shabës: Djalin e vranë në vend tjetër dhe e çuan në shtëpinë e Ymerit që të dukej si grabitje

Feb 27, 2015 | 20:46
SHPËRNDAJE

Familja e Ervin Shabës, e tronditur nga lajmi për lirimin e Flamur Ymerit, e konsiderojnë si vrasje të dytë ndaj të birit, vendimin e djeshëm të Gjykatës. Nëna e 26-vjeçarit, Lule Shaba, tregon për gazetën dyshimet e saj rreth ngjarjes.

Ervin Shaba, Adnan Luli, Flamur Ymeri


Besoj jeni në dijeni të vendimit të Gjykatës, që ndryshoi masën e sigurisë për personin që vrau djalin tuaj?

Po, po ja tani po e shikoja në televizor dhe mezi po qëndroj në këmbë. Djali im në tokë, ai lirohet e kthehet në shtëpi. Kjo është e tmerrshme! Po ma vrasin prapë djalin!

E prisnit këtë vendim?
Në fakt dihej që do të ndodhte kështu. Kishim dëgjuar që ai ka dhënë shumë lekë për të dalë nga burgu. Ia doli. Vrau dy veta, nuk qëndroi as 3 muaj në burg. Nuk di çfarë të them.

Gjatë kësaj kohe, ju kishin treguar se si është vrarë djali juaj?
Absolutisht asgjë. Dje (të mërkurën) më kanë thirrur në Polici, më kërkonin telefonin e djalit. Po pse pas tre muajsh u kujtuan ata për telefonin?! Për çfarë ju hynte në punë tani ai telefon. Unë e dija, madje te gazeta juaj e kisha lexuar, që Flamur Ymeri do bënte edhe pak ditë burg dhe do të dilte. Nuk priti puna fare, e liruan që sot. Ndërsa ata më kërkonin telefonin. Unë do ua kisha dorëzuar me kohë se në shtëpi ka qenë. Por ato ditë pas ngjarjes, kush e kishte mendjen te telefoni.

Keni ndonjë dyshim se si mund të ketë ndodhur ngjarja?
Dyshime kemi sa të duash, se gjithçka në këtë histori është e dyshimtë. Djali im nuk ishte grabitës. Nuk kishte shkelur kurrë në jetën e tij në ndonjë rajon Policie. Burri im gjithë jetën ka punuar si kambist. Kemi qenë në gjendje të mirë ekonomike, mos e shikoni shtëpinë që e kemi lënë kështu. E kemi lënë se këtu do të kalojë unaza dhe nuk duam të na e shembin. Ervinit nuk i ka munguar kurrë asgjë. Atë djalë kishim, edhe atë na e vranë. Tani kemi vetëm një vajzë.

Nuk ju kanë thënë asgjë nga Policia, apo nga Prokuroria?
Çfarë të na thonë?! Që po mbajnë anën e atij që vrau? Vetëm kjo u kishte mbetur për të na e thënë. Djali im nuk ka shkuar aty për të grabitur. As shoku i vet Adnani. Nuk ishin të tillë njerëz. Djemtë i kanë vrarë në vend tjetër, jam e sigurt dhe i kanë çuar aty në shtëpi që të dukej grabitje. Pse nuk e lajmëroi vetë Policinë Flamur Ymeri, por priti sa t’i rregullonte gjërat me avokatin?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura