VRASJET E SELITES/ Gjykata vë në provë Prokurorinë: Keni edhe 8 ditë kohë për të implikuar Flamur Ymerin

Feb 25, 2015 | 18:01
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës vendos në provë Prokurorinë për dosjen e vrasjes së dy të rinjve brenda vilës së biznesmenit Flamur Ymeri, ndodhur më 18 dhjetor 2014 në Selitë.

Flamur Ymeri ne gjyq

Sipas vendimit të togave të zeza, Prokuroria duhet të konkludojë me akuzën ndaj të arrestuarit brenda datës 28 shkurt, në të kundërt masa e sigurisë për të pandehurin do të hiqet. Masa e dytë e arrestit e vendosur nga Gjykata ka skaduar më 20 shkurt 2015. Para përfundimit të kësaj mase, Prokuroria e Tiranës kërkoi ndaj 45-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e shtetasve Adnan Luli e Ervin Shaba mbajtjen në burg edhe për 30 ditë të tjera.

Shkak i kërkesës për shtyrjen e masës ishte fakti se nga hetimet e kryera dhe provat e mbledhura deri më tani nuk është bërë ende e mundur të qartësohet mekanizmi i ngjarjes. Në seancën e mbajtur më 20 shkurt, Gjykata ka vendosur të mos pranojë kërkesën e Prokurorisë për të mbajtur biznesmenin edhe 30 ditë të tjera në qeli. Sipas Gjykatës, masa e re e vendosur ndaj Flamur Ymerit është 8 ditë.

Sipas Gjykatës, brenda këtij afati Prokuroria duhet të formulojë akuzën e saktë ndaj 45-vjeçarit të akuzuar për krimin. Viktimat Adnan Luli dhe Ervin Shaba, të vrarë brenda banesës së Flamur Ymerit, rezulton se janë qëlluar me tri armë të ndryshme, por në vendin e krimit janë gjetur vetëm dy të tilla. Një prej armëve që ka shtënë në vendin e vrasjes së dyfishtë, është zhdukur në rrethana të pashpjegueshme.

MISTERI I NGJARJES

Viktimat e Selites

Dy ditë pas vrasjes së të rinjve në Selitë, më 20 dhjetor 2014, Prokuroria kërkoi masë me afat 1-mujor ndaj Flamur Ymerit. Kërkesa u bë për arsye se ngjarja ishte ende e paqartë, duke qenë se një nga tri armët e përdorura në vrasje kishte humbur. Në datën 20 janar 2015, kur afati i masës së parë përfundoi, Prokuroria kërkoi edhe 30 ditë kohë me qëllim që të administronte në dosje aktet e Mjekësisë Ligjore dhe ekspertizat që do të hidhnin dritë mbi ngjarjen.

Ekspertizat përfunduan në janar dhe në shkurt 2015, por ato kanë zbardhur episode të veçanta të ngjarjes pa mundur të saktësojnë mekanizmin si ka ndodhur krimi. Për këtë arsye, Prokuroria kërkoi një masë të tretë 1-mujore “arrest me burg” ndaj Flamur Ymerit, por Gjykata nuk pranoi. Gjykata i la Prokurorisë 8 ditë kohë për të zgjidhur misterin e ngjarjes, ku mbetën të vrarë dy të rinjtë Adnan Luli dhe Ervin Shaba. Deri më tani ndaj biznesmenit Flamur Ymeri është ngritur akuza për “vrasje të kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes se nevojshme” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Ai pretendoi se dy viktimat hynë në banesën e tij me armë dhe me maska, duke kërkuar paratë, ndërsa të shoqes së 45-vjeçarit i thanë “ku është Muli se do ta vrasim”. Biznesmeni pretendon se është përleshur me viktimat dhe i ka vrarë ata me armët e tyre. Nga ekspertiza e gëzhojave dhe plumbave në vendin e krimit është konstatuar se ato janë qitur nga tri armë, ndërkohë që policia gjeti vetëm dy të tilla në vendin e ngjarjes. Për armën e tretë biznesmeni deklaroi pas arrestimit se “nuk mbante mend ku e kishte hedhur”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura