“Adnan Luli nuk e ka grabitur shtëpinë e Blendi Gonxhes”. I ati: Ishte jashtë Shqipërisë, ja pasaporta

Mar 4, 2015 | 8:27
SHPËRNDAJE

Babai i Adnan Lulit, të riut që u vra në dhjetor të vitit të kaluar në Selitë nga Flamur Ymeri, i liruar pak ditë më parë, shprehet se persona të caktuar po mundohen të njollosin familjen e tij, duke përmendur emrin e të birit si grabitës në një tjetër ngjarje.

Pasaporta e Adnan Lulit


Sipas tij, ky fakt është i pavërtetë dhe lehtësisht i provueshëm. Gëzim Luli shprehet se në disa media ka lexuar se i biri ka grabitur shtëpinë e Blendi Gonxhes dhe kjo e ka shtyrë të bënte verifikimet e veta. Ai na tregon pasaportën e të birit, ku duket qartësisht se Adnan Luli, në kohën kur është grabitur shtëpia e Gonxhes, në nëntor të vitit 2013, nuk ka qenë në Shqipëri.

Viktima Adnan Luli

Në dokument janë vulat e Aeroportit të Rinasit që e provojnë këtë, por veç të tjerash, ai shprehet se ka biseduar edhe me Blendi Gonxhen, i cili e ka siguruar se emri i Lulit nuk është përmendur në asnjë moment nga asnjë anëtar i familjes së tij.

Gëzim Luli, në një intervistë për gazetën “Panorama”, shprehet se dy ditë më parë ka shkuar në Prokurori, për të kërkuar shpjegime se përse nuk është zbuluar personi që e ka nxjerrë nga shtëpia djalin e tij, natën kur ndodhi ngjarja. Madje ai tregon se ka dorëzuar edhe telefonin e të birit, ku nuk kishte fshirë asnjë thirrje, dhe aty ishte e thirrja anonime që e nxori atë natë nga shtëpia.

Ditën kur Gjykata liroi Flamur Ymerin, ju u shprehët se do ta ndiqnin ligjërisht ngjarjen, derisa të zbulonit të vërtetën e vrasjes së djalit tuaj. Keni nisur ndonjë veprim ligjor gjatë këtyre ditëve?

Po, para dy ditësh kam qenë në Prokurori fillimisht. Jo vetëm që të interesohesha, por edhe të kërkoja pse nuk është zbuluar personi që i ka telefonuar djalit tim atë natë. Ua kam thënë edhe atëherë, ua thashë edhe tani. Si rregull edhe numrat anonimë mund të zbulohen nga kompania celulare.

Çfarë ju thanë në Prokurori?

Më thanë që është e pamundur të identifikohet kur nuk i përgjigjet dikush asaj thirrjeje. Në fakt, djali nuk iu përgjigj asaj telefonate anonime, por doli menjëherë pas saj. Siç ju kam thënë edhe më parë, është bërë pas orës 01:00 të natës. Por megjithatë, mesa di unë, me aq njohuri sa kam, çdo thirrje anonime apo jo regjistrohet nga kompania dhe mund të zbulohet. Siç duket nuk duan të merren shumë me këtë punë dhe e kanë lënë me kaq. Diçka fshihet pas kësaj historie, për mendimin tim ndonjë person tjetër, por se si është e vërteta nuk po e marr vesh akoma. Unë ua tregova edhe telefonin e djalit, sepse e ruaja ashtu siç e ka lënë ai. Dhe aty ishte edhe thirrja që është bërë, ora dhe gjithçka.

Veç kësaj, ju thanë diçka tjetër në Prokurori?

Në fakt, unë më shumë doja të konfirmoja një informacion që kishte dalë në media, sikur djali im ishte i përfshirë në një grabitje tjetër, në banesën e Blendi Gonxhes, për kureshtje më tepër, sepse më dukej sikur patjetër dikush po kërkonte ta nxinte edhe më shumë tim bir, po unë vetë e dija që nuk është e vërtetë. Po edhe prokurori më tha që nuk ka asnjë hetim në lidhje me këtë dhe djali im s’ka lidhje me këtë punë. Nga ana tjetër, unë as që e diskutoj këtë çështje, pasi kam prova që djali nuk ka qenë këtu kur ka ndodhur ajo ngjarje.

Çfarë provash keni?

Mund t’jua tregoj edhe ju pasaportën e djalit. Nuk ka provë më bindëse se kaq. Në pasaportën e tim biri, Adnan Lulit “J20102052G”, siç e shihni edhe ju, janë vulat kur ai ka dalë dhe është kthyer nga Shqipëria. Sipas vulës që ju e shihni, djali ka dalë nga Shqipëria më 25 shtator të vitit 2013 nga Rinasi dhe është kthyer po në Rinasi më 25 dhjetor 2013. Sipas atyre që shkruajnë disa media, vjedhja e shtëpisë së Blendi Gonxhes ka ndodhur më 25 nëntor 2013. Pra është lehtësisht e provuar se nuk ka qenë djali im i përfshirë në këtë ngjarje, sepse nuk ndodhej këtu në atë kohë. Veç kësaj, unë kam komunikuar vetë me Blendi Gonxhen.

Çfarë ju tha Gonxhe?

Ai më ka siguruar se as ai, as djali i tij, nuk kanë bërë asnjë deklaratë të tillë, sikur autori i grabitjes është djali im. Pra është e pavërtetë. Nuk e di se kush ka dashur ta përfshijë djalin tim në këtë histori. Por, mesa duket, është dikush që do ta bëjë patjetër fajtor edhe pse ai nuk jeton më. Zoti Gonxhe madje më tha se familja e tij nuk ka bërë asnjë përcaktim për emrin e autorit, aq më pak të përmendë emrin e djalit tim, pasi nuk është ai. Dhe sipas tij, ajo ngjarje është ende nën hetim dhe nuk ka asnjë konkluzion përfundimtar nga hetuesit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura