VRASJET E SELITES/ Intervista e babait të Adnan Lulit: Të gjitha dyshimet e mia për krimin e Flamur Ymerit. Të paktën të dënohej për armëmbajtje pa leje

Feb 27, 2015 | 17:00
SHPËRNDAJE

INTERVISTA SOT NE “PANORAMA”/ Babai i Adnan Lulit, njërit prej të rinjve që u vra nga Flamur Ymeri në shtëpinë e tij në Selitë, në dhjetor 2014, e konsideron absurd vendimin e Gjykatës që liroi dje nga qelia autorin e ngjarjes.

Viktimat e Selites

Ai thotë se një telefonatë anonime i ka nxjerrë nga shtëpia dy djemtë natën e krimit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ish-deputeti i Shkodrës, Gëzim Luli, rendit të gjitha pikëpyetjet e tij rreth ngjarjes, i bindur plotësisht se nuk është grabitje.

Ai shprehet se pas vendimit të djeshëm, do ta ndjekë në mënyrë ligjore ngjarjen, për të nxjerrë në dritë të vërtetën.

Personi që vrau djalin tuaj sot u lirua nga burgu. Çfarë keni për të thënë rreth vendimit të Gjykatës?
Të them që është vendim i padrejtë, nuk është kjo fjala e duhur, është shumë pak. Është një vendim më shumë se absurd. Nuk e kuptoj dot sado të përpiqem. Se si janë institucionet e drejtësisë këtu te ne, këtë nuk e them unë, sepse e kanë thënë shumë e shumë para meje, dihet botërisht. Por që të arrish deri aty sa të lirosh një njeri që ka vrarë dy veta, kjo nuk ka ku të qëndrojë. Këtu luhet diçka e madhe. Dihej që do të ndodhte kështu, por ja, po shpresonim kot që të vendosej drejtësi.

Pra ju po thoni se deri diku e prisnit këtë vendim?
E prisja… njeriu shpreson deri në momentin e fundit, edhe pse deri diku e dija që ditën e parë kur ndodhi ngjarja e ditët në vijim se çfarë rruge po merrnin gjërat. Atij filluan t’i lehtësoheshin pozitat që prej ditëve të para. Por minimalisht, meqë thonë që nuk paskan prova për ta mbajtur brenda, po për armëmbajtje pa leje nuk lihet në burg dikush? Është e palogjikshme. Arma e krimit nuk është gjetur akoma. Pse nuk e gjejnë? Ai pse nuk tregon ku e ka hedhur armën, meqë pretendon se ua paska marrë djemve nga dora? Mesa di unë u provua që ai kishte armë pa leje. Tani sanksionet për armëmbajtje pa leje janë edhe më të ashpra, se ligji ka ndryshuar. Pse nuk e lanë në burg, qoftë për këtë?! Polici te Rruga e Kavajës, që vrau personin që kishte shkuar për ta vrarë, është lënë në burg. Në fund të fundit, ai është punonjës Policie dhe armën në brez e ka për një qëllim. Por jo, atë e lanë në burg, madje edhe për vrasje me dashje, këtë që vrau dy djem të rinj e lirojnë. Absurditet.

Gjatë kësaj kohe jeni interesuar në institucionet e drejtësisë për të zbuluar se si ka ndodhur realisht ngjarja?
Jam interesuar, posi, por kot sa të interesohem. Ngjarja është kopsitur shumë mirë. Ata të gjithë i qëndrojnë versionit të grabitjes, që mua nuk më mbushet mendja kurrë. Të gjithë më kanë thënë të njëjtën gjë, jo është kryer për vetëmbrojtje, jo për grabitje. Po arma pse nuk gjendet?! Pse vonoi aq shumë ekspertiza?

Pra ju jeni i bindur që ngjarja nuk ka ndodhur për grabitje?
Plotësisht i bindur. Ngado ta rrotullosh e ta analizosh këtë histori, në këtë përfundim del. Personi që sot u lirua nga burgu, njihet se kush është. Nuk është ndonjë njeri dosido, që mund t’i futesh kollaj në shtëpi për ta grabitur. Aq më tepër në orën 8 të mëngjesit, siç thotë ai. Pastaj djali im, por edhe shoku i tij, kanë dalë në mes të natës nga shtëpia, ku qëndruan gjithë natën deri në mëngjes? Ai doli për t’u kthyer shpejt. Nuk veshi as xhup, e la në shtëpi. Ka dalë me triko.

Ju tha pse do dilte?
Na tha që do dilte dhe do kthehej shpejt. Do takonte Ervinin, shokun e vet, që u vra bashkë me të. Por dikush i ka nxjerrë nga shtëpia atë natë. Në orën 1 të natës i kanë marrë në telefon me anonim. Ajo telefonatë i nxori nga shtëpia. Se kush është ky person, nuk dihet as sot. Se që është një person tjetër pas kësaj historie, as që vihet në diskutim.

Nuk është zbuluar nga Prokuroria se kush u ka telefonuar?
Unë di që mundësitë ekzistojnë që të zbulohet, edhe pse ishte numër anonim. Po mua më thonë që nuk e gjejnë dot. Nuk figuron ajo telefonatë sipas tyre. Nuk janë zbuluar shumë gjëra. Kur nuk u gjet pistoleta e vrasjes, çfarë mund të presim tjetër.

Ju keni ndonjë dyshim se si mund të ketë ndodhur ngjarja?
Unë nuk e di motivin e kësaj ngjarjeje. Di me siguri që s’ka ndodhur për grabitje. Por se si, nuk e di dhe as nuk më është thënë nga askush. Megjithatë, unë dyshoj shumë për orarin kur ka ndodhur, ose edhe mënyrën. Gjatë kësaj kohe kam mësuar se të dy djemtë, djali im dhe shoku i vet e kanë takuar edhe më parë këtë Flamur Ymerin. Gati 15 ditë para se të ndodhte ngjarja. Se përse e kanë takuar, se çfarë kanë biseduar, këtë nuk e di. Por janë takuar. Kjo më bën të dyshoj edhe më shumë. Pastaj momenti i ngjarjes, gjithë ato plumba që kishin djemtë. Si nuk u dëgjua asnjë krismë aty në lagje? Për mua do t’i ketë vrarë me silenciator, se nuk ka mundësi. Pastaj mënyra se si i vrau. Mirë ia mori pistoletën nga dora, e qëlloi një herë. Po pse duhej t’i qëllonte edhe pasi i kishte vrarë? Sepse ai i ka qëlluar kufomat disa herë, pasi djemtë kishin vdekur. Sikur kishte mllef e urrejtje ndaj tyre. Edhe kjo është vepër penale mesa di unë. Të dhunosh, të përdhosësh kufomën, unë di që dënohet me ligj.

Pas këtij vendimi që dha Gjykata, keni ndërmend ta ndiqni ligjërisht këtë ngjarje?
Po, patjetër që po. Unë dua që të zbulohet sa më parë e vërteta. Deri tani supozohej të na përfaqësonte shteti, sepse ishim familja e viktimës. Por tani, pas lirimit të autorit, po dalim ne palë e akuzuar. Do të konsultohem nëse do ketë hapësira ligjore për ta ndjekur me një përfaqësues ligjor këtë çështje. Unë dua që të zbardhet e vërteta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura