Vrasje, trafik droge e gjobëvënie, akuzat që çuan në pranga “të tmerrshmit” Bajri. Arrestimet rihapin dhe dosjet e ekzekutimit të…

Sep 23, 2018 | 9:36
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Grupi kriminal i Safet Bajrit akuzohet për një sërë veprash penale të ndryshme. Kështu, pjesëtarë të ndryshëm të grupit janë duke u hetuar për disa vrasje dhe atentate në qytetin e Shkodrës, por edhe në vende të tjera.

Gjithashtu, burime brenda grupit hetimor thonë për “Panorama” se grupi i Bajrit dyshohet se merret edhe me trafik droge, ndërsa kohët e fundit ishte organizuar në vendosjen e gjobave në qytetin e Shkodrës. Këtë e konfirmoi edhe vetë drejtuesi i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë konferencës për mediat ditën e djeshme.

Banda-Bajr-arrestimi-Panorama (3)

Kështu, sipas hetimeve, që kanë zgjatur plot gjashtë muaj, grupi kriminal dyshohet për një seri vrasjesh, atentatesh, pastrim parash, trafik droge, shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie, armëmbajtje pa leje si edhe shumë vepra të tjera penale. Në ngarkim të grupit rëndojnë edhe dy akuza për vrasje të ndodhura në vitin 2001 dhe në vitin 2002, që kanë mbetur të pazgjidhura deri më sot.

Banda-Bajr-arrestimi-Panorama (7)

Me një karrierë të gjatë kriminale paraqitet Behar Bajri, që tashmë dyshohet si personi kryesor që mund të ketë vrarë 15-vjeçaren Fabiola Bajri, bashkëshorten e tij. Kjo e fundit u gjet më datë 26.06.2002 e pajetë në banesën e saj me një plumb në kokë. Ngjarja u klasifikua si vetëvrasje, por tani dyshohet se e ka vrarë Behar Bajri. Gjithashtu, Bajrët dyshohet se janë të përfshirë në disa ngjarje kriminale.

Kështu, ata dyshohen edhe për vrasjen e vëllezërve Osman dhe Artur Alibali në vitin 1999 në Shkodër. Gjithashtu, Bajrët dyshohet se kanë grabitur dhe plagosur shtetasin Arben Tuzi në vitin 1999 dhe më pas i kanë bërë atentat në vitin 2001, ku ai ka gjetur vdekjen. Gjithashtu, në vitin 2006, Behar Bajri akuzohet për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër person

Banda-Bajr-arrestimi-Panorama (6)

. Për këtë ngjarje, Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”. Më 4 gusht të vitit 2006, Ilir Bajri akuzohet se ka vrarë Pal Kosterin, pranë banesës së tij, në fshatin Stom-Golem, pak metra larg Urës së Bardhajve.

Vrasja pati ndodhur pas një konflikti të dy autorëve me dy nga djemtë e viktimës, që janë pronarë të një lokali në Velipojë. Nuk mbeten mbrapa edhe trafiku i lëndëve narkotike dhe aktivitetet kriminale në Holandë dhe Belgjikë të Safet Bajrit, i cili implikohet edhe në zhdukjen e dy shtetasve shqiptarë.

Gjithashtu, Prokuroria po heton edhe për lidhjen e tyre me vrasjet e fundit në Shkodër dhe gjobëvënieve të disa bizneseve.

HETIMET

Prokuroria e Krimeve të Rënda së bashku me Policinë e Shtetit kanë rreth gjashtë muaj që kryejnë hetime për grupin e Safet Bajrit. Të dhënat nga grupi hetimor thonë se janë kryer me dhjetëra orë përgjime telefonike dhe ambientale për anëtarët e grupit. Kryesori ka qenë Safet Bajri, i cili kërkohet në Holandë gjithashtu për aktivitete të paligjshme. Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Vrasje me dashje”, “Organizim i lotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Rihapja e dy vrasjeve dhe lidhja me Totajn

Policia e Shtetit njoftoi ditën e djeshme se me arrestimin e anëtarëve të grupit të Bajrit do të rihapen dosjet për të paktën dy vrasje të ndodhura në vitin 2001 dhe 2002. E para, ka të bëjë me vrasjen e shtetasit Arben Tuzi, i cili dy vjet para atentatit, ishte plagosur në një tentativë grabitjeje me armë, për të cilën u dyshuan Behar Bajri dhe Frederik Totaj, i cilësuar si “tutori” i Shkodrës. Arben Tuzi u vra më pas në vitin 2002 në qytetin e Shkodrës, por ngjarja mbeti pa autorë. Gjithashtu, rihapet edhe dosja e vrasjes së 15- vjeçares Fabiola Bajri, e cila u klasifikua si vetëvrasje në atë kohë dhe ishte bashkëshortja e Behar Bajrit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura