Vrasje apo helmim, enigma e katër viktimave ruse në Qerret. Itenerari nga dreka në Maqedoni tek darka në plazh, zbardhet dëshmia e punonjësit që i shërbeu

Oct 18, 2021 | 9:16
SHPËRNDAJE

Katër anëtarët e një familjeje nga Moska që humbën jetën mbrëmjen e së premtes në një hotel në Qerret të Kavajës kishin porositur pije vetëm një orë para se të gjendeshin të pajetë në zonën e SPA-së.

Një dëshmi e rëndësishme për grupin hetimor është ajo e punonjësit të pishinës, i cili ka deklaruar se e kishte pastruar të premten në mëngjes.

Në dëshminë e tij, ky punonjës ka treguar se turistët rusë kishin kontaktuar hotelin dhe kishin kërkuar që të bëhej gati zona e SPA-së, pasi kishin nevojë për t’u relaksuar, duke qenë se kishin udhëtuar përgjatë gjithë ditës së premte. Ata kishin qëndruar disa orë në Maqedoninë e Veriut, më pas janë kthyer dhe kanë ndaluar për pak kohë në Librazhd dhe në fund kanë mbërritur në hotelin që kishin rezervuar, në Qerret të Kavajës.

Punonjësi i pishinës, ka deklaruar se pishina ka qëndruar e mbyllur për afro një javë. Një natë më parë turistët kanë kontaktuar hotelin dhe kanë kërkuar që të bëhej gati zona e SPA-së. Ai thotë se në orët e para të mëngjesit të së premtes e ka larë pishinën, ka zbrazur gjithë ujin, e ka larë me furçë, ka përdorur klorin për ta dezinfektuar dhe e ka bërë gati, që ta përdornin turistët.

DESHMITE

Mësohet se ka qenë një prej recepsionistëve të hotelit ai që u bë dëshmitari i parë i skenës tronditëse dhe gjeti të pajetë turistët rusë. Në dëshminë e tij, recepsionisti ka thënë para hetuesve se ka qenë ora rreth 22:30 kur ai ka shkuar në zonën e saunës, ku ishin 2 çiftet, ndërsa i ka thirrur disa herë për t’i njoftuar se pijet dhe frutat iu kishin shkuar në dhomë. “Iu thirra disa herë se pijet dhe frutat ishin gati.

Pasi nuk mu përgjigj njeri hyra brenda në sauna dhe i pashë të katërt, nuk mu përgjigjën.

Njëri ishte i shtrirë në shezlong, dy në stol dhe një tjetër ulur me këmbët në pishinë. Ishin të asfiksuar”, mësohet të jetë shprehur punonjësi i hotelit. Nga hetimet paraprake dyshohet se 4 turistët janë asfiksuar, ndërkohë që pritet të zbardhen të tjera detaje rreth ngjarjes.

Gjithashtu, Policia po vijon hetimet mbi një pistë tjetër në atë të sigurisë së sistemit të ajrimit nëse ka pasur një defekt. Policia ka shoqëruar stafin e hotelit në Komisariat për të dhënë deklaratat e tyre lidhur me ngjarjen.

MEDIA BRITANIKE

Media britanike “Metro” i ka kushtuar një artikull ngjarjes së rëndë që ndodhi në Qerret të premten, ku një familje prej 4 anëtarësh nga Rusia u gjetën të pajetë brenda një saune në një hotel. Sergey Burenkov, 60 vjeç dhe gruaja Natalya Burenkova, 58 vjeç, nga Moska, ishin me pushime në Shqipëri së bashku me vajzën e tyre Katya, 31 vjeç dhe partnerin e saj Nikita Belousov, 37 vjeç.

Sipas medias britanike, rusët ishin pjesë e një grupi që qëndroi për një javë në hotelin me 5 yje në fshatin Qerret në Shqipëri. Ata kishin porositur pije dhe ushqim në hotel, por kur një kamerier shkoi për të dorëzuar porosinë, i gjeti të gjithë të vdekur.

“Unë bërtita disa herë, për t’i thënë që pijet dhe ushqimet që kishin porositur ishin gati”, citohet të ketë thënë punonjës i hotelit, raporton “Metro”, teksa i referohet mediave shqiptare.

Më tej, ai ka vazhduar duke thënë: “Askush nuk u përgjigj, kështu që unë hyra brenda në saunë dhe i pashë të gjithë të pajetë”. Ndërkohë, ambasada ruse në Tiranë po hetonte shkakun e vdekjes, tha një burim diplomatik rus.

Teksa i referohet Policisë shqiptare, “Metro” shkruan se 4 turistët rusë ishin asfiksuar. Hetimet janë duke u përqendruar në dy pista, në sistemin e ventilimit të saunës, por edhe faktin nëse turistët kishin konsumuar alkool apo jo.

Ambasada ruse: Do kthejmë trupat në vendlindje

Ambasada ruse ka reaguar për vdekjen e katër turistëve rusë në Qerret të Kavajës. Nëpërmjet një njoftimi, ambasada shkruan se po vijojnë hetimet për të zbuluar shkaqet e ngjarjes, ndërsa bëjnë me dije se janë në kontakt të vazhdueshëm me organet ligjzbatuese.

“Ambasada ruse në Shqipëri konfirmon vdekjen e katër shtetasve rusë (Natalia Burenkova, Sergey Burenkov, Ekaterina Burenkaya dhe Nikita Belousov) në një hotel afër qytetit. Departamenti Konsullor i Ambasadës është në kontakt të vazhdueshëm me agjencitë ligjzbatuese të vendit dhe heton rrethanat e asaj që ka ndodhur.

Ne llogarisim një hetim të plotë nga pala shqiptare e shkaqeve të vdekjes së rusëve. Njoftohen të afërmit e të ndjerit. Do të ketë riatdhesim të trupave në vendlindje”, thuhet në njoftim.

Vrasje apo asfiksi, misteri i vdekjes së 4 anëtarëve të familjes ruse në hotel

Edhe pas më shumë se 48 orësh nga ngjarja, vijon të mbetet mister vdekja e katër shtetasve rusë në një hotel në bregdetin e Kavajës.

Burime nga Prokuroria e Kavajës thanë dje se po vazhdojnë me intensitet hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë, duke konfirmuar se në trupin e viktimave nuk janë gjetur shenja dhune. Familja ruse, nga Moska, prindërit me vajzën dhe të fejuarin e saj, u gjetën pa shenja jete mbrëmjen e së premtes, në saunën dhe në pishinën dimërore të hotelit në zonën turistike të Qerretit.

Fillimisht u deklarua se të katërt u gjetën të asfiksuar brenda ambienteve të saunas. Por, dy prej viktimave u gjetën në pishinën dimërore të hotelit, ndërsa dy të tjerë në stolat e saunës. Turistët rusë kishin kërkuar që ambientet e SPAsë përfshirë dhe pishinën e brendshme të ishin gati që pasi të ktheheshin nga vizita e tyre në Ohër të mund të relaksoheshin në to.

Punonjësi që përgjigjet për pishinën e kishte pastruar gjatë ditës, duke përdorur dhe klor, por është shumë e dyshimtë që asfiksia e tyre të ketë ardhur njëkohësisht dhe për të katërt nga përqindja e klorit në ujë.

Sipas “Top Channel”, në këto rrethana misteri mbi vdekjen e tyre është i madh edhe për grupin hetimor, burime nga i cili thonë se pista më e mundshme është ajo e një vrasjeje pa gjurmë. Ndërkohë, në fillim të javës pritet që të dalin rezultatet e autopsisë, të cilat do të hedhin më shumë dritë mbi shkakun e vdekjes. Në sitën e grupit hetimor po kalojnë dhe të gjithë personat e akomoduar në hotelin ku ndodhi ngjarja.

Grupi hetimor po bashkëpunon dhe me ambasadën ruse dhe autoritetet përkatëse për të mësuar më shumë mbi viktimat dhe veçanërisht aktivitetin profesional të dy burrave. Grupi hetimor tregohet mjaft i rezervuar për të dhëna në këtë drejtim, ndërsa hetimet po vijojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura