Vrasja për xhelozi e dy të dashuruarve, hetimi italian: Autori i mori çelësin të bijës. Autori s’kishte shprehur asnjëherë ndonjë problem për këtë

Nov 24, 2022 | 8:25
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI

Historia e dashurisë mes dy të rinjve që u kthye në kasaphanë në Itali, ka nxjerrë detaje të reja që lidhen me jetën që bënte viktima, nënë e dy fëmijëve me ishburrin e saj, i cili në fund i mori edhe jetën në mënyrë barbare.

Flonino Merkuri vrasje itali Mynevere Karabollaj

Duke iu referuar dëshmive të dhëna nga të njohur të gruas që jetojnë e punojnë në Itali, por edhe në Shqipëri është mësuar se në fakt shkaku i ndarjes mes Verës dhe Viron Karabollajt ka qenë dhuna sistematike që ushtronte Vironi mbi të.

Por, pas lindjes së vajzës së dytë, e cila sipas të dhënave është edhe me aftësi të kufizuara, Vera kishte vendosur që të ndahej nga i shoqi dhe të merrte përsipër t’i rriste vetë të dyja vajzat.

Referuar historisë së tyre të gjatë të lidhjes, por që në fakt është ndërprerë vite më parë, mësohet se çifti Karabollaj e nisën jetesën e tyre në Greqi mes shumë peripecish, ndërkohë që kalimi në Itali ka bërë që Vera të kërkojë divorc, pasi dhunohej herë pas here prej tij.

HETIMET

Prokurorët italianë që po hetojnë ngjarjen e rëndë që ndodhi në Spinea, zonë e Venecias, kanë mësuar se kohëve të fundit Vironi kishte nisur të joshte të dy vajzat dhe të kalonte më shumë kohë me to. Për pasojë, dyshohet se edhe natën e krimit, ai ia ka marrë çelësin vajzës së madhe, me të cilin edhe ka mundur të futet në banesë ku ka qenë ish-bashkëshortja e tij bashkë me djalin me të cilin bashkëjetonte.

Hetuesit kanë zbuluar se dera në fakt ka qenë e mbyllur, pasi është bërë kontrolli i banesës çelësat e shtëpisë duket se kanë qenë në vendin që liheshin përherë, sipas dëshmisë së dhënë nga vajza e madhe.

Për këtë shkak, mendohet se ai i ka marrë çelësin së bijës dhe i ka bërë kopje, çka rrit dyshimin që krimi është paramenduar kohë më parë. Vera, nëna e dy vajzave, sipas të dhënave asnjëherë nuk ka kërkuar t’i ndalojë fëmijët të shkonin tek ai, ndonëse ajo i kishte kërkuar Gjykatës që do të kujdesej vetë për rritjen e tyre.

DËSHMIA E KUNATIT TË TË RIUT

Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e çiftit shqiptar Vera Myrtaj dhe Flonino Mërkuri nga ishbashkëshorti i 37-vjeçares Viron Karabollaj. Kunati i Flonino Mërkurit ka folur këtë të mërkurë për emisionin “Me Zemër të Hapur”.

“Mes tyre kishte dashuri, thuhej se e donte për lekë, por jo. Kishte dy vëllezër këtu ajo, janë njohur te lokali. Jo se ne ishim dakord, por e pranuam”, ka thënë ai.

“Flonino nuk e kishte parë kurrë ishbashkëshortin, nuk kanë pasur përballje. Para se të ndodhte ngjarja nuk i ka shprehur gjë Floninos. Kishin pirë kafe, ishin takuar. Ai kishte ardhur dhe e kishte marrë 2-3 orë para se të ndodhte krimi.

Ai e kishte menduar, por nuk kishte shfaqur asnjë lloj shqetësimi. Ne nuk dimë gjë, nuk kemi parë gjë. Vetëm Flonino, të ëmën nuk e kishte parë. Ajo na njoftoi, më pas ka shkuar Policia dhe ambulanca. …Kishte rreth 1 vit që nuk jepte asnjë shenjë. Ai nuk duhet të afrohej afër banesës, por Vera e bënte vetëm për vajzat, sepse e kishin baba.

Muajin e fundit, mesa duket e kishte menduar diçka të tillë, filloi t’i joshte me lekë. Vironi punonte në ndërtim. Ndërsa Flonino punonte me mua, pra punonim bashkë, nuk kishim fare kontakt me atë. Punonim bashkë ne në ndërtim. Ne e dimë mentalitetin e shqiptarëve se si janë, por askujt nuk ia urojmë këtë”, ka përfunduar rrëfimin kunati i viktimës.

Vrasja e çiftit shqiptar Vera Myrtaj dhe Flonino Mërkuri nga ish-bashkëshorti i Verës, Viron Karabollaj, tronditi opinionin publik. Viron Karabollaj kreu krimin pasi nuk pranoi historinë e tyre të dashurisë, duke i vrarë me thikë dhe më pas mbyti veten me litar në vendin ku punonte.

Vrasja në Spinea për xhelozi

Hetuesit italianë bëjnë të ditur se po hetohet pisat e xhelozisë për të mësuar të vërtetën se si ka ndodhur masakra në Spinea.

Ata janë rikthyer disa herë në vendin e krimit për të mësuar se si ka ndodhur ngjarja, ndërkohë që ende nuk është marrë ekspertimi mjekoligjor i dy viktimave, pasi sipas tyre, autori i sulmit me thikë kishte varur veten pas ngjarjes në vendin ku edhe punonte.

Nga dëshmitë që janë marrë te kolegët dhe personat që e kanë njohur dhe kanë ndarë punën me vlonjatin nuk është mësuar ndonjë detaj i rëndësishëm për hetimin, pasi Karabollaj nuk kishte folur me askënd për planin e tij të vrasjes së dyfishtë.

Po ashtu, personat që e kanë njohur nuk kanë mundur as të shquajnë ndonjë problem xhelozie te shqiptari, ndonëse ende hetimet vijojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura