Vrasja për lojën në “Play Station”: Më fyeu dhe nuk e durova dot sharjen

Oct 4, 2015 | 6:45
SHPËRNDAJE

“Ai më fyeu rëndë. Nuk mund të toleroja sharje të tilla. Nuk mendova se do ta vrisja. Jam penduar për krimin që kam bërë”.

Këto kanë qenë fjalët e 15- vjeçarit me inicialet A.F., i cili vrau me thikë një adoleshent në fshatin e tij, pasi nisën të debatonin gjatë lojës në “playstation”. Një ditë pas vrasjes së 17-vjeçarit Romario Kodra nga fshati Qatrom, autori ka përfunduar në prangat e policisë nga ku ka dhënë edhe dëshminë e mësipërme. Pasi ka qëndruar gjithë natën i fshehur, i mituri është kapur në një lokal ku kishte qëndruar për orë të tëra, derisa u zbulua nga policia.

Viktima Romario Kodra
Viktima Romario Kodra

Tentativa e tij për t’i shpëtuar policisë ka zgjatur rreth 12 orë, ndërsa u zbulua në lokalin e fshatin Qatrom, ku edhe ndodhi ngjarja. Pasi ka përfunduar në pranga, i riu ka rrëfyer detajet rreth momentit të ngjarjes.

“Nisëm të grindeshim për një lojë kompjuteri. Dolëm jashtë për t’u sqaruar, por atje e humba toruan. Kisha një thikë me vete, e nxora dhe e qëllova. Sapo pashë gjakun, nuk dija ç’të bëja. Ika dhe u fsheha, isha i trembur. Nuk mendova se do ta vrisja”, është shprehur mes lotësh autori. Por pas ngjarjes kanë reaguar ashpër edhe bashkëfshatarët e tij.

Sipas tyre, viktima ishte një ndër djemtë më të qetë të fshatit, ndryshe nga fjalët që thuhen për autorin e masakrës. Njëri prej shokëve të Romarios tregon se ngjarja e rëndë nisi fillimisht në ambientet e lokalit të fshatit ku viktima dhe autori ishin duke luajtur “playstation”.

Ka qenë një debat i momentit që më pas ka agravuar në përdorimin e mjeteve të mprehta. Me lot në sy dhe i tronditur nga ngjarja fatale për të riun, shoku i tij pohon se ai është goditur disa herë barbarisht me thikë në qafë, ndërsa shton se viktima me autorin nuk ishin shokë me njëri-tjetrin. Madje, sipas tij, 15-vjeçari ishte problematik.

Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 20:30 të së enjtes në qendër të fshatit Qatrom, ndërsa mëngjesin e djeshëm blutë e Korçës kanë arrestuar autorin e masakrës, A.F, 15 vjeç. Dje i është dhënë lamtumira e fundit të riut që gjeti vdekjen, ndërsa të afërmit e tij kërkuan dënimin maksimal. Ata janë mjaft të revoltuar, pasi autori është i mitur dhe ligji i favorizon ata për dënime më të buta se personat madhorë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura