Vrasja në Shijak, mjeku Shpëtim Doksani: S’ka vrarë Dritani, por alkooli

Oct 17, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Pak dite me pare ne Shijak, 41-vjeçari Dritan Petova qëlloi me çifte automatike gruan e tij Zara Petova, 35 vjeçe, dhe më pas babain e saj, Ismet Leka, 72 vjeç. Pas këtyre dy vrasjeve, autori ka hipur në një shtyllë dhe ka kërcënuar me vetëvrasje, fundi i së cilës, siç u bë menjëherë publik në media, ishte i keq. Sipas dëshmitarëve, u tha se autori, pasi kishte parë se çfarë kishte bërë, kishte kaluar në gjendje shoku.

Dr. Shpëtim Doksani mjek adiktolog
Dr. Shpëtim Doksani
mjek adiktolog

Bashkëshortët ishin në proces divorci, por siç u kuptua kjo gjë nuk pranohej lehtë nga 41-vjeçari. Mirëpo, kjo histori ka nisur prej kohësh. Arsyeja fillestare duket se ka qenë alkooli e ndoshta, më pas, vështirësitë ekonomike vetëm sa e kanë rënduar edhe më. Sot do ta shohim ngjarjen në një tjetër këndvështrim, në atë se si duhej parë që përpara se të ndodhte, por që me siguri, do t’i shërbeje dikujt tjetër, që mund të gjendet në situata të ngjashme e që befas, mundësia e kurimit mund ta shpëtojë. Petova ka qenë pacient i dr. Shpëtim Doksanit, mjekut adiktolog-toksikolog.

E ka ndjekur atë në mënyrë ambulatore, që kohë më parë. Ndjek sot shumë të tjerë në klinikën trajtuese të vartësisë alkoologjike. 50 % e tyre ia dalin të kapërcejnë gjithçka. Të tjerë, largohen, kthehen sërish, por janë sidoqoftë më mirë. Kanë pranuar veten dhe duan ta përmirësojnë. Ajo çka sipas doktorit ngelet faza më e rëndësishme në këtë proces, është familja. Nëse do të ishte mbështetur nga bashkëshortja, nga familjarët, ende pa u përkeqësuar gjendja, as Dritan Petova dhe dy viktimat e tij, nuk do të kishin pasur fatin që patën. Por, çfarë të bëjmë, si të sillemi me këta njerëz? Si do t’i ndihmonim më mirë? Si do të parandalonim kasaphanën? E mundur është, duhet të gjendet vetëm mënyra e duhur.

Zara Petani
Zara Petani

Doktor, çfarë dini për rastin konkret? Ç’marrëdhënie kishte vrasësi dhe i vetëvrari me alkoolin?

Pikërisht kjo është edhe gjëja e parë që doja të thosha, që ai nuk ka qenë as vrasësi e as i vetëvrari, të gjitha i ka shkaktuar alkooli. E kuptoj ankthin dhe frikën e familjarëve në situata kritike, por numri i policisë, nuk është i pari që duhet të formojnë. Nuk po i referohem tashmë situatës konkrete, por të tjerëve që mund të gjenden në situata të ngjashme. Nuk di se sa informacion kanë njerëzit, por ka një klinikë të specializuar në Shqipëri që është në shërbim të tyre. Ndoshta nuk mjafton, por është e vetmja që kemi.

A ishte trajtuar Emiljano te ju?
E kam trajtuar në rrugë ambulatore, ka bërë 2-3 konsulta.

Si vijnë këta njerëz te ju? Si ndërgjegjësohen në një moment të caktuar që gjendja e tyre nuk është e mirë?
Rasti konkret ka ardhur i shtyrë nga një shok i tij, ish i trajtuar në klinikën tonë.

A ishte Emiljano i vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhej? Çfarë ju thoshte?
Përsëriste gjithmonë të njëjtën gjë: familja nuk më kupton. Edhe në rast se përpiqem të bëj një gjë të mirë apo të tregoj afeksion, më përbuzin, nuk marrin asgjë seriozisht.

Ismet Leka, i vrarë nga dhëndri, Dritan Petani
Ismet Leka, i vrarë nga dhëndri, Dritan Petani

Ai ushtronte dhunë mbi bashkëshorten. A pendohej të nesërmen për atë që bënte?
Pendohej po, sepse siç thashë edhe më parë, nuk dhunonte ai, por alkooli. Gjëja më e mirë në këto raste është komunikimi. Familjet, vërtet nuk i kuptojnë ose nuk dinë si të sillen e çfarë të bëjnë me njerëzit e tyre të afërm. Ne i patëm kërkuar Emiljanos që të vinte në konsulta edhe bashkëshortja në mënyrë që t’i ndihmonin, por ajo nuk pranoi asnjëherë, refuzonte. Pra nuk ndihej asnjëherë i përkrahur.

Por, si duhet të sillen këta njerëz me një situatë të panjohur që është pothuajse gjithnjë jashtë kontrollit? Çfarë duhet të bëjnë?
Duhet të evidentojnë së pari problemin dhe përmasat e tij. Duhet të ndërgjegjësohen që kemi të bëjmë me një sëmundje neurobiologjike me risk të lartë social. Së dyti, duhet bërë strukturimi socio-ekonomiko-kulturor, duhet ndërtuar nga fillimi, dhe këtë mund ta studiojë e ta përmirësojë vetëm familja.

Si, konkretisht?
Duhet të kuptojnë se ç’do të thotë i dehur dhe të dinë se ç’është në gjendje të bëjë ky njeri në një situatë të tillë. Pra, të studiojnë veprimet e të dehurit që kanë në familje. A paraqet gjithnjë të njëjtat çrregullime? Duhet evidentuar perspektiva e “huqeve” të tij, pra, konkretisht a merr para nga shtëpia, a bëhet i dhunshëm, a flet shumë… Në bazë të rezultateve, duhet kërkuar edhe ndihma e posaçme. Ka pa fund njerëz të specializuar në këtë vend që nuk dimë se ku janë, pa fund të diplomuar për probleme sociale, qindra psikologë, pa fund shoqata që nuk shohim çfarë bëjnë e ku janë. Jo për të akuzuar njeri, por për të ndihmuar të gjithë, ata që mundemi të shpëtojmë, le të bëhen aktivë këta njerëz. Ka qendra të specializuara që ndoshta s’ka informacion askush. Pra, puna e parë që duhet të bëjnë është t’u drejtohen këtyre mekanizmave socialë e jo menjëherë policisë.

Dritan Petani, që vrau bashkëshorten dhe vjehrrin
Dritan Petani, që vrau bashkëshorten dhe vjehrrin

Si janë shifrat në Shqipëri, a janë shumë njerëz të rrezikuar?
1 në 7 familje ka patjetër një të prekur nga alkooli. Janë 150 mijë të varur, është shifër e frikshme dhe këtu nuk po llogarisim konsumatorët e shpeshtë të alkoolit, një herë në javë po them, që mund të bëjnë namin, pikërisht në atë ditë. Në botë, për shkak të alkoolit, dhuna në partneritet është 11% ndërsa këtu te ne, kaq pak sa jemi, është 54%. Ky rezultat doli pas një studimi me 500 kampionë, të shtrirë në 5 vite në shërbimin e alkoologjisë në QSUT, ndërmarrë nga unë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik.

Familja nuk reagoka në mënyrën e duhur. Po shoqëria, ç’rol ka në gjithë këtë? A është ajo nxitëse, apo frenuese e problemit?
Është kryesisht nxitëse, niveli dihet, por po të funksiononte familja, hallka e parë, po të ishte në gjendje ajo të krijonte klimën e duhur, do të ishin më pak të rëndësishme hallkat e tjera.

Pse pinë këta njerëz, çfarë thonë, çfarë i mundon?
Në filma ne shohim rrethe (klube) të alkoolizuarish anonimë që kanë vendosur të heqin dorë, që rrëfehen mes njëri-tjetrit. A e ofroni edhe ju një mundësi të tillë për pacientët, a flasin ata? Po, patjetër dhe kjo është gjëja më rezultative që kemi. Çdo të martë dhe të premte është seanca e këtyre takimeve gjatë të cilave secili tregon përvojat e tij. Mendoj që është gjëja më e mirë që kemi arritur.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura