Vrasja në pritë e marangozit, dyshohet sherri për një femër në plazh. Identifikohen autorët

Jul 12, 2015 | 7:37
SHPËRNDAJE

UPDATE/Policia ka arritur të identifikojë autorët e vrasjes së 30-vjeçarit Edmond Thodhori në Sarandë. Kjo konfirmohet nga burime pranë grupit hetimor, të cilët bëjnë të ditur se është ngushtuar edhe rrezja e kërkimit për ta. Në ndihmë të oficerëve të krimeve të rënda të Policisë së Sarandës, janë edhe specialistë nga Vlora, të kryesuar nga nëndrejtori i Policisë së Qarkut.

Për të dokumentuar ngjarjen, policia ka marrë në pyetje deri tani rreth 40 persona. Ata janë kryesisht shokë të viktimës që ishin konfliktuar një natë para vrasjes me shtetasin kosovar që ka porositur vrasjen, si dhe dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes, një pjesë e mirë e të cilëve janë biznesmenë.

Oficerë të krimeve janë rikthyer sërish të shtunën në vendin e ngjarjes, e pikërisht në një hotel aty pranë, për të pyetur në lidhje me autorët, ndërkohë që janë sekuestruar pamjet e disa kamerave të sigurisë pranë vendit ku ndodhi krimi.

 Sipas burimeve policore, autorët kanë lënë mjaft gjurmë në automjetin e viktimës, pasi në tentativë për të ndaluar 30-vjeçarin, kanë prekur xhamat e makinës apo edhe timonin, të cilin e kanë bllokuar për të mos lëvizur. Autorët kanë përdorur edhe një shkop bejsbolli për të thyer xhamat e mjetit e më pas njëri prej tyre ka futur dorën duke qëlluar me pistoletë Edmond Thodhorin.

Lidhur me dinamikën e ngjarjes, konfirmohet se 30-vjeçari Thodhori nuk arriti të dalë fare nga makina. Autorët e sulmuan atë sapo ai u fut brenda për të ikur dhe ndaj përdorën shkop për të thyer xhamat, pasi ata ishin të mbyllur. Madje viktima ka kryer lëvizje jo të kontrolluara mirë të mjetit, për shkak se autorët e kishin rrethuar nga të katërta anët, derisa thyen xhamin dhe e qëlluan me armë.

Pas ngjarjes, Policia mbajti për shumë orë të bllokuar aksin Turizëm-Kanali i Çukës, duke shkaktuar edhe trafik të rënduar për shkak të lëvizjeve në kulmin e sezonit turistik. Ngjarja tronditi të gjithë zonën, pasi lëvizjet në atë moment kanë qenë të shumta.   

Sherri për një femër

Sherri i nisur një ditë më parë për një femër në plazh dyshohet se është shkaku i vrasjes së 32-vjeçarit Edmond Thodhori (Mehmeti) në Sarandë. I riu u qëllua me një plumb në zemër, në orën 01:00 të se premtes, në rrugën “Turizëm-Kanali i Çukës”.

Viktima Edmond Thodhori

Autorët dyshohet të jenë miq të kosovarit me të cilin u konfliktua një ditë para krimit viktima, gjatë kohës kur ndodhej në plazh.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura