Vrasja në Patos/ “Viktima u kap në krevat me motrën e policit, i shkonte dhe te fshati i burrit. Kur nëna e gjeti vajzën…”

Dec 21, 2019 | 8:51
SHPËRNDAJE

patos

Lidhja e dashurisë mes viktimës, Manol Rapaj, dhe motrës së autorit të krimit të dyfishtë, Martin Skendaj, dyshohet se është shkaku i vetëm i tragjedisë që ndodhi dy ditë më parë në Patos.

Prej kohësh, mes dy të rinjve kishte nisur një histori dashurie, por nuk pranohej nga prindërit e vajzës. Kur e kanë marrë vesh familjarët për lidhjen e fqinjëve, e martuan vajzën në fshatin Panahor të Ballshit, duke shpresuar shkëputjen e tyre. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Edhe te fshati i burrit, Rapaj, nga fshati Kuqar, i Patosit, shkonte e takonte në fshehtësi nusen e re, duke shkaktuar telashe dhe atje e duke bërë më pas që i shoqi ta ndajë për tradhti. Pasi u kthye në fshat, lidhja mes motrës së autorit dhe Manol Rapajt vazhdoi e qetë për disa kohë, por kur nëna e Rapajt i ka gjetur në një dhomë, në shtëpinë e saj, ka nisur një sherr i ri.

Kjo bëri që tri ditë para vrasjes, familjarët të përleshen mes tyre, duke u rrahur brutalisht me leva, sëpata e mjete të tjera të forta. Policia ka mbërritur për t’i ndarë dhe ka shpresuar se gjërat mes tyre do të qetësoheshin, megjithatë ditën e enjte gjithçka shkoi drejt një ngjarjeje fatale. Nga ana tjetër, familjarët e Rapajt kanë vijuar të bëjnë me faj Policinë, e cila, sipas tyre e mori vesh konfliktin dhe nuk mori masa për të parandaluar vrasjen.

DESHMITE 

Historia e lidhjes së motrës 23-vjeçare, që u kthye në shkak për tragjedinë e ndodhur dy ditë më parë në Patos, tashmë konfirmohet edhe nga banorët e fshatit Kuqar.

Sipas tyre, fajin për krimin që kreu 22-vjeçari Martin Skendaj e ka vajza e familjes. Ajo ishte e martuar dhe më tej vijonte lidhjen me Manol Rapajn, që janë edhe fqinj në fshat.

“Fajtore u bë çupa. Ajo ishte e martuar, i vinte në krevat natën këtij çunit, ishte beqar (viktima)”, ka deklaruar një bashkëfshatar i Manol Rapajt dhe autorit të ngjarjes në Patos, Martin Skendajt. Po ashtu, një banor i fshatit Kuqar, është shprehur se pak ditë më parë, dy familjet, Rapaj dhe Skendaj, ishin zënë me mjete të forta, konflikt ku kishte ndërhyrë edhe Policia. “Ajo ishte e martuar. Arriti që i gjeti e ëma e djalit atë botin, ja edhe tani ajo bërtet… E gjeti në krevatin e djalit, aty filloi sherri. Lajmëruan Policinë, edhe parmbrëmë u rrahën me sëpatë. Shkuan në Polici. Edhe tani erdhën dhe morën të atin. Ai ruajti rastin dhe e vrau, por vrau edhe kushëririn që kishte ardhur nga Gjermania. Ata e zunë andej dhe e sollën. Ai erdhi këtu për të takuar kushëririn dhe dolën xhiro. Por u vranë. E mësuam në televizor, se kështu s’dimë gjë”, ka thënë banori.

NGJARJA 

Manol Rapaj, 26 vjeç, dhe kushëriri i tij, Elis Kapaj, 22 vjeç, u qëlluan për vdekje pas një sherri nga polici i burgjeve, Martin Skendaj. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:20 të së enjtes brenda ambienteve të Poliklinikës së Patosit.

Dëshmitarët okularë treguan për Policinë se pasi janë dëgjuar zëra dhe të bërtitura me sharje dhe ofendime e më pas përleshje mes tre personave në hyrje të poliklinikës, njëri prej tyre ka shkrehur armën, duke i lënë të mbytur në gjak.

Fillimisht u dyshua se tre të rinjtë u përplasën për radhën e shërbimit te mjeku, por më pas hetimet zbuluan se gardiani i burgut, 22-vjeçari Martin Skendaj, dhe dy të rinjtë e tjerë kanë pasur debat, pasi autori refuzonte një lidhje dashurore mes motrës dhe njërit prej viktimave, pikërisht shtetasit Manol Rapaj, i cili njihet edhe me emrin Sabri Rrapaj. Duke qenë në kushtet e mospranimit, Martin Skendaj i ka tërhequr disa herë vëmendjen shtetasit Rapaj të heqë dorë nga motra e tij, por kjo gjë nuk ka ndodhur dhe familjet kanë hyrë në sherr më njëra-tjetrën, derisa ndodhi ngjarja e dy ditëve më parë.

PANORAMA.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura