Vrasja në Lezhë, dyshohet konflikt çasti

Jul 7, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Vrasja e 23-vjeçarit në Lezhë konsiderohet si e tipit mafioz për nga mënyra e kryerjes së saj. Gjithçka ka ndodhur në harkun e dy minutave.

Pasi i riu që po ecte në trotuar është qëlluar nga një mjet në ecje, autori ka dalë nga makina duke e qëlluar brenda në lokal sërish me një plumb tjetër në kokë. Kristian Marku ka mundur të futet në lokal në gjendje të plagosur e të kërkojë ndihmë, por, siç duket, autorit i duhej vdekja e tij.

Viktima Kristjan Marku

 Ndaj, për t’u siguruar se shënjestra kishte vdekur, ai ka dalë me shpejtësi nga mjeti duke e qëlluar me plumb në kokë në hyrje të lokalit, në sy të dhjetëra klientëve të tjerë. Të paktën 16 persona janë shoqëruar nga Policia e Lezhës dhe po merren në pyetje, për të hedhur më shumë dritë mbi vrasjen e 23-vjeçarit dhe plagosjen aksidentale të 38-vjeçarit Altin Gjoni.

Gjithashtu Policia e qarkut të Lezhës ka vënë në dispozicion shumën prej 5 mijë eurosh për çdo person, që ka informacion mbi autorin e vrasjes. Në njoftimin e Policisë thuhet se garantohet anonimati i plotë i informatorit dhe është vënë për kontakt numri 0694106451. Në lidhje me këtë ngjarje janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të bizneseve, ku ndodhi ngjarja në lagjen “Besëlidhja”, por pa mundur ende që të identifikohen autorët e atentatit.

Sipas Policisë, viktima Kristian Marku nuk njihej si person problematik, ndaj po hetohet pista e vrasjes pas ndonjë konflikti të çastit apo në ditët e fundit. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se mënyra e ekzekutimit të 23- vjeçarit me shpejtësi veprimi nga ana e autorëve është e tipit mafioz, pasi gjithçka ka ndodhur në harkun e 2 minutave.

Pas hetimeve të kryera rezultoi se, pasi është qëlluar dy herë me pistoletë nga automjeti, njëri prej autorëve të ngjarjes ka zbritur dhe e ka qëlluar sërish në kokë brenda në lokal viktimën. Pasi është siguruar se i riu kishte ndërruar jetë, autori ka hipur sërish ne automjet dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës së katedrales. Në vendin e ngjarjes grupi hetimor ka sekuestruar si provë materiale 4 gëzhoja pistolete, të cilat do të ekzaminohen në laborator.

***
Makina në ecje qëllon me armë drejt lokalit përplot me të rinj, vritet një kalimtar i cili dyshohet të ketë qenë shënjestra, si dhe plagoset rëndë një klient.

Foto nga vendi i ngjarjes ne Lezhe

Ngjarja e rëndë që tronditi mbrëmë Lezhën, sipas Policisë, ndodhi rreth orës 21:35, para lokalit “Libraria”. “Në trotuarin përballë kompleksit të shkollave në lagjen “Besëlidhja” është vrarë me armë zjarri shtetasi Kristian Marku, 23 vjec, banues në Lezhë dhe është plagosur e ndodhet në Spitalin e Lezhës me dëmtime të rënda shtetasi A.G., 38 vjeç banues në Tale, Lezhë.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punohet për identifikimin e autorit dhe rrethanat e krimit. Grupi hetimor po kryen veprimet në vendngjarje”, thuhej në njoftimin e Policisë së Lezhës për ngjarjen. Sipas të dhënave, ka qenë një mjet tip “Benz” pa targë që është afruar dhe në një distancë të afërt, pasagjeri i mjetit ka shtënë me armë zjarri pistoletë në drejtim të 23-vjeçarit Marku që ka qenë duke ecur në rrugë.

Pesë herë është qëlluar në drejtim të tij, por, sipas të dhënave, viktima ka pësuar dy plagë, njëra prej të cilave në kokë. Plumbat e tjerë në drejtim të viktimës kanë përshkuar në lokalin që ishte me verandë të hapur, duke lënë të plagosur klientin 38-vjeçar, Altin Gjonaj.

Ky i fundit është qëlluar me një plumb dhe ndodhet në Spitalin e Lezhës në rrezik për jetën. Ngjarja ka shkaktuar panik, pasi dhjetëra të rinj të tjerë u rrezikuan prej plumbave që vinin nga trotuari në drejtim të tyre. 

Foto nga vendi ku ndodhi vrasja ne Lezhe

Sipas dëshmitarëve, i viktima, ka tentuar t’u shpëtojë plumbave dhe të futet brenda në lokal. Ai ka mundur të bëjë pak metra në gjendje të plagosur dhe është rrëzuar në hyrje të lokalit para dhjetëra klientëve të tjerë. Pas rrëmujës momentale kur çdokush tentoi të shpëtonte kokën e tij nga plumbat, ata më pas kanë sinjalizuar Policinë dhe nxituan t’i jepnin ndihmën e parë viktimës. Por ai kishte dhënë shpirt, ndërsa një klient tjetër i përgjakur ka kërkuar ndihmën e tyre. 

Lokali ku ndodhi atentati

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura