“Flitej për shuma të ndryshme parash”/ Telefoni i viktimës zbulon motivin, krimi në shtëpinë e Marsida Qatjas u dyshua për xhelozi, por e vërteta qenka kjo

Oct 30, 2019 | 10:36
SHPËRNDAJE

Sa më shumë thellohen hetimet për vrasjen e ndodhur 20 ditë më parë në shtëpinë e Marsida Qatjas në Kavajë, aq më shumë zbehet motivi i xhelozisë, që u dyshua fillimisht si shkaku i përplasjes me armë.

Marsida-Qatja-dhe-te-dashurit-1

Këqyrja e celularit të viktimës ka nxjerrë në pah detaje të tjera, që duket se po i orientojnë hetimet drejt një konflikti të mëparshëm mes Dritan Haxhollit që mbeti i vrarë dhe ish-oficerit të Burgjeve, Bledar Toçit, i cili mbeti i plagosur e njëkohësisht ndodhet nën arrest si autor.

Burime nga grupi hetimor thanë se në telefonin e Haxhollit janë zbuluar mesazhe që ai ka shkëmbyer vazhdimisht me Toçin, ku flitej për shuma të ndryshme parash. Para që, sipas hetuesve, kanë të bëjnë me shitje kokaine, nisur edhe nga fakti se viktima ishte përdorues.

Burimet shtojnë se aty janë gjetur edhe komunikime në formë kërcënimesh që Haxholli kishte shkëmbyer edhe me persona të tjerë në Kavajë, të cilëve u kërkonte para. Po kështu, edhe në telefonin e të dyshuarit, Bledar Toçi, janë gjetur sms të shkëmbyera me viktimën.

DROGA 

Një ditë pas ngjarjes, hetimet për krimin e rëndë që ndodhi në Kavajë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 41-vjeçari Dritan Haxholli në banesën e ish-së dashurës, nisën të zgjeroheshin edhe në fushën e narkotikëve.

Prokuroria i kërkoi veprime shtesë Policisë së Kavajës, pasi nuk kishin mbledhur prova të nevojshme për mbetjet e lëndës narkotike, të llojit kokainë, që u gjet në sallonin e apartamentit të Marsida Qatjas, ku u vra Dritan Haxholli.

Nga ana tjetër, vetë 30-vjeçarja ka deklaruar para oficerit të Policisë Gjyqësore se është përdoruese e drogës dhe me raste të rralla përdor kokainë. Madje, ka deklaruar se edhe natën kur ndodhi ngjarja, ka përdorur kokainë, duke theksuar se nuk e kishte blerë ajo, por e kishte gjetur në pjatë, ku e kishte vendosur miku i saj, Xhuljo.

MASA E SIGURISE 

Gjykata e Kavajës, më 17 tetor, pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Marsida Qatjan, pas vrasjes së Dritan Haxhollit në banesën e saj, ku nga hetimet rezultoi se ishte konsumuar edhe kokainë. Për përshtatje të ambienteve për përdorim droge, Prokuroria nisi zyrtarisht hetimet ndaj Qatjas, duke kërkuar për të “detyrim paraqitje”.

Gjithashtu, Prokuroria ka sekuestruar edhe pasaportën e Qatjas, pasi ka pasur informacion se do të dilte jashtë vendit dhe i ka kërkuar të mos flasë më në media për ngjarjen, pasi është person që ka dijeni dhe mund të dëmtojë hetimet.

Nga ana tjetër, Gjykata ka urdhëruar shërbimet sociale në Bashkinë e Kavajës që të monitorojnë fëmijët e Marsida Qatjas. Për fëmijën 2-vjeçar, që ajo ka nga martesa e dytë, është vendosur që të ketë kujdestari të përbashkët me prindërit e saj, duke qenë se bashkëshorti ndodhet në burg në Gjermani dhe e ka të pamundur të ushtrojë kujdesin prindëror. Ndërsa për dy fëmijët që ajo ka nga martesa e parë, ndonëse Gjykata në vendimin e divorcit ia kishte lënë asaj në kujdestari, tashmë do të kujdeset edhe ishbashkëshorti i Marsidës. Megjithëse vetë ky person nuk ka pasur asnjë kundërshtim për sjelljen e saj karshi djalit 14 vjeç e vajzës 9 vjeçe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura