Vrasja në ish-bllok/ Apeli la në burg Martinajn, avokati tregon se …

Oct 23, 2018 | 9:22
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të lërë në burg Ervis Martinajn dhe Eljon Haton, dy të plagosurit e përplasjes me armë në lokalin “Monopol” në ish-Bllok.

Martinaj ngul këmbë që nuk ka të bëjë aspak me përplasjen me armë që i mori jetën truprojës së tij, Fabian Gaxhës.

avokati i martinajt

Seanca gjyqësore në Apel u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati një orë. Apeli vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Martinajn dhe Haton, të cilët akuzohen së paku për “armëmbajtje pa leje”.

Në përfundim të seancës, avokati i Martinajt, Mirash Martini, kundërshtoi hapur dyshimet se Martinaj ishte i pajisur me armë dhe se armën e tij e fshehu pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, Redi Popesku. Ai madje e cilësoi manipulim një gjë të tillë. “Nuk është e vërtetë që Ervis Martinaj ka pasur armë zjarri. Ai jo vetëm që nuk ka pasur armë, por është edhe person që nuk është përfshirë në konflikt. Është manipulim që Redi Popesku paska fshehur armën e Martinajt”, tha avokati Martini për mediat në përfundim të seancës.

Ndërkohë, Ervis Martinaj është transferuar tashmë në paraburgim, ndërsa Eljon Hato është ende në spital në gjendje të rëndë. Në dëshmitë e tij, Martinaj nuk e ka pranuar asnjëherë përfshirjen në konflikt, duke e cilësuar atë si përplasje ordinere mes Fabian Gaxhës dhe Meviol Bilos, që është në kërkim.

 

martinaj1

“Nuk ka të dhëna se Martinaj ishte i përfshirë në konflikte. Sherri ka qenë mes dy personave, Fabjan Gaxhës, i cili është konfliktuar në mënyrë verbale me komandon që nuk njihej nga Martinaj. Martinaj nuk ka pasur lidhje me këtë ngjarje. Ervis Martinaj ka pasur marrëdhënie korrekte me Ervin Matën, janë takuar në lokal. Ai të vijë dhe të japë sqarime, sepse nuk rezulton që të ketë pasur konflikt mes Ervin Matës dhe Ervis Martinajt. Në sherr nuk ishte i përfshirë klienti im. Ka qenë i pranishëm, por s’ka qenë pjesë e sherrit. Në sherr janë përfshirë Gaxhaj dhe ai që është identifikuar si komando”, ka thënë disa ditë më parë avokati i Martinajt.

Ndërkohë, dy ditë më parë është arrestuar nga Policia Redi Popesku, pronari i lokalit ku ndodhi përplasja. Sipas Prokurorisë, dyshohet se Popesku ka kryer veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës për ngjarjen. Ai madje akuzohet edhe se ka tentuar të fshehë armën, që dyshohet se i përkiste Ervis Martinajt.

Përkundër dëshmive të personave që janë përfshirë në konflikt, Prokuroria dyshon se përplasja me armë mund të ketë ardhur mes Ervin Matës dhe Ervis Martinajt. Në këtë konflikt mbeti i vrarë Fabian Gaxha, si edhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hato në njërin krah.

Ndërkohë, Policia ka në kërkim Meviol Bilon dhe Ervin Matën si dy të dyshuarit kryesorë. Gjithashtu kërkohet edhe dëshmia e këngëtares Elvana Gjata, e cila është e fejuara e Matës dhe mund të ketë dijeni për përplasjen.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura