Vrasja, Nazime Visha kërkon sërish amnisti në Gjykatë

Feb 6, 2016 | 10:56
SHPËRNDAJE

TIRANE – Nazime Visha tenton sërish të përfitojë nga amnistia. E dënuara për vrasje i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me kërkesën për amnistimin e kohës së mbetur të dënimit të dhënë ndaj saj.

Kërkesa penale është regjistruar në Gjykatë në datën 4 shkurt 2016, dhe pritet të merret në shqyrtim nga gjyqtari Sokol Tona. Kjo nuk është hera e parë që Nazime Visha kërkon amnisti. Edhe më herët, në vitin që shkoi, e dënuara për vrasje kërkoi amnistinë në Gjykatë.

Nazime Visha ne gjyq
Nazime Visha ne gjyq

Pasi padia e Nazimes u shqyrtua nga Gjykata për disa muaj, ajo u tërhoq për arsye të mungesës së motivacionit dhe të bazës ligjore. Edhe në shtator të vitit 2015, e dënuara paraqiti kërkesë për “amnisti”, ndërsa padia e saj u shqyrtua nga gjyqtari Sokol Tona.

Pasi vuri në lëvizje Gjykatën me kërkesën e saj, Nazime Visha dhe avokati mbrojtës nuk u paraqitën në proces, duke sjellë pushimin e shqyrtimit gjyqësor. Nazime Visha tentoi të përfitonte lirinë dy muaj pas dënimit me 10 vjet burg në Apel.

Pasi dënimi i saj mori formë të prerë në Apel, Ministria e Drejtësisë i përcolli Presidentit të Republikës një kërkesë për faljen e Nazime Vishës.

Kërkesa ishte bazuar në letrën e disa personazheve publikë që kërkuan faljen e vajzës që vrau dhunuesin e saj, Fiqiri Muça, në vitin 2013. Në ditët e fundit të dhjetorit 2013, Presidenti e ktheu dosjen, me argumentin se dokumentacioni shoqërues i saj ishte i paplotë.

Në nëntor të vitit 2014, Gjykata e Tiranës pranoi një tjetër kërkesë të Nazimes për ulje dënimi, duke i ulur asaj 90 ditë. Referuar llogaritjeve, Vishës i kanë mbetur për të vuajtur afërsisht edhe rreth katër vjet burg.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura