Vrasja e të miturit shqiptar në Londër, kapet autori i dyshuar

Dec 1, 2015 | 18:55
SHPËRNDAJE

Policia britanike ka arrestuar një person të dyshuar për vrasjen e shqiptarit 17-vjeçar, Vaso Kakos në Veri të Londrës.

Vaso kakoVaso Kako është adoleshenti i 14-të që është vrarë me thikë këtë vit në Londër. Mirëpo, “The Guardian” raporton se vrasësi i shqiptarit është arrestuar ditën e djeshme, dhe se ai është një 20-vjeçar.

Arrestimi i autorit ndodhi në qytezën Bongor Regis, në Suseksin Perëndimor. Vrasja ndodhi ditën e hënë, më 23 nëntor, në Hollouei të Londrës, pranë stadiumit të Arsenalit.

Policia shkoi në vendngjarje, por 17-vjeçari kishte ndërruar jetë. Sipas autopsisë, ai ishte qëlluar me thikë në qafë dhe kishte humbur një sasi të konsiderueshme gjaku.

Vëllai i tij, Bruno Kako, 25 vjeç, tha për “Evening Standard” se vëllai i tij ishte një person mjaft pozitiv dhe nuk krijonte probleme.

“Ai ishte një njeri i dashur, gjithmonë i qeshur dhe kishte dëshirë të dilte dhe të njihej me njerëzit. Ishte mjaft bujar me shokët dhe familjen.

Nuk e kam idenë përse mund të jetë vrarë, pasi nuk ishte njeri konfliktual”, tha ai.  Ndërkohë, ende nuk dihet motivi i vrasjes së 17-vjeçarit shqiptar, por hetimet vazhdojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura