Vrasja e studentes 20-vjeçare në Greqi, Policia zbardh detajet e reja: Si e kuptuam që në fillim se autori ishte bashkëshorti! Pyeti për t’u siguruar se…

Jun 18, 2021 | 10:39
SHPËRNDAJE

policia-greqi-vrasja

Detaje të reja dalin në dritë lidhur me vrasjen e studentes 20-vjeçare Caroline Crouch në Greqi nga bashkëshorti i saj. Në një deklaratë për mediat greke, Drejtori i Policisë së Attikës, George Kalliakmanis tha se autoritetet e kuptuan që në fillim se 32-vjeçari Babis Anagnostopoulos ishte vërtet vrasësi i studentes.

Sipas tij, oficerët e policisë e kuptuan që kur hynë në shtëpi se vrasësi ishte bashkëshorti duke marrë indicie nga gjakftohtësia e tij. Në dhomën ku u gjet 20-vjeçarja e pajetë, bashkëshorti kishte zbrazur dollapin duke e bërë të dukej sikur ishte një grabitje.

“Policia hyri në shtëpi dhe gjithçka ishte në rregull. Zakonisht kur hajdutët hynë në banesa, ata bastisin gjithçka dhe shkaktojnë rrëmujë. Pasi erdhën efektivët dhe liruan 32-vjeçarin, ai pyeti menjëherë nëse gruaja e tij kishte vdekur ose jo e më pas mori në krah foshnjën 11-muajshe” – tha drejtori i policisë.

Një prej efektivëve, duke u nisur nga sjellja e të riut, dyshoi se ai mund të ketë kryer vrasjen, ndaj ja mori fëmijën nga dora. Një tjetër detaj që i ka bërë ata dyshojnë tek Babis Anagnostopoulos është fakti se atë e gjetën të lidhur në karrige.

“Ai më kërkoi që ta zgjidhja. Unë ja preva litarët por nuk arrita ta kuptoj nëse ai ishte lidhur nga të tjerë apo ishte i lidhur vetë, nuk i pash nyjet e litarit” – tha një efektiv policie.

Dyshime ka ngritur dhe vrasja e qenit. Policia thotë se qenin e gjetën të lidhur duke shtuar se është e çuditshme që dikush mban një kafshë brenda shtëpisë dhe e lidh me zinxhir.

BASHKËSHORTI I STUDENTES IU “DORËZUA” POLICISË

Mediat greke shkruajnë se i riu në njëfarë mënyre iu dorëzua policisë. Ditën e djeshme, pas 8 orësh pyetje në komisariat, ai rrëfeu gjithçka pasi efektivët e policisë nuk bindeshin për gënjeshtrën e tij mbi grabitjen.

“Unë e vrava atë… do ju tregoj gjithçka me detaje” – mësohet të ketë thënë 32-vjeçari.

Ai shpjegoi se si bashkëshortja e kërcënonte se do të largohej me fëmijën duke i kërkuar divorcin. Më pas, 32-vjeçari i lidhi gojën dhe e mbyti me jastëk. Për të bërë më të besueshme versionin e grabitjes, ai mbyti dhe qenin 7 muajsh.

TEKNOLOGJIA “FUNDOSI” TË RIUN

Edhe pse nuk kishin nevojë që t’i tregonin provat teknologjike, ishin pikërisht ato që vërtetuan plotësisht autorësinë e krimit. Së pari, nga ekspertiza që i është bërë të gjitha provave, ora biometrike e 20-vjeçares regjistroi një rritje të shpejtë në rrahjet e zemrës së saj gjatë kohës së krimit dhe më pas kjo shenjë jetike u ndal.

Së dyti, rezulton se bashkëshorti ka dhënë deklaratë të rremë. Ai është shprehur në polici se grabitësit hynë në shtëpi dhe e kanë lidhur me litar, por nga analizimi i celularit të tij, aplikacioni që mat hapat e bërë, ka regjistruar lëvizje të tij nëpër shtëpi. Së treti, kamerat e sigurisë rreth shtëpisë duket sikur nuk kanë regjistruar momentin kur kanë hyrë grabitësit, duke hedhur dyshimin se ato janë fshirë.

REAGIMI I ZV. KRYEMINISTRIT SHQIPTAR PËR VRASJEN

Fillimisht autoritetet greke, morën për bazë versionin që i tregoi i riu për grabitjen. Mediat greke shkruanin se dyshohet që pa “grabitjes” të jenë  emigrantë nga Shqipëria, Gjeorgjia dhe Rumania. Lidhur me këtë ka reaguar dhe zv.kryeministri shqiptar, Erion Braçe. Ai thotë se mediat greke duhet të kërkojnë falje pasi rezultoi se autorët nuk janë shqiptarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura