Vrasja e Pjerin Xhuvanit, dy drejtues e 6 policë nën akuzë! Kush janë zyrtarët e lartë dhe efektivët që gënjyen për krimin. AMP i zbulon pas një viti

Jun 28, 2022 | 9:55
SHPËRNDAJE

ENES MEMOLLA/ Më shumë se një vit nga vrasja e Pjerin Xhuvanit në qytetin e Elbasanit pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, tetë efektivë policie janë vënë nën akuzë në lidhje me ngjarjen.

-800-0-62a84eaa85c4b

Ndaj tyre janë caktuar masa më të lehta sigurie se ajo e “Arrestit me burg” si ajo e “Arrestit shtëpiak” dhe pezullimit nga detyra.

MASAT PËR DREJTUESIT E POLICISË

Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për rajonin Elbasan-Korçë njoftoi mbrëmjen e shkuar se ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë së Elbasanit dhe vendimin e Gjykatës atje për efektivët e Policisë, dy prej të cilëve me pozicione të rëndësishme në radhët e forcave të rendit.

Ata janë Albert Nushi, 55 vjeç, aktualisht zëvendësdrejtor për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë e Policisë Berat dhe Nikollaq Palla, ish-zëvendësdrejtor për Rendin dhe Sigurinë Publike në DVP Elbasan, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë së “Arrestit në shtëpi”.

Dy zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit kanë qenë të pranishëm mesditën e 21 prillit 2021 në vendin ku mbeti i vrarë mjeku, Pjerin Xhuvani, i cili ishte angazhuar në fushatë për Partinë Socialiste, ngjarje e cila ka ende dritëhije të shumta. Dy zyrtarët e Policisë akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe “Deklarim të rremë përpara oficerit të Policisë Gjyqësore”.

EFEKTIVËT E AKUZUAR

Në të njëjtën kohë, gjashtë efektivë policie pranë Drejtorisë së Policisë së Elbasanit janë pezulluar detyra, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Deklarimit të rremë përpara oficerit të Policisë Gjyqësore”.

Efektivët e hetuar dhe të pezulluar me urdhër të Gjykatës së Elbasanit nga ushtrimi i funksioneve publike, janë Dedjon Duraku, 30 vjeç, me detyrë punonjës policie në forcën e posaçme “Shqiponja”,

Pëllumb Biçaku, 33 vjeç, me detyrë punonjës policie në forcën e posaçme “Shqiponja”,

Erjon Balla, 26 vjeç, me detyrë punonjës policie në forcën e posaçme “Shqiponja”,

Erjon Meçja, 38 vjeç, me detyrë punonjës policie në forcën e posaçme “Shqiponja”,

Donald Dedja, 30 vjeç, me detyrë punonjës policie në forcën e posaçme “Shqiponja”,

Besmir Kadiu, 37 vjeç, me detyrë punonjës policie në forcën e posaçme “Shqiponja” në Elbasan.

“Vendimi është marrë në kuadër të hetimeve mbi ngjarjen e ndodhur më datë 21.04.2021 në qytetin e Elbasanit, ku si pasojë ka humbur jetën 1 shtetas dhe 4 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Nga shqyrtimi i akteve hetimore, Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan ka vlerësuar të drejtë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë ndaj shtetasve të mësipërm”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

VRASJA

Katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të shkuar, fushata elektorale në Elbasan u përgjak, duke lënë pas një të vdekur e katër persona të plagosur. Pjerin Xhuvani, me profesion mjek psikiatër dhe drejtues i një sërë institucionesh, mbeti i vrarë nga shtënat pas një përplasjeje të armatosur, ndërsa të vërtetat e atij momenti ende nuk dihen saktësisht.

Xhuvani, mjek dhe politikan lokal, ish-drejtues i LSI-së në Elbasan, por i afruar së fundmi me Partinë Socialiste, mbeti i vrarë në një konflikt me armë në lagjen “5 Maji” të qytetit, ndërsa 4 persona të tjerë u plagosën, mes të cilëve edhe Xhensila Sota, një efektive e Policisë që ndërhyri për të ndaluar konfliktin. Si autor i dyshuar i ngjarjes, u arrestua Arbër Papleka, ish-efektiv i Forcave Speciale, i cili ishte angazhuar pranë shtabit elektoral të Partisë Demokratike.

© Panorama.al

Te lidhura