Vrasja e oficerit të RENEA u porosit nga burgu, hakmarrje për vrasjen e Shurdhit

Jun 27, 2015 | 14:08
SHPËRNDAJE

Sulmi me armë ndaj forcave speciale RENEA në fshatin Lazarat dhe vrasja e një efektivi të kësaj njësie, dyshohet të jetë një hakmarrje për operacionin e vitit 2007, ku mbeti i vrarë Sabri Shurdhi.

Policia ne Lazarat

Efektivë të forcave speciale, por edhe ish-efektivë të këtij reparti, kanë pasur informacione edhe më parë që vëllai i Sabri Shurdhit, që aktualisht ndodhet në burg, Florian Shurdhi, po organizonte hakmarrjen për vrasjen e të vëllait më 7 shtator të 8 viteve më parë. Ky dyshim bëhet edhe më i arsyeshëm për forcat RENEA, duke qenë se ngjarja ndodhi në një kohë kur situata në Lazarat dukej më e qetë prej një viti.

Por edhe për faktin se grupi i armatosur ka qëlluar vetëm ndaj forcave RENEA, pasi ndaj tyre donin të hakmerreshin. Për disa orë me radhë, gjatë gjithë natës, personat e armatosur kanë qëlluar në kohën kur forcat e FNSH ndodheshin në fshat. Por të shtënat kanë qenë në ajër dhe në asnjë moment nuk është hapur zjarr ndaj Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Kolegët dhe eprorët e Ibrahim Bashës, efektivit që u vra mëngjesin e së mërkurës, dyshojnë se të shtënat kanë nisur pikërisht për të dërguar RENEA-n në Lazarat, madje është përdorur edhe një kurth. Edhe pse deri tani këto janë vetëm dyshime dhe ende nuk ka fakte konkrete që të vërtetojnë këtë motiv për ngjarjen, efektivët që marrin pjesë në operacionin e Lazaratit thonë se sa më shumë depërtojnë në fshat, aq më shumë përforcohet dyshimi i tyre.

DYSHIMET
Nga rindërtimi i vendit të ngjarjes, gjetja e provave, matjet dhe veprime të tjera hetimore që janë kryer dje, janë disa të dhëna që e lidhin sulmin ndaj RENEA-s me vrasjen e Sabri Shurdhit në vitin 2007. Personat e armatosur kishin zënë vend pranë memorialit të ngritur në kujtim të Sabri Shurdhit.

Memoriali i Sabri Shurdhit

Në atë zonë, ata kanë qëlluar mbi furgonin e RENEA-s, që për ta pasur në objektiv kishin siguruar edhe fushëpamjet e nevojshme duke shembur avllinë. Efektivët e forcave speciale dyshojnë se vendi nga ku është qëlluar nuk është zgjedhur rastësisht nga autorët e sulmit, por për të përcjellë një mesazh për Policinë e Shtetit.

“Ata kanë qëlluar për orë të tëra me armë. Por kanë qëlluar në ajër. Nuk goditën asnjë efektiv të Policisë lokale që ndodhej aty prej kohësh dhe as Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Ata kërkuan të tërheqin vëmendjen që aty të shkonte RENEA. Ne e dimë prej kohësh që ata inatin e kanë me ne. Janë betuar që do të marrin hakun e Sabri Shurdhit. Edhe vendin nga ku kanë qëlluar e kanë zgjedhur pranë memorialit të tij”, tregojnë disa prej efektivëve që marrin pjesë në operacionin e nisur prej dy ditësh në Lazarat.
ETLEVA DELIA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura