Vrasja e komisarit, prokuroria zbardh tabulatet: Stafuka komunikoi me të afërmit e Frrokut para dhe pasi u qëllua Dritan Lamaj

Apr 9, 2015 | 11:11
SHPËRNDAJE

Dy personat e akuzuar në Durrës për vjedhjen e makinës së përdorur në vrasjen e komisarit Dritan Lamaj në shkurt 2013, pas pafajësisë në Gjykatën e Faktit, po gjykohen në Apel.

Stafuka / Frroku pas lirimit

“Panorama” publikon sot detaje nga dosja e akuzes. Prokuroria ka bërë ankim ndaj vendimit të Gjykatës për pafajësinë e shtetasve Gentian Bejtja dhe Enver Stafuka (i zhdukur) duke pretenduar se ata duhet të dënohen me nga tre vjet burg secili pasi provohet se janë autorë të vjedhjes së automjetit BMW që u përdor në vrasjen e zyrtarit të Policisë në Tiranë.

Në lidhje me episodin e grabitjes së makinës në Durrës dhe përdorimin e saj në vrasjen e Dritan Lamajt në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda në pretencën e saj ndaj Arben Frrokut ka sqaruar versionin e saj për mënyrën si ka ndodhur ngjarja.

Në pretencën e paraqitur në Gjykatë, Prokuroria thekson se nga tabulatet e celularëve të dy personave të akuzuar për vjedhjen e makinës, ka dalë se ata kanë pasur komunikim me persona të afërt të Arben Frrokut para atentatit ndaj Dritan Lamajt

KOMUNIKIMET ME TË AFËRMIT E FRROKUT

Nga tabulatet e marra për numrin e celularit 06858xxx, në përdorim të Gentjan Bejtjes, rezulton se ai më datë 22.02.2013 në darkë ka qenë në zonën e njohur si “Misto Mame”, në Tiranë.

Rezulton nga analiza e tabulateve telefonike se Enver Stafuka, me numrin e celularit 06868xxx, ka komunikime me persona të përbashkët me të pandehurin Arben Frroku, e konkretisht:

– Me numrin e celularit 06868xxx, Stafuka në datat 20.02.2013 dhe 24.02.2013 ka komunikime me numrin celular 06857xxx dhe ky i fundit ka komunikime po në të njëjtën datë me numrin e celularit 0696003xxx, që i përket dëshmitarit Jak Jaku dhe ky i fundit ka me të pandehurin Arben Frroku, me numrin e celularit 0692053xxx.

– Me numrin e celularit 06868xxx, Stafuka në datë 23.02.2013, pas vjedhjes së makinës në Durrës, ka komunikime me numrin e celularit 0686325xxx, ky i fundit me numrin tjetër të celularit në posedim të tij, konkretisht 0684715xxx, ka komunikuar me të pandehurin Arben Frroku më datë 24.02.2013, në orën 12:02.

VJEDHJA E MAKINËS

Lidhur me makinën e përdorur në kryerjen e veprës penale, e konkretisht të autoveturës tip “BMW” me ngjyrë gri, me targë DR 1944 F, ajo rezultoi e vjedhur në qytetin e Durrësit, më datë 23.02.2013 rreth orës 19:50, pra një natë para ngjarjes ku u vra Dritan Lamaj.

Kjo makinë ishte në pronësi të dëshmitarit F. L., i cili së bashku me dëshmitarin B.S. u pyeten në këtë gjykim. Për vjedhjen e kësaj makine janë arrestuar shtetasit Enver Stafuka dhe Gentjan Bejtja nga Fushë- Kruja. Ata janë akuzuar në Durrës për këtë krim. Hetimi i kryer ndaj tyre provoi se shtetasit Enver Stafuka dhe Gentjan Bejtja kishin më datë 23.02.2013 në përdorim numrat celularë 06868xxxxx Enveri dhe 06858xxxx Gentjani.

Më konkretisht, Gentjan Bejtja së bashku me Enver Stafukën me të cilin është komshi në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, më datë 23.02.2013, rreth orës 19:30, kanë shkuar në qytetin e Durrësit me autoveturën foristradë tip “Sangion”, me targë AA xxx CY, në pronësi të Gentjanit dhe të drejtuar prej tij. Ata kanë vazhduar të lëvizin nëpër qytet me qëllim vjedhjen e ndonjë makine. Rreth orës 19:50 në rrugën që të çon te Komuna në lagjen Nr.8, Durrës, dëshmitari F. L. ka ndaluar autoveturën e tij tip “BMW”, ngjyrë gri, me targë DR 1944 F, përballë një dyqani ëmbëlsirash dhe ka zbritur prej saj, duke e lënë makinën të ndezur.

VJEDHJA E MAKINËS
Dëshmitari është futur në një dyqan aty afër, e në këtë kohë afër këtij vendi, kanë lëvizur Gentjan Bejtja e Enver Stafuka me makinën e mësipërme. Sapo kanë vënë re lëvizjet e dëshmitarit F. dhe faktin se makina e tij ishte vetëm dhe e ndezur, ata kanë vendosur ta vjedhin atë. Për të realizuar vjedhjen, Enver Stafuka ka zbritur nga makina që drejtonte Gentjani dhe ka hipur në makinën tip ”BMVV”, ngjyrë gri, me targë DR 1944 F dhe është nisur me shpejtësi në drejtim të autostradës Durrës-Tiranë, ndërsa Gentjani me makinën e tij duke e ndjekur nga pas.

Te stacioni i trenit në Durrës, në orën 20:00 të datës 23.02.2013, Gentjan Bejtja ka marrë në telefon me telefonin e tij celular 06858xxxxx bashkëpunëtorin Enver Stafuka me numër telefoni celular 06868xxxxx, i cili kishte vijuar rrugën në drejtim të Shijakut. Komunikimet e tyre me telefon kanë vijuar deri rreth orës 23:00 të datës 23.02.2013 dhe trajektorja e lëvizjes së tyre, pas vjedhjes, ka qenë e njëjtë, duke filluar nga Durrësi, Shijaku, Marikaj, Vora, Laknasi, Kamza e Fushë-Krujë.

MAKINA E VJEDHUR NË VRASJE
Disa minuta pas vjedhjes së makinës, dëshmitari F.L., i cili kishte lënë autoveturën e vjedhur edhe dy numrat e tij 0682021xxx e 0695718xxx, të vendosur në një telefon celular, ka tentuar të komunikojë me numrin e tij të celularit 0682021xxx. Pas dy zilesh dhe një mesazhi sipas dëshmisë së tij, dikush e ka mbyllur atë duke mos e hapur më.

Në bazë të përgjigjes së ardhur, në datë 20.03.2013 rezulton se numri i celularit 0682021xxx, më datë 23.02.2013, pas orës 20:00 ka loguar në antenat e kompanisë Laknas F në orën 20:23 dhe Kamza City D në orën 20:29, duke mos pasur më logime.

Antenat Laknas F dhe Kamza City D janë përshkruar në të njëjtën orë edhe nga numrat celularë 0685834xxx e 06868xxx në përdorim të Gentjan Bejtjes e Enver Stafukës, në komunikimet që kanë pasur me njëri-tjetrin, fakt i cili konfirmohet nga përgjigjet e ardhura për këta numra nga e njëjta kompani celulare. Gjatë hetimit u provua se numrat celularë të mësipërm kanë qenë në përdorim të shtetasve Gentjan Bejtja e Enver Stafuka.

TRAZHGIM SOKOLAJ

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura