Vrasja e Kaçifas/ Meta: Kambanë alarmi për të parandaluar pasojat e gjuhës së urrejtjes

Oct 30, 2018 | 19:11
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta e cilëson një “ngjarje të izoluara” vrasjen e Kostandinos Kaçifas dhe shton se këto ngjarje, duhet të na shërbejnë si një kambanë alarmi për të parandaluar dhe frenuar që në gjenezë pasojat e gjuhës së urrejtjes mes popujve tanë.

Në reagimin e tij, kreu i shtetit ndalet edhe te zhvillimet e tjera që solli kjo ndodhi.

Ilir-meta-per-kufijte

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi i pyetur sot nga mediat mbi ngjarjen e rëndë të Bularatit, nënvizoi se:

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke.

Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie.

Presidenti Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive.

Në të njëjtën kohë Presidenti Meta thekson se parulla e shfaqur dje në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu është jo vetëm e papranueshme, por thellësisht e dënueshme.

Një parullë e tillë antisportive dhe raciste është edhe një fyerje për korifenjtë e futbollit shqiptar që nderuan fanellën e ekipit tonë kombëtar duke patur kombësinë greke.

Sidoqoftë këto ngjarje të izoluara duhet të na shërbejnë si një këmbanë alarmi për të parandaluar dhe frenuar që në gjenezë pasojat e gjuhës së urrejtjes mes popujve tanë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura