Vrasja e ish-policit Santiago Malko/ Nipi i Çipurit jep dëshminë në gjyq për klanin “Duka”! Dyshimet e SPAK për Daut Elmazin: Do vëzhgonte…

Sep 14, 2021 | 13:40
SHPËRNDAJE

santiagomalko

Me pranga në duar, Daut Elmazi, u shoqërua nga qelitë e burgut për në ambientet e Gjykatës së Posaçme, për të dëshmuar në lidhje me të ashtuquajturin klani “Duka”, të akuzuar për vrasjen e ish-policit, Santiago Malko.

Sipas “News 24”, i dyshuari për atentatin ndaj Ines Hajrullës, në Vlorë, ai dëshmoi mesditën e së hënës në procesin ndaj Blendi Tetes, një prej dyshuarve për ekzekutimin e ish-policit Santiago Malko. SPAK-u ka dyshime se Elmazi ishte në kontakt me pjesëtarët e klanit kriminal të drejtuar nga Leonard Duka, për të vëzhguar lëvizjet e Ervis Martinaj, që e kishin vënë në shënjestër për ta vrarë. Por në pamundësi, për të gjetur Martinajn, SPAK-u thotë se klani “Duka” qëlloi për vdekje Malkon, të cilin e konsideronte si krahun e tij të djathtë.

Para Gjykatës së Posaçme, i paraburgosuri Elmazi, që është nipi i Armando Sulejmanit, i njohur si Çipuri, pranoi njohjen me të gjithë të pandehurit dhe kontaktet që ka pasur para dhe pas vrasjes së ish-policit. Ai ka folur për njohje me të shumëkërkuarin Leonard Duka, i cili akuzohet se organizoi vrasjen e Malkos. Ndërsa mohoi të kishte njohje me Famir Hysenit, i njohur si Doça, që dyshohet si personi që qëlloi për vdekje Malkon.

Megjithatë, në dëshminë e tij, i paraburgosuri Elmazi, refuzon kategorikisht të jetë paguar nga krerët e grupit kriminal apo të ketë dhënë informacion në lidhje me lëvizjet apo kontaktet e të shumëpërfolurit të botës sëkrimit, Ervis Martinaj. Dëshmitari mohoi kategorikisht të kishte të dhëna lidhur me shumën e parave që Dukët kishin vënë në dispozicion për këdo që jepte informacion.

ÇESHTJA NE GJYKIM

Seancat ndaj Blendi Tetës pritet të vijojnë me marrjen e dëshmive të reja, ndërsa të akuzuarit e tjerë për ekzekutimin e Malkos, do të gjykohen në një proces të ndarë, ndonëse shumica e tyre, janë në arrati. Nëna e ish-policit Malko akuzon Policinë se mbron pjesëtarët e grupit kriminal që i vranë të birin. Në mesin e korrikut, SPAK-u përfundoi hetimet dhe i dorëzoi Gjykatës dosjen penale ndaj vëllezërve Duka dhe anëtarëve të tjerë të grupit të tyre kriminal që ekzekutuan Santiago Malkon mbrëmjen e 27 gushtit 2019. Të pandehur për vrasje me paramendim janë marrë Leonard Duka, i vëllai Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni, Dritan Aga.

VRASJA E PLANIFIKUAR

Sipas SPAK-ut, pjesëtarët e grupit kriminal “Duka”, në shenjë hakmarrjeje, fillimisht në maj të 2019, planifikuan vrasjen e Ervis Martinaj, për vendndodhjen e të cilit ndonëse morën informacione, nuk arritën ta gjenin për ta vrarë. “Që prej muajit maj, e deri një javë përpara se të vrisnin Malkon, të dyshuarit Fatmir Hyseni, i njohur me nofkën “Dogja”, Leonard Duka dhe Erlis Duka, kanë siguruar informacione rreth vendndodhjes së lëvizjeve të Malko, me qëllim eliminimin fizik të tij. Ata kanë paguar edhe një shumë parash për informacionet që kanë siguruar, kanë marrë informacion rreth lëvizjeve të tij, por nuk kanë mundur të vënë në jetën planin e tyre”, thuhet në dosje.

Ata organizuan dhe realizuan vrasjen e ish-policit, të cilin e qëlluan për vdekje, teksa udhëtonte me automjetin e tij “Mercedez Benz”, në rrugën “Xhanfize Keko”. Si prova kundër të dyshuarve renditen jo vetëm dëshmia e bashkë të pandehurit Blendi Teta, që po hetohet në një proces të ndarë, por edhe provat e AND-së në dy makina, që u përdorën në vrasje. Policia ka zbuluar mbetje biologjike dhe ka përftuar përmes tyre disa kampionë AND-je. Për të konfirmuar praninë e të pandehurve në këto automjete, ADNja është krahasuar me profilet gjenetike të prindërve të tyre, që kanë rezultuar të përputhshme.

SPAK: MOTIV, RIVALITETI NË LOJËRAT E FATIT

Prokuroria thotë se motivi i vrasjes është përplasja e dy grupeve kriminale që ishin në rivalitet për aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Nga njëra anë vëllezërit Duka e njerëzit e tyre, dhe nga ana tjetër ish-polici Malko. Vrasjes së babait të dy fëmijëve i paraprijnë dy ngjarje kriminale, sipas SPAK-ut. Ajo e datës 26 gusht 2018 në një lokal në Kinostudio, ku mbetën të plagosur Juxhin Hamajezi, Rovaldo Mumajesi e Ibrahim Durollari, ku si autor dyshohej Santiago Malko, si dhe tentativa për vrasjen e Erlis Dukës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura