Vrasja e inspektorit, babai: Gjykata fali autorin kryesor, do marr hak

Nov 27, 2015 | 8:39
SHPËRNDAJE

Vendimi i Gjykatës së Apelit për lirimin e një personi të akuzuar për moskallëzimin e vrasjes së inspektorit të Punës dhe dënimi me 12 vite burg për autorin kanë sjellë reagimin dhe akuza të ashpra për drejtësinë nga familjarët e viktimës.

Vrasja e ndodhur në qershor të vitit të kaluar kur 28- vjeçari Klement Hoxhallari u qëllua disa herë me thikë në një lokal të qytetit të Pogradecit për shkak të një konflikti pronësie përveç dhimbjes së shkaktuar ka bërë që familjarët të kontestojnë dënimin e caktuar nga gjykata.

Babai i viktimës, Nevzat Hoxhallari
Babai i viktimës, Nevzat Hoxhallari

Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Apelit, përballë gjyqtarëve Stavri Kallço, Brunilda Orhan dhe Olsi Xhavella, autori Elton Bregu ka kërkuar uljen e dënimit të tij ndërsa kushëriri i tij Redi Kazerma pafajësinë.

Pasi është sjellë dhe një herë në seancë dinamika e ngjarjes është lënë në fuqi vendimi i shkallës së parë për dënimin me 18 vite burg të autorit, ndërsa është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i kushëririt të tij.

Babai i viktimës, Nevzat Hoxhallari, përballë këtij vendimi ka akuzuar sistemin e drejtësisë për korrupsion dhe fshehje të provave, duke theksuar se në vrasje kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë. Klement Hoxhallari u vra një vit e gjysme më parë në qendër të qytetit të Pogradecit, jashtë një bilardoje në sheshin Europa ndërsa shkak i ngjarjes ishte një konflikt pronësie për një furrë buke që familja e tij kishte blerë vite më parë nga gjyshi i autorit.

Gjykata e Apelit e ka dhënë vendimin e saj për personat e akuzuar në lidhje me vrasjen e djalit tuaj. Cili është reagimi juaj?

Ma ngritën djalin nga gjumi për të ma vrarë. Gjykata liroi personin që e telefonoi atë dhe e thirri tek lokali, ku një grup personash i morën jetën, ndërsa ai që e qëlloi me thikë do të dalë shumë shpejt. Përveç korrupsionit nuk gjej fjalë tjetër. Korrupsion në drejtësi, korrupsion në polici, korrupsion kudo në kurrizin tonë.

Pse i ngrini këto akuza?

Viktima, Klement Hoxhallari
Viktima, Klement Hoxhallari

Sepse më vranë djalin, 28 vjeç. Studioi për Ekonomik, dinte tre gjuhë të huaja, 6 muaj para se ta vrisnin nisi punë dhe ata janë të lirë. Unë e rrita atë djalë me gjak, nuk arrita ta shoh të martohet, të bëhet prind, më mbylli derën. Çfarë drejtësie është kjo?! E vrasin djalin në mes të rrugës dhe i lënë të lirë. Mua djalin nuk ma kthejnë më, por edhe me kaq nuk i le. Shteti nuk i dënoi, do ua marr hakun vetë. Jam prind i vrarë se më morën jetën e djalit kot. Nëse do kishin arsye nuk do të reagoja, por pa asnjë shkak, pa asnjë konflikt, pa na kërkuar asgjë e vranë dhe e lanë në mes të rrugës. Ata i fshehën provat dhe lanë kriminelët të lirë.

Çfarë provash u fshehën?

Djalin e kishin goditur 8 herë me thikë, ata thanë që e qëlluan 4 herë. Dy persona e kishin mbajtur nga kyçet e duarve ndërkohë që Elton Bregu e godiste me thikë. Askush nuk i nxori këto prova. Kanë qenë pesë persona që e vranë tim bir por policia dhe shteti i fshehën. Askush nuk mendoi për ne. Nëse autorët do më kishin kërkuar pronën do t’jua jepja, në një qese plastmasi do flija dhe të kisha djalin gjallë.

Çfarë do të bëni tani?

Ne nuk e lemë me kaq, do ta bëjmë vetë drejtësinë. Kur të braktis shteti, s’të ngelet gjë tjetër për të bërë. Kam një djalë të vdekur dhe askush nuk e respektoi dhimbjen tonë. Djali im i vetëm nuk jeton më dhe askujt s’i bëhet vonë. Ma masakruan dhe vdiq në mes të rrugës si njeri pa njeri. Vrasësi i vërtetë është ai që u lirua dhe thirri edhe kushëririn e tij nga Korça, Eltonin që ta ndihmonte në këtë krim. Nëse nuk do ta kishte paramenduar, ç’lidhje kishte ai që të vinte deri në Pogradec? Pse nuk zbardhen tabulatet e telefonit që të shohin se ai e thirri dhe i kërkoi të vinte tek ai lokal. Ata e kishin të qartë çfarë do bënin, por e fshehën me ndihmën e drejtësisë.

DHORJELA ÇULE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura