Vrasja e gjyqtares/ Kush janë 3 kolegët që i dënuan ish-burrin, KLD do t’i hetojë

Sep 4, 2017 | 19:00
SHPËRNDAJE

Këshilli i Lartë i Drejtësisë kryen inspektim në Gjykatën e Kavajës, duke sekuestruar dosjen e vendimit për dënimin e ish-burrit vrasës të gjyqtares Fildeze Hafizi.

fadil-kasemi-dhe-gjyqtarja

Gjykata e Kavajës dënoi me tre vite burg Fadil Kasemin në vitin 2015, kur gjyqtarja denoncoi burrin për tentativë vrasje e dhunë.

Mësohet se në dosjen e vendimit do të kontrollohet ana proceduriale e dhënies së vendimit nga trupa gjykuese.

Inspektoriati i KLD ka marre vendim per te nisur verifikimin per 3 gjyqtaret e Kavajes qe e denuan Fadil Kasemin me 3 vite burg ne vitin 2016.

Treshja gjykuese e kësaj çështjeje në Gjykatën e Kavajës përbëhej nga Luan Lusha, kryesues, dhe anëtarët Eda Kaja e Markeljan Koco.

Vendimi i gjykatës/ Ja pse u dënua pak ish-burri që vrau gjyqtaren

Vrasja e pak ditëve më parë e Fildeze Hafizit nga ish-bashkëshorti Fadil Kasemi, ishte i treti rast në dy vitet e fundit kur ajo ishte gjendur para një arme zjarri në duart e babait të dy fëmijëve të saj. Për dy radhët e para kanë qenë në dijeni edhe kolegët e saj të sistemit të drejtësisë.

fildes hafiziGjyqtarja Hafizi e ka kallëzuar dhunën fizike e psikologjike dhe zotërimin e një arme nga i shoqi, por në një rast hetimi ndaj tij nuk është nisur dhe në tjetrin ai është dënuar me vetëm 3 vjet burg.

Detajet zbulohen në vendimin e fajësisë të shpallur ndaj Fadil Kasemit më 28 prill 2016 nga Gjykata e Kavajës, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”.

Ai u shpall fajtor për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “dhunës në familje” në lidhje me ngjarjen e korrikut 2015, ku dhunoi në plazhin e Golemit ish-bashkëshorten e tij.

Edhe pse gjatë përleshjes Kasemi tentoi të nxjerrë një pistoletë nga një çantë e vogël që kishte me vete, ndaj tij nuk u ngrit akuzë për “kanosje” apo “tentativë vrasjeje”. Treshja gjykuese e kësaj çështjeje në Gjykatën e Kavajës përbëhej nga Luan Lusha, kryesues, dhe anëtarët Eda Kaja e Markeljan Koco.

Kasemi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg, por përfitoi uljen e një të tretës nga gjykimi i shkurtuar. I arrestuar më 19 korrik 2015 dhe i dënuar me 3 vjet burg, Kasemi e shijoi lirinë më 14 janar 2017. Ai ishte një nga përfituesit e amnistisë së fundvitit të kaluar dhe doli nga qelia në një kohë që kishte edhe 11 muaj e 8 ditë për të kryer.

VENDIMI I GJYKATES

Nga hetimi i çështjes në seancë gjyqësore rezultoi e provuar se: Fadil Kasemi është banor në qytetin e Tiranës. Ai ka qenë i martuar me shtetasen Fildes Hafizi, me të cilën është divorcuar me anën e vendimit nr. 3637, datë 04 maj 2015, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendim i cili ka marrë formë të prerë pa u ankimuar më 20.05.2015. Më 19.07.2015, rreth orës 16:00, shërbimet e Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë informacion se në vendin e quajtur plazhi i Golemit të rrethit Kavajë, në afërsi të hotel “H…”, i pandehuri Fadil Kasemi ka kanosur me anën e një pistolete, të cilën e mbante pa leje të organeve kompetente, në prani të fëmijëve, ish-bashkëshorten e tij, shtetasen Fildes Hafizi. Shtetasja Fildes Hafizi para disa ditësh kishte ardhur në plazh në Golem së bashku me nënën dhe dy fëmijët, të cilët i ka në kujdestari. Aty ka marrë një dhomë me qira. Për lëvizjen e fëmijëve ajo ka vënë në dijeni të atin e tyre, të pandehurin Fadil Kasemi. Fëmijët kanë mbajtur lidhje me të atin, duke telefonuar me të disa herë në ditë.

MOSMARREVESHJET NE ÇIFT

Çifti ka pasur probleme e mosmarrëveshje gjatë kohëve të fundit dhe shtetasja Fildes Hafizi, duke u ndjerë e rrezikuar, i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me kërkesë për lëshim të urdhrit të mbrojtjes. Në gjykimin e kërkesës së saj ajo nuk është paraqitur e për pasojë Gjykata e Shkallës së Parë ka pushuar gjykimin më 07 prill 2015.

KALLEZIMI I PARE

Gjithashtu kjo shtetase i është drejtuar edhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kallëzim për ndjekje penale të të pandehurit Fadil Kasemi për veprën penale të “dhunës në familje”, duke pretenduar se Fadili ka ushtruar ndaj saj në mënyrë sistematike dhunë psikologjike, duke i cenuar integritetin psikosocial. Në këtë kallëzim është pretenduar se Fadili ka pasur një pistoletë, të cilën e ka nxjerrë nga xhepi, por pa kryer veprime të tjera me të. Për këtë kallëzim, Prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë ka vendosur mosfillimin e procedimit penal më datë 13 prill 2015.

KANOSJA NE GOLEM

Më 19 korrik 2015, rreth orës 16:00, shtetasja Fildes Hafizi, së bashku me djalin e saj, A. Kasemi, ka dalë nga dhoma që kishte marrë me qira në plazhin e Golemit për të shkuar te shezlongët në anë të detit, kur ka parë se drejt tyre po afrohej ish-bashkëshorti i saj, i pandehuri Fadil Kasemi. Kur ka konstatuar se Fildesi e ka parë, ai është afruar me vrap pa i lënë mundësi asaj që të largohet apo të fshihet. Sapo e ka arritur, Fadili ka tentuar të hapte një çantë (marsupio) dhe të nxjerrë diçka prej saj.

Fildesi, duke dyshuar se ai donte të nxirrte armë, i është drejtuar duke iu lutur që të mos i linte fëmijët jetimë, si dhe ka tentuar t’i marrë çantën. Fadili ka reaguar duke e goditur në fytyrë me grusht dhe e ka rrëzuar në rërë. Ata janë përleshur fizikisht me njëritjetrin e aty fillimisht ka ndërhyrë djali i tyre A., i cili ka parë të atin të hapë çantën e të tentojë të nxjerrë prej andej një send, që ai e ka identifikuar pistoletë, por që nuk e ka nxjerrë atë. Aty kanë ndërhyrë dhe persona të tjerë, pushues që ndodheshin aty.

Duke përfituar nga kjo ndërhyrje, Fildesi ka mundur t’i marrë çantën që kishte rënë në tokë e të vrapojë drejt hotel “H…”, ku ka kontaktuar me pronarin, shtetasin S.Gj. Ai ka konstatuar se kjo shtetase kishte shenja dhune në fytyrë dhe po bërtiste: “Po më vret, po më vret” dhe i ka kërkuar ndihmë, si dhe të njoftonte policinë. Policia ka mbërritur shumë shpejt e shtetasja Fildes Hafizi i ka dorëzuar çantën, të cilën e kishte pasur i pandehuri Fadil Kasemi. Brenda në këtë çantë policia gjeti e sekuestroi një armë zjarri pistoletë “TT”, model 54, me krehër të vendosur në të, një telefon “Samsung” dhe një çelës veture tip “BMW”.

PRETENDIMET E KASEMIT

Pas ngjarjes, Fadili është ulur në shezlong duke mbajtur kokën me duar dhe kur ka shkuar policia për ta shoqëruar, është prezantuar me gjeneralitete të sakta dhe nuk ka paraqitur asnjë rezistencë. Nga verifikimi me gypindikator alkooli, rezultoi se shtetasi Fadil Kasemi kishte përdorur pije alkoolike dhe përmbajtja e alkoolit ishte 0,1%-0,2%. Ai ka pretenduar se ka konsumuar vetëm raki dhe verë në sasi që nuk justifikojnë atë shkallë përqendrimi të konstatuar.

I pandehuri Fadil Kasemi gjatë hetimit ka pretenduar se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe nuk i perceptonte drejt gjërat, por ka thënë se arma dhe çanta nuk janë të tijat. Në lidhje me çantën, ka pretenduar se ajo i përkiste një personi që nuk e njihte e që e kishte provokuar duke iu ulur në tavolinë, si dhe që i kishte marrë çelësat e veturës dhe i kishte futur në çantë. Vetura tip “BMW”, çelësat e së cilës u gjetën e u sekuestruan në çantën ku ishte pistoleta, i përket të pandehurit Fadil Kasemi, i cili e kishte blerë pa bërë dokumentet përkatëse, pasi e kishte në provë për disa ditë.

ARSYETIMI I GJYKATES

I pandehuri Fadil Kasemi në kryerjen e veprave penale, për të cilën u gjykua, ka vepruar me dashje direkte e me faj. Ai pasi është informuar për vendin ku ndodhej ish-bashkëshortja e tij, është nisur nga Tirana me veturën tip “BMW”, të cilën e kishte marrë për ta provuar për disa ditë.

Ai para se të nisej ka siguruar një pistoletë së bashku me fishekët, pa qenë i pajisur me leje nga organet kompetente për mbajtjen e saj, të cilën e ka futur në një çantë dhe ka ardhur në Golem në afërsi të vendit ku ishbashkëshortja ndodhej e akomoduar me nënën dhe fëmijët.

I pandehuri sapo e ka dalluar ish-bashkëshorten, është afruar me vrap dhe ka tentuar të nxjerrë pistoletën e në rrethanat kur nuk ka mundur dot ta përdorë atë, për shkak të rezistencës së Fildesit dhe të birit, ai e ka qëlluar me grushte në fytyrë, duke i shkaktuar dëmtime të dukshme trupore, të cilat janë klasifikuar në kategorinë e plagosjes së lehtë.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura