Vrasja e emigrantit pranë banesës, tre pistat ku po heton policia

Feb 11, 2016 | 8:36
SHPËRNDAJE

Pavarësisht deklaratave të dhëna nga familjarët, se Xhevahir Basha, ekzekutuar mbrëmë në afërsi të banesës së tij, në Fllakë të Durrësit, nuk ka mosmarrëveshje me të tjerë persona, hetuesit e çështjes po hetojnë në disa pista.

Vendi ku ndodhi krimi
Vendi ku ndodhi krimi

“Panorama” shkruan sot se një konflikt i hershëm i nisur në vitin 2008 me një fis tjetër nga Hasi, të cilët jetonin në Angli, në të njëjtin qytet me viktimën, mbetet një ndër pistat që po heton policia.

Policia nuk përjashton këtu krimin e ndodhur për shkak të konflikteve të pronësisë apo edhe të implikimit të 42-vjeçarit në trafikimin e lëndëve narkotike.

Policia dyshon se viktima kishte probleme me drejtësinë, pasi mbante dy identitete. Nga policia viktima është identifikuar me emrin Xhevahir Brasha, ndërsa vitet e fundit ai figuronte me emrin Agim Cakaj.

“Po hetojmë në të gjitha pistat paraprakisht dhe na rezulton se viktima rreth 8 vite më parë ka pasur përplasje me një fis nga Hasi, në Londër. Mendojmë se 42- vjeçari ka ardhur para tre muajsh me konflikte të mbartura nga Londra, ku jetonte vitet e fundit”, u shprehën burime nga grupi hetimor.

Familja e 42-vjeçarit me origjinë nga Hasi, ishte vendosur pas viteve 1990 në fshatin Fllakë të Durrësit, aty ku me të ardhurat e siguruara nga emigrimi kishin investuar në pasuri të patundshme, kryesisht në blerje të tokave. Viktima që prej tre muajve ishte kthyer nga emigrimi, duke jetuar në shtëpinë e tij në Fllakë.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura