Vrasja e emigrantit, kushëriri: Takimi i fundit te ‘Torra’, pse mbante 2 emra

Feb 12, 2016 | 8:31
SHPËRNDAJE

Familjarët e Xhevahir Brashës emigrantit që u ekzekutua në Fllakë të Durrësit pranë banesës deklarojnë se ai nuk kishte konflikte apo hasmëri me askënd dhe përjashtojnë dyshimet për aktivitet të paligjshëm.

Xhevahir Brasha, i njohur ndryshe edhe me emrin Agim Caka
Xhevahir Brasha, i njohur ndryshe edhe me emrin Agim Caka

A.N., djali i hallës së 41-vjeçarit në një intervistë për GSH pohoi se dyshimet e policisë se Brasha merrej me trafiqe të paligjshme janë krejt të pabaza. Ai tregon takimin e fundit me të dhe sqaron se dy emra kishte pasi iku ilegalisht në Angli, si refugjat nga Kosova.

Kur jeni takuar për herë të fundit me Xhevahirin?
E kam takuar para pak ditësh. Të dy shkuam dhe pimë kafe tek “Torra”, në qendër të qytetit të Durrësit. Bëmë shaka me njëri-tjetrin si moshatarë. Nuk kishte asnjë problem.

Kishte shprehur shqetësime më pas, apo më herët?

Jo. Xhevahiri ishte njeri punëtor. Në Londër punonte në ndërtim e paguhej mirë. As nuk bëhej fjalë që të na thoshte për ndonjë problem. Nuk kishte shfaqur asnjë ankesë as tek ne kushërinjtë e tij dhe as tek familja.

Kur ka shkuar në Londër?
Ka shkuar para 20 vitesh. Më pas ka ardhur në Shqipëri, është martuar si dhe solli familjen në Durrës. Me djersën e tij ka ndërtuar shtëpi e katandi. Ka rritur fëmijët duke punuar si emigrant.

Pse njihej me dy emra kushëriri juaj?
Xhevahiri ka shkuar në Angli si refugjat nga Kosova dhe është regjistruar atje me emrin Agim Caka. Me këtë emër e ka edhe pasaportën britanike që mori vite më vonë. Në fakt, Agim Caka nuk është identitet i rremë, pasi personi ekziston. Ai është burri i motrës së Xhevahirit, i cili është kosovar. Si të gjithë shqiptarët që kanë ikur në Angli, edhe kushëriri im eshtë paraqitur si kosovar për të përfituar dokumentet. Me dokumentet angleze, ai ka hyrë e ka dalë në të gjithë Europën dhe ka ardhur në shtëpi tek familja për çdo vit.

Sa fëmijë ka Xhevahiri dhe ai ka të rritur?
Ka pesë fëmijë, dy djem e tri vajza. Djali i madh është 18 vjeç, ndërsa vajza e vogël e tij ende nuk i ka mbushur 2 vjeç. Xhevahiri vetë ishte djali i vetëm i familjes, ndërsa ka 5 motra të martuara këtu në Shqipëri e në Kosovë.

Kur është zhvendosur nga Hasi me banim në Durrës familja Brasha?
Para 10 vjetësh, jo më shumë. Xhevahiri ndërtoi shtëpinë e tij, pasi bleu truallin. Nuk mundi ta merrte në Angli familjen e tij.

Policia dyshon se vrasja mund të ketë ndodhur për shkak të ndonjë konflikti që kushëriri juaj ka pasur në Angli. Çfarë mund të thoni në lidhje me këtë?
Nuk ka asgjë të vërtetë. Xhevahiri nuk ishte konfliktual dhe as nuk merrej me gjëra të jashtëligjshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura