Vrasja e Demir Backës dhe grabitja në Nikël/ Artur Zheji: Ka një frikësim të organeve të rendit! Korrupsioni shtetëror është mitra që pjell…

Oct 27, 2021 | 15:25
SHPËRNDAJE

Situata e rendit dhe sigurisë në vend ka qenë në fokus të emisionit “Pikat mbi i” në News 24 ditën e sotme. Dy të ftuarit në studio, nga njëra anë gazetarja Klodiana Lala dhe nga ana tjetër analisti, Artur Zheji, debatuan midis tyre në lidhje me ngjarjet e fundit kriminale që kanë cënuar rendin dhe sigurinë në vend.

pjimage (4)

Vrasjen e biznesmenit Demira Backa, Zheji e komentoi si një tregues të përshkallëzim të rendit dhe si një frikësim të organeve ligjzbatuese. Ai theksoi se korrupsioni shtetëror është mitra që lind më pas dhe korrupsionin në terren.

Nga ana tjetër gazetarja Klodiana Lala, theksoi se Fieri është një qytet që qarkullon miliona euro tendera, por që grupet kriminale kanë ditur të ruajnë një balancë dhe të mos përfshihen në ekzekutime ndaj njëri tjetrit.

Gazetarja theksoi se krimi i organizuar në Shqipëri mund të goditet vetëm nëse të gjithë agjensitë ligjzbatuesem si dhe politika do të jenë në një front të përbashkët kundër tyre.

Pjesë nga biseda në studio

Artur Zheji: Një tragjedi e paralajmëruar sepse ka një përshkallëzim të pandëshkueshmërisë nga njëra anë, një përshkallëzim të krimit dhe ka një frikësim të organeve të rendit, strukturave të posaçme. Jemi në një situatë që shumë rrallë ndodh, që bëhen vrasje dhe në mes të qytetit. Shumë rrallë ndodh që këto vrasje ndodhin për motive sekondare. Ndjesia e pandëshkueshmërisë, luhatja e shtetit, mungesa e një reforme të thellë, mungesa e frikës se po të vrasësh arrestohesh të gjitha këto mungojnë. Mund të përshkallëzohen dhe shpeshtohen sepse mungon ndjesia e frikës ndaj ligjit, e goditjes së ligjit. Për të mos folur për dinamizmin kriminal të shoqërisë shqiptare.

Klodiana Lala: Mua më shqetësojnë dy aspekte në situatën e rendit e sigurisë në vend. Këta personazhe që preken, janë personazhe që janë të njohur për policinë dhe të njohur dhe më herët. Nazmi Çangu ishte dëshmitar, person kyç në procesin ndaj Emiljano Shullazit. Ai jepte para me fajde, ndërkohë që institucionet nuk kanë hetuar për këtë gjë. Aktiviteti i dhënies me fajde është i paligjshëm. Mënyra se si kanë vepruar autorët ndaj tij tregon për një agresivitet. Mendoj që shkuan aty sepse e dinin shumë mirë kë po preknin. Duke shkuar tek Fieri, është lënë jashtë vëmendjes policore. Kemi deputetin Petro Koçi që dëshmoi dhe në SPAK që grupet kriminale kanë shtrirë tentakulat dhe në financat publike.

Kjo deklaratë e tij do duhej që SPAK të zbarkonte në Fier. Deri tani nuk ka ndodhur. Kanë kaluar 2-3 muaj që do duhet të kishte një deklaratë. Nuk duhet ta kishin konsideruar deklaratë politike.

Artur Zheji: Korrupsioni politik është shtrati, mitra që pjell pa fund korrupsion në terren.

Klodiana Lala: Fieri është qyteti që qarkullon me miliona euro me tendera.

Artur Zheji: SPAK-u duhet të përqendrohet tek politikanët e korruptuar dhe në Fier.

Klodiana Lala: Grupet kriminale në Fier kanë qenë shumë të kujdesshëm në vite për të mos prekur njeri-tjetrin.

Vrasja e Demir Backës, kemi nga njëra anë viktimën që njihej si biznesmen dhe nga ana tjetër një biznesmen si Arben Isufaj. Nëse shteti do i kishte kaluar të gjitha konfliktet mes këtyre personazheve nuk do kishim një situatë të tillë.

Artur Zheji: Ne themi të vërteta të pjesshme që na e bën të pamundur të shohim pikurën e madhe të situatës.

Klodiana Lala: Nuk flas vetëm për SPAK, por për të gjitha institucionet ligjzbatuese.

Artur Zheji: Është një gjysmë e vërtetë nëse i kundërvihemi vetëm SPAK për çdo gjë që ndodh në Shqipëri. Fieri është një qytet i rëndësishëm i mbytur nga krimi, por nuk është më pak Elbasani, Shkodra. Nëse SPAK përqendrohet tek Fier, nuk kryen dot misionin kryesor për kokën e krimit. SPAK nuk mund të presë me një kokë të vetme, gjithë kokën e madhe të krimit të organizuar. Ka për detyrë të kapë politikanët e lidhur drejtpërdrejt me krimin. Të gjithë e paralajmërojnë këtë tragjedi që po ndodh dhe do ndodhë nesër. Ca kohë e ka bërë opozita, apo Petro Koçi, çështja është më e thellë.

Klodiana Lala: Duhet të nisë nga diku. Ndodh një ngjarje kriminale, e mban mend se sa problematike ishte Vlora, ne bëjmë zhurmë, diskutojmë, problemi është se ngjarje të tilla duhet të kthehen në opinionin publik dhe duhet bërë presion pozitiv institucioneve ligjzbatuese, jo vetëm SPAK. Të gjitha do duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën që të kemi një barrierë që t’i bëjmë ballë krimit të organizuar.

Artur Zheji: A ka vullnet politik? Pse s’doli kryeministri, pse s’doli ministri i Brendshëm.

Klodiana Lala: Zoti Nano erdhi në Policinë e Shtetit dhe ndërroi rreth 80% të drejtorive në qarqe. Jam kundër disa emrave, janë ricikluar. Krimi i organizuar nuk mund të luftohet me goditje sporadike. Krimi i organizuar luftohet me teknika, me inteligjencë, me të gjitha format e mundshme. Ne jemi në pikën që institucionet ligjzbatuese duhet të bëhen bllok në një për të luftuar krimin.

Artur Zheji: Këtu ka një problem, në qoftë se krimi i çorganizuar shndërrohet nga një kupolë e krimit që vepron në errësirë, në një vend si Shqipëria kur të fortët e fierit kapin nga faqet të fortët e administratës, ai që trash zërin në qytet është i forti, është kryetari i bandës, kurse ata që kanë një zë pak më të hollë janë ata të administratës dhe drejtorët e policisë i shohin e hop ikin…Në qoftë se nuk ndodh një tronditje e fortë, që në kryeministri, ministri, kupola thotë do ta çlirojmë Fierin nga magazinat e drogës. Sa magazina droge ka? Unë them që ka disa, sa përpunime laboratori ka? E di gjithë Fieri sa janë, asnjë nuk flet. Në momentin që e pastron qytetin dhe me kismet gjithë Shqipërinë, atëherë ulet dhe forca artificiale e këtyre bosave. Gjërat që më ka bërë përshtypje është që këto ngjarje ndodhin në dritën e diellit, në mes të qytetit dhe ne lexojmë arrogancën e krimit që dhe për krime sekondare ai të heq qafe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura