Vrasja e Demir Backës dhe grabitja e vilës së biznesmenit në Krujë/ Presidenti Meta thirrje institucioneve: Autorët të vihen përpara drejtësisë, kërcënim serioz i sigurisë së qytetarëve

Oct 25, 2021 | 10:07
SHPËRNDAJE

ilir-meta-1-1

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ngjarjet kriminale të dy ditëve të fundit nga vrasja e Demir Backës në Fier tek grabitja dhe dhunimi i biznesmenit Nazmi Çangu në Nikël të Krujës.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Kreu i Shtetit shkruan se këto ngjarje përbëjnë kërcënim serioz për rendin dhe sigurinë e jetës së qytetarëve por dhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.

Meta i bën thirrje policisë së Shtetit, prokurorisë dhe SHISH-it të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre përpara drejtësisë.

Postimi i Ilir Metës:

Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës.

Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale.

Të shtunën në mbrëmje mbeti i vrarë në një atentat me armë zjarri Demir Backa në rrethrrotullimin e njohur si ish-QTU. Ai ishte në makinën e tij, teksa një automjet tjetër i është afruar nga ku autorët kanë zbrazur breshëri kallashnikovi ndaj biznesmenit.

Ndërkohë në orët e para të mëngjesit të së dielës, vila e biznesmenit Nazmi Çangu në Nikël të Krujës ra pre e një grabitje. Sipas informacioneve, të paktën 10 persona të armatosur dhe të maskuar hynë në banesë dhe grabitën një shumë prej 100 mijë eurosh si dhe dhunuan biznesmenin dhe familjen e tij.

© Panorama.al

Te lidhura