Vrasja e Çollakut/ ‘Dalipajt e Shtazajt iu gjetën gjurmët e gjakut të viktimës’

Jan 31, 2016 | 9:09
SHPËRNDAJE

TIRANE – Prokuroria për Krime të Rënda duket se ka siguruar prova në lidhje me akuzat që ka ngritur ndaj shtetasit Denis Shtraza, si dhe ish-policit Ervin Dalipaj në lidhje me rrëmbimin e vrasjen e Gazmend Çollakut, ndodhur më 6 janar 2016, në Durrës.

Ndonëse motivi i ngjarjes ka mbetur ende i pa zbuluar dhe të paktën dy apo tre pjesëmarrës në rrëmbim janë ende të pa zbuluar, prokuroria thekson se ka përputhje mes disa elementeve që fajësojnë Denis Shtrazën dhe Ervin Dalipajn. Më konkretisht, sipas Prokurorisë, pas vrasjes së Çollakut, është ndaluar dhe kontrolluar mjeti tip “ML”.

Vendi ku u vra Çollakui në Krujë
Vendi ku u vra Çollakui në Krujë

Sipas deklaratës së Prokurorisë, kjo makinë në momentin e kontrollit drejtohej nga shtetasi Denis Shtraza dhe që shoqërohej nga Ervin Dalipaj (ndonëse ky i fundit rezulton se është pronar i automjetit).

Makina është ndaluar në polici për verifikim, pasi brenda saj u gjetën disa celularë të fikur. Nga të dhënat shkencore, në fashat plastike me të cilat ishte lidhur Gazmend Çollaku, u gjetën disa gjurmë gjaku, të cilat nuk i përkisnin viktimës, por që kishin vlera identifikuese. Ekspertiza në mjetin tip “ML”, në pjesën e pasme të saj, gjeti disa gjurmë gjaku, të cilat, pasi u krahasuan, rezultuan të njëjta me gjurmën e gjakut të gjetura në fashën plastike me të cilën ishte lidhur viktima Gazmend Çollaku.

I arrestuari për këtë krim, Denis Shtraza, thuhet se kishte njohje dhe miqësi me Ervin Kodrën, njërin nga dy të rinjtë e vrarë mbrëmjen e 20 dhjetorit në Durrës. Aty mbeti i vrarë edhe Endri Caushaj, ndërsa thuhet se pranë vendngjarjes atë natë ka qenë edhe Gazmend Çollaku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura