Vrasja e balerinës, dëshmia: Artur Kuliçi po kërcente kur nisi sherri

Feb 21, 2015 | 19:57
SHPËRNDAJE

Zbardhet dëshmia e S.P., vajzës që filloi një konflikt rastësor me Artur Kuliçin më 5 prill 2013 në një diskoteke në Tiranë.

Viktima Sonila Tafa

Debati i saj me të kërkuarin u bë zanafilla e ngjarjes ku u vra balerina Sonila Tafa. Vetë balerina nuk ka pasur asnjë lidhje me këtë konflikt, ndonëse u bë pre e plumbave teksa dilte nga lokali. Dëshmitarja S.P. ka rrëfyer se ka qenë duke kërcyer kur i ka thënë një personi që po kërcente në tavolinën ngjitur “a ka mundësi të shtyhesh pak më andej?”. Fraza nuk është pritur mirë prej tij dhe kaq ka shërbyer për “ndezjen” e sherrit që përfundoi me një të vrarë dhe një të plagosur. Dëshmia e S.P. është pjesë e vendimit të arsyetuar të Gjykatës së Tiranës ndaj Kuliçit, i zbardhur ditët e fundit. Më 12 shkurt ai u shpall fajtor nga gjykata dhe u dënua me burgim të përjetshëm, si autor i vrasjes së balerinës.

Sipas Gjykatës, pas konfliktit me S.P., Kuliçi është konfrontuar fizikisht me miqtë e saj në dy momente të veçuara. Më pas, grupi i dëshmitares S.P. është larguar. Rreth 3-4 minuta më vonë, sipas Gjykatës, te dera e jashtme e lokalit është parë një autoveturë “BMW”, ku në vendin e shoferit ishte i pandehuri Artur. Ai ka nxjerrë dorën jashtë xhamit të makinës dhe ka qëlluar me një pistoletë në drejtim të derës së lokalit nga ku dilnin njerëz. Sipas Gjykatës, nga të shtënat u vra Tafa, u plagos një tjetër dhe u rrezikua jeta e disa të tjerëve. Vendimi ndaj tij u dha në mungesë, pasi ai ende nuk është arrestuar.

DESHMIA
Dëshmitarja S.P. ka rrëfyer se mesnatën e datës 05 prill 2013 ka shkuar në një lokal nate pranë kthesës së Kamzës në Tiranë, në shoqërinë e miqve të saj Rifat B., Gelsi G. dhe Mariza K. Ata janë ulur në një tavolinë, të cilën e kishin prenotuar më parë. Në vazhdim zbardhet dëshmia e plotë e dhënë prej saj gjatë gjykimit të Kuliçit: Afër tavolinës sonë ishin katër persona, dy çifte të cilët janë larguar rreth orës 01:30 dhe aty kanë ardhur tre persona të tjerë, të cilët ishin dy djem dhe një vajzë.

SHERRI

Rreth orës 02:30, duke kërcyer në tavolinë pasi ishim në këmbë, unë isha me kurriz nga ai djali me bluzë të bardhë dhe tavolinën e tij ku ishte një vajzë dhe një çun tjetër, ndërsa përballë në tavolinën time kisha miqtë e mi Gelsi, Rifat dhe Mariza. Duke qenë me kurriz nga tavolina ku ndodhej ai djali me bluzë të bardhë dhe duke qenë se ai po më shtynte disa herë mbrapa kurrizit, pasi edhe ai ishte duke kërcyer me atë vajzën që kishte në tavoline, unë i kam thënë që “a ka mundësi të shtyheni pak më andej dhe mos më shtyni”. Ai personi më është përgjigjur “nuk dua”. Unë në këtë moment i kam thënë “mirë ok, të kërkoj ndjesë”, jam spostuar dhe kam dalë në krah të Rifatit. Pas dy-tri minutash nga kjo bisedë ky djali është kthyer nga unë dhe më ka kapur për krahu. Unë i kam thënë “më lësho krahun” dhe, pasi jam shkëputur, kam shkuar në mes të Rifatit dhe Gelsit. Në këtë moment, ai djali me bluzë të bardhë është afruar te Gelsi dhe ka filluar ta ofendojë me fjalë ofenduese. Nga e folura më është dukur si verior, por nuk di të them konkretisht. Mendoj nga zona e Lezhës, por nuk jam e sigurt. Pas kësaj, ai ka qëlluar me shpullë G. dhe janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Ndërsa ai shoku tjetër e ka qëlluar Gelsin me një gotë, e cila nuk e ka zënë, por është thyer.

ZENKA E DYTE
Pas kësaj kanë ndërhyrë badigardët e lokalit, të cilët kanë nxjerrë jashtë atë djalin me bluzë të bardhë dhe më pas kanë nxjerrë dhe atë djalin tjetër së bashku me atë vajzën. Ne kemi qëndruar brenda në lokal dhe pas 10- 15 minutash kemi dalë jashtë. Po shkonim në drejtim të parkingut, te makina. Aty kam parë atë djalin me bluzë të bardhë që kishte kapur Gelsin për flokësh dhe pastaj kanë ndërhyrë badigardët, të cilët i kanë ndarë. Pas kësaj, ai djali ka ikur, ndërsa ne na kanë futur përsëri në lokal ku kemi qëndruar rreth 10-20 minuta dhe përsëri na është thënë nga badigardët që të dilnim jashtë. Na kanë shoqëruar dhe, pasi kemi hipur në makinë, kemi ikur te shtëpia ime. Më pas më ka njoftuar policia dhe jemi paraqitur të gjithë te Policia e Tiranës.

IDENTIFIKIMI
Sipas Gjykatës së Tiranës, Kuliçi është identifikuar nga katër dëshmitarë në vendin e ngjarjes. Në të gjitha rastet e përsëritjes së veprimit hetimor të “paraqitjes për njohje”, në prani edhe të avokatit, dëshmitarët kanë kryer identifikimin e të pandehurit së pari, si personi që është grindur e konfliktuar brenda ambienteve të brendshme e të jashtme të lokalit, dhe së dyti, si personi që ka qëlluar me armën e zjarrit nga një automjet tip “BMW” me ngjyrë të zezë drejt hyrjes së diskotekës.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura