Vrasja e balerinës, dënohet me burg përjetë Artur Kuliçi. Detajet e ngjarjes

Feb 13, 2015 | 14:57
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës vendosi dje dënimin me burgim të përjetshëm për Artur Kuliçin, i akuzuar për vrasjen e balerinës Sonila Tafa më 5 prill 2013, në një lokal nate në kryeqytet. Në përfundim të 31 seancave gjyqësore të këtij procesi, gjykata vlerësoi se nga provat e shqyrtuara në proces ka rezultuar e provuar se i pandehuri Kuliçi është autori i ngjarjes.

Viktima Sonila Tafa

Ai u shpall fajtor për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”. Vendimi u shpall nga një trup gjykues i kryesuar nga gjyqtari Martin Deda. Në verdiktin e dosjes, trupi gjykues pranoi kërkesën e Prokurorisë, e cila në pretencë kërkoi kyçjen përjetë në qeli të të pandehurit.

Vendimi ndaj Kuliçit është dhënë në mungesë të tij. Masa e sigurisë “arrest në burg” e dhënë ndaj tij ende nuk është ekzekutuar. Aktualisht, emri i tij radhitet në listën e personave të kërkuar nga Interpoli.

VRASJA
Referuar konkluzioneve përfundimtare të Prokurorisë së Tiranës, ngjarja që përfundoi me humbjen e jetës së balerinës Tafa dhe plagosjen e një tjetre, zuri fill nga një konflikt i rëndomtë në lokalin e natës.

Ky konflikt nuk kishte asnjë lidhje me balerinën Tafa. Sipas Prokurorisë, në orën 02:00, i pandehuri Artur Kuliçi dyshohet të ketë shtyrë dhe fyer një nga vajzat që ishin në tavolinën ngjitur më të tijën, për shkak se ajo e kishte prekur pa dashje me bërryl.

Kjo sjellje ka shkaktuar reagimin e dy djemve me të cilët ndodhej vajza në tavolinë. Ata janë sharë dhe goditur me Kuliçin dhe është nevojitur ndërhyrja e truprojave të lokalit për qetësimin e situatës.

Ndonëse janë ndarë nga punonjësit e sigurisë, pjesëtarët e dy tavolinave janë përplasur dhe një herë në parkingun e diskotekës. Disa minuta më vonë, duke pretenduar se Kuliçi ishte larguar, truprojat kanë përcjellë palën tjetër deri tek automjeti i tyre.

Sipas Prokurorisë, nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë ka rezultuar se i pandehuri ka ndaluar me një mjet “BMW” të zi me targa të huaja përballë hyrjes kryesore të lokalit, ku në vendin e parë të pasagjerit ndodhej shtetasja G. H.

“Nga dritarja e shoferit ai ka shtënë rreth 5-6 herë në drejtim të derës së lokalit, ku ndërkohë dilnin vazhdimisht klientë dhe në një distancë fare të afërt në shpinë të tij ka qenë dhe një fëmijë, i cili brenda oborrit po shiste paketa cigaresh. Si rezultat i këtyre qitjeve të regjistruara, në orën 02:43, orë në të cilën sapo kishin dalë jashtë një çift i panjohur, ka mbetur e vrare shtetasja Sonila Tafa. Po ashtu, është plagosur në këmbë shtetasja R.K. dhe janë rrezikuar seriozisht për jetën e gjithë pjesa e klientëve të cilët kanë qenë pas saj”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura