Vrasja e balerinës, autori më parë goditi një vajzë

Jul 20, 2013 | 13:14
SHPËRNDAJE

Sonila Tafa
TIRANE – Artur Kuliçi, i akuzuari i Prokurorisë për vrasjen e balerinës Sonila Stafa më 5 prill 2013 në hyrjen e një diskoteke në periferi të Tiranës, ka qenë i shoqëruar nga një femër në momentin e krimit. Në kërkesën për gjykim të depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, përveç të pandehurit Kuliçi dhe Endon Bajraktarit, i akuzuar për armëmbajtje pa leje, Prokuroria ka vënë nën akuzë edhe shtetasen G. Hodo. Sipas Prokurorisë, Hodo ka qenë pasagjere në automjetin “BMW”, nga e cila dyshohet të ketë hapur zjarr i pandehuri Kuliçi. Hodo akuzohet nga Prokuroria për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”. Kërkesa për gjykim e Prokurorisë zbardh edhe konfliktin, që përfundoi me një të vrarë dhe një të plagosur në diskotekën në hyrje të rrugës Tiranë-Durrës. Sipas Prokurorisë, gjithçka ka lindur nga një zënkë banale brenda në ambientet e diskotekës. Dyshohet se i pandehuri Artur Kuliçi ka shtyrë dhe fyer një vajzë që ishte ulur në tavolinën ngjitur me të në ambientet e lokalit, për shkak se kjo e fundit e ka prekur atë pa dashje me bërryl. Sjellja e Kuliçit ka hasur në reagimin e dy djemve në tavolinën tjetër. Ata janë sharë dhe goditur, por situata është qetësuar nga truprojat e lokalit, të cilët i kanë nxjerrë jashtë. Pas këtij momenti ata janë konfliktuar sërish dhe prapë janë ndarë nga truprojat. Sipas Prokurorisë, më pas i pandehuri ka ndalur mjetin e tij përballë hyrjes së lokalit. Ai dyshohet se ka shtënë nga dritarja e shoferit 5-6 herë në drejtim të derës së lokalit, ku ndërkohë dilnin vazhdimisht klientë. Nga plumbat ka mbetur e vrarë Solina Tafa dhe është plagosur R. Kaso.                                                         ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura