Vrasja e Ajet Zeqajt në Bllok, pyeten si të dyshuar ish-kunetërit

Mar 21, 2016 | 8:36
SHPËRNDAJE

Policia e Tiranës ka shoqëruar për të marrë në pyetje si të dyshuar për vrasjen e ish-policit Ajet Zeqaj, vëllezërit e ish-bashkëshortes së tij.

Ish-polici i vrarë, Ajet Zeqaj
Ish-polici i vrarë, Ajet Zeqaj

Burime nga grupi hetimor thanë se pas vrasjes së ndodhur të mërkurën tek ish- Blloku, 4 ish-kunetërit e Zeqajt janë thirrur në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit.

Ata janë kërkuar nga hetuesit për të dhënë deklarime, pasi dyshohet se mund të kenë dijeni se kush është autori i ngjarjes.

Nisur nga konfliktet e mëparshme që ata kanë pasur me ish-bashkëshortin e motrës së tyre, para divorcit, Policia nuk ka përjashtuar si mundësi që motiv i krimit mund të jenë edhe konfliktet që ka pasur çifti.

Vëllezërit e Leonora (Zeqajt) Hysenit janë pyetur veçmas njëri-tjetrit, në ditë të ndryshme, në mënyrë që të dëgjoheshin deklarimet personale të secilit.

Burimet thanë se pas dëshmisë së tyre, ish-kunetërit e Zeqajt janë lënë të lirë, por me kërkesën që të mos largoheshin nga Shqipëria, pasi mund të thirren sërish për interes të hetimit.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura