MASAKRA TE SHKENCAT/ Lufta me armë për drogën, ja si ndodhi ngjarja

May 28, 2015 | 7:31
SHPËRNDAJE

Tre persona u vranë dje në një përplasje të egër me armë zjarri pak metra larg qendrës së Tiranës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:20, në bulevardin “Zogu i Parë”, në hapësirën mes maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Sipas Policisë, viktimat janë shtetasit Mentor Lufi (Doçi), 39 vjeç, shoku i tij Gerti Goxhaj, 33 vjeç dhe Besnik Sulku, 34 vjeç, i cili është njëri prej atentatorëve. Burimet thanë se objekti i këtij atentati ka qenë shtetasi Mentor Lufi. Sulmi ndaj tij ka sjellë edhe shkëmbimin e zjarrit me tre të vdekur. Policia deklaroi dje se janë ndaluar 3 persona si të dyshuar për shkëmbimin e zjarrit që solli 3 të vrarë.

Në pranga kanë përfunduar dy nipat e Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, që dyshohet se janë kundërpërgjigjur me armë pasi është qëlluar xhaxhai i tyre dhe shtetasi italian, Salvatore Letticia, i cili shoqërohej me atentatorin Besnik Sulku, i cili po ashtu mbeti i vrarë.

NGJARJA
Sipas veprimeve të para që grupi hetimor ka kryer në vendin e ngjarjes, mësohet se dy grupe personash, me precedentë të mëparshëm penalë, kanë pasur shkëmbim zjarri mes njëri-tjetrit. Shtetasi Mentor Lufi (Doçi), së bashku me shtetasin Gerti Goxhaj, kanë qenë të ulur në një kafe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Jashtë lokalit kanë qenë duke pritur dy nipat e Mentor Lufit, shtetasit Markeljan dhe Klevis Doçi, brenda një makine tip “Touareg” që qëndronte e parkuar. Pasi kanë dalë nga kafja, shtetasi Mentor Lufi ka hipur në mjetin tip “BMW” me targa AA 001 IK si pasagjer dhe drejtues mjeti ka qenë shtetasi Gerti Goxhaj.

Ndërkohë, pas tyre vinte mjeti tip “Touareg” me targa AA 097 KE, me të cilin udhëtonin dy nipat e Lufit. Në momentin kur mjeti tip “BMW” ka filluar lëvizjen, në këmbë kanë qenë dy shtetas, të cilët kanë hapur zjarr duke qëlluar me pistoleta në drejtim të dy shtetasve, që udhëtonin në këtë makinë.

Burimet zyrtare të Policisë thonë se në këtë kohë janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dy nipat e Mentor Lufit, duke goditur me mjet një nga autorët e dyshuar, shtetasin italian Salvatore Letticia. Shtetasi Markeljan Doçi ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Besnik Sulku, i cili hapi zjarr i pari ndaj xhaxhait dhe mikut të tij

Mjetet e perfshira ne shkembimin e zjarrit ne Tirane

AUTORET E NGJARJES
Në kohën kur ka filluar shkëmbimi i zjarrit, dy automjetet kanë qenë në lëvizje dhe për shkak të goditjes drejtuesi i makinës tip “BMW”, shtetasi Gerti Goxhaj ka humbur kontrollin, duke u përplasur me mjetin “Touareg” që drejtohej nga njëri prej nipave të Mentor Lufit. Nipi i Lufit e kishte kthyer makinën për të goditur shtetasin italian, që po qëllonte me armë.

Ndërsa makina tip “BMW” vazhdonte të xhironte gjysmë në trotuar, gjysmë në asfalt, shtetasi Mentor Lufi që ishte pasagjer dhe kishte mbetur i plagosur rëndë, ka zbritur nga makina duke lëvizur në këmbë për të kërkuar ndihmë. Ai është dërguar në gjendje të rëndë në spital, ku ka ndërruar jetë. Policia tha se ngjarja ka ndodhur në një fragment kohe shumë të shkurtër dhe punonjësit e Policisë në kohë mjaft të shpejtë kanë mbërritur në vendngjarje për tri minuta.

Policia ka bërë rrethimin e zonës dhe falë veprimeve të shpejta ka bërë të mundur neutralizimin e të dy autoreve të dyshuar, ku shtetasi Markeljan Doçi mbante në dorë armën, me të cilën kishte kryer krimin. Disa metra me tej, në një hotel në afërsi të vendngjarjes u ndalua edhe autori i dytë i dyshuar, shtetasi italian, i cili kishte dëmtime në trup dhe i gjakosur në fytyrë.

Salvatore Letticia kishte mundur të largohej nga vendngjarja duke u fshehur në hotelin në fjalë dhe duke u përpjekur të fshihte provat e krimit. Burimet thonë se pistoleta që dyshohet të jetë përdorur nga ai, ende nuk është administruar si provë materiale, pasi nuk është gjetur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura