Vrasja brenda në Komisariat/ Autori dyshohet se e kishte planifikuar aktin. Ludjan Zaimi del sot në gjyq, ja akuzat mbi 25-vjeçarin

May 26, 2022 | 10:30
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Efektivi i Policisë që vrau kolegun e tij në mënyrë demonstrative në Komisariatin nr. 3, i cili duhej të dilte sot para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë, mësohet se ka qëndruar gjithnjë në pozitat e njeriut të bullizuar nga Çaush Saliasi.

Sipas të dhënave më të reja që kanë dalë në dritë nga ajo ngjarje e rëndë që tronditi vendin, bëhet me dije se i riu jo vetëm që e kishte planifikuar vrasjen e kolegut më të vjetër moshë, por madje ai prej kohësh ishte ankuar për daljen në shërbim me të, por që askush nuk ia kishte vënë veshin. Policia ka bërë me dije se nga kontrolli i banesës, atij i janë gjetur edhe medikamente që përdoreshin për kurim, për shkak të probleme psikike që kishte shfaqur.

Ndërkohë që ende nuk dihet nëse ai është trajtuar ndonjëherë me psikologun që është i vendosur pranë çdo sektori policor. Po ashtu, bëhet me dije se i riu mbante në makinë edhe një numër të madh fishekësh, por Policia nuk bën me dije nëse ai kishte armë tjetër në makinë dhe se çfarë fishekësh ishin municionet që iu gjenden në makinë. Ajo që është mësuar më pas është fakti që ai kishte vendosur të sqarohej njëherë e mirë me kolegun që për fatin e keq vijuan edhe mbrëmjen e së hënës të planëzoheshin në të njëjtin turn shërbimi.

HETIMI

Sipas të dhënave hetimore, Ludjan Zaimi, efektivi 25- vjeçar që nuk duroi dot talljet e kolegut të tij Çaush Saliasi dhe shkrepi armën 6 herë mbi trupin e tij duke i shkaktuar vdekjen, rrezikon burgim të përjetshëm. Sipas informacioneve që dalin nga Prokuroria saktësohet se ndaj tij rëndon akuzat e vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit, neni 79/b dhe armëmbajtjes pa leje, pasi Policia bëri me dije se i janë gjetur 56 fishekë. Po ashtu, Policia ka thënë se në shtëpi 25-vjeçarit i janë gjetur antidepresantë “seroquel”, medikament që përdoret për të kuruar çrregullime dhe probleme të tjera të rënda mendore.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 23 majit brenda Komisariatit nr.3. në Tiranë, teksa po ndërroheshin turnet dhe në sallë ishin kolegët e tjerë. Zaimi duket se e kishte të qartë shënjestrën e tij ndaj i bëri thirrje efektivëve të pranishëm që të mos ndërhynin dhe në fakt ashtu ndodhi, askush nuk ndërhyri.

Një grup i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet paralelisht me Prokurorinë e Tiranës për të mësuar shkaqet e konfliktit që çoi në përgjakjen e Komisariatit dhe të vrasjes së një efektivi policie në ambientet e punës së tij. Edhe pse ende Policia e Shtetit nuk ka dhënë asnjë detaj mbi të vërtetën e konfliktit dhe as të gjendjes mendore të autorit të vrasjes, grupi hetimor po verifikon hollësitë e pozicionimit të dy efektivëve në të njëjtin turn kur problemet e tyre ishin të njohura jo pak brenda komisariatit, por që askush nuk ua ka vënë veshin.

Sipas burimeve zyrtare, mësohet se Zaimi ka rreth një vit e gjysmë në Policinë e Shtetit, është arrestuar dhe akuzohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, e ndërsa viktima Çaush Saliasi kishte mbi 20 vite karrierë me uniformat blu. Gjatë së hënës mbrëma, në Komisariatin nr.3 mbërriti edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, si edhe një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura