“Vrapo dhe Pastro”, risia sportive në aksionin e pastrimit të Tiranës

Sep 15, 2018 | 23:09
SHPËRNDAJE

Në Ditën Botërore të Pastrimit, Drejtoria e Përgjithshme Nr.1, Bashkia Tiranë solli një risi në aksionin e radhës për pastrimin e qytetit, duke praktikuar një disiplinë të re sportive të quajtur ‘plogging’.

Ky sport është një kombinim mes vrapit, ecjes sportive dhe pastrimit të mjedisit, që ka nisur të aplikohet në shumë vende të botës, por që në Shqipëri është ende i panjohur.

pastrimi-DPN1 (5)
‘Plogging’ konsiderohet një disiplinë mjaft interesante, që ka lindur si fillim në vendet nordike dhe më pas është përhapur me shpejtësi në të gjithë botën, kjo falë edhe rrjeteve sociale. Ideja qëndron në faktin që ndërsa ti bën vrapin e mëngjesit apo ecjen sportive të darkës, paralelisht mund të marrësh një qese me vete dhe ndërsa ecën, ulesh herë pas here të mbledhësh mbetjet që sheh rrugës; letra, plastikë apo ambalazhime të lehta, të cilat i hedh në koshin e parë që sheh rrugës.

 ‘’Në Shqipëri ‘’plogging’, është diçka e re ndaj dhe ne si DPN1 menduam ta praktikojmë në evente të tilla siç është Dita Botërore e Pastrimit apo Maratona që do të mbahet më 7 tetor në Tiranë për të afruar sa më shumë njerëz me këtë disiplinë. Është një sport që bën mirë për shëndetin e njeriut dhe të mjedisit gjithashtu,’’ tha drejtoresha e DPN1, Arlinda Binjaku. Në Ditën Botërore të Pastrimit e gjithë administrata e DPN1 që në orët e para të mëngjesit iu bashkua aksionit duke  treguar kështu një shembull për të gjithë qytetarët. Tashmë aksionet e pastrimit të Tiranës  me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve organizohen herë pas here, me qëllim rritjen e sensibilizimit për të mos ndotur dhe për ta mbajtur pastër qytetin ku jetojmë të gjithë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura