Votimi 4-1/ Sherri për Lagunën, Gjykata: Pse u lirua Armando Prenga

Apr 1, 2016 | 17:36
SHPËRNDAJE

Deputeti Armando Prenga nuk shfaq rrezikshmëri të theksuar shoqërore, nuk rrezikon t’i fshihet hetimit dhe as të zhdukë apo deformojë provat.

Armando Prenga në Gjykaten e Larte
Armando Prenga në Gjykaten e Larte

Këto janë disa nga argumentet thelbësore të përdorura nga Gjykata e Lartë në vendimin që liroi nga qelitë e burgut deputetin Armando Prenga në 23 nëntor 2015. Kolegji Penal ka zbardhur arsyetimin e vendimit përmes të cilit u zëvendësua masa e sigurisë ndaj deputetit të akuzuar për tri vepra penale nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

Në vendimin e arsyetuar, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, shumica 4-anëtarëshe e Kolegjit Penal vlerësonte se rrethanat penale ndaj deputetit kishin ndryshuar.

Duke iu referuar hetimeve, Kolegji Penal shprehej se nuk kishte rezultuar ndonjë e dhënë e drejtpërdrejtë që të vërtetonte praninë e deputetit Prenga në Komisariatin e Kurbinit gjatë përplasjes mes fisit të tij dhe fisit Cali.

“Nuk ka rezultuar ndonjë e dhënë rënduese në ngarkim të të hetuarit”, shprehej Gjykata, duke vlerësuar se masa “arrest shtëpie” ishte e përshtatshme për deputetin e dyshuar për “prodhim dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake”, “plagosjes së lehtë me dashje” dhe “kanosjes”.

Në kërkesën e paraqitur në Gjykatën e Lartë mbrojtësit e deputetit pretenduan se nuk ka asnjë dyshim të bazuar në prova që deputeti Prenga të ketë qenë i pranishëm në ngjarjen para Komisariatit të Policisë së Kurbinit. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e akuzës kërkuan lënien në qeli të deputetit. Sipas Prokurorisë, deputeti ka qëlluar me një armë pa leje kur është përballur me Gjok Calin në Fushë- Kuqe dhe po ashtu para Komisariatit.

ARSYETIMI I GJYKATES

Nga dinamika e veprimeve dhe e akteve të hetimeve paraprake rezulton se të dhënat në ngarkim të shtetasit nën hetim kanë ndryshuar, dhe që gjendja e rrezikut nuk është e pranishme në atë shkallë e rëndësi që të bëjë ende të zbatueshme masën e sigurimit “arrest në burg”, pasi në rastin në gjykim, nga të dhënat e akteve të hetimeve paraprake të deritanishme, në armën me leje rezulton prania e një grimce, dhe për gëzhojat e gjetura në Komisariat, rezultojnë të jenë qitur nga armë të tipit pistoletë “TT” dhe automatik kallashnikov.

Po ashtu, për ngjarjet e ndodhura në Komisariat, nuk ka rezultuar ndonjë e dhënë e drejtpërdrejtë që të vërtetojë praninë e të hetuarit në Komisariat. Nga të dhënat e personave që kanë dijeni rreth veprës penale, punonjësve të policisë që kanë qenë atë natë me shërbim në Komisariat, dhe pikërisht punonjësve të policisë: Gj.Kola, A.Vathi, B.Haderaj, V.Vata etj., nuk ka rezultuar ndonjë e dhënë rënduese në ngarkim të të hetuarit.

Nga ecuria e deritanishme rezulton se thika e gjetur më pas, nga rikëqyrja, plotëson parametrat e armës së ftohtë, që mund të jetë përdorur nga anëtari i familjes Cali dhe nga këqyrja e ambienteve të lokalit dhe e dokumenteve filmike të regjistruara nga kamera, nuk rezulton të identifikohet me armë personi i hetuar, Armando Prenga.

NDRYSHIMI I MASES

Kolegji vëren se në rastin konkret ndodhemi përpara një konflikti mes dy familjeve dhe ku kemi akuza e pretendime të ndërsjella e kundërthënëse me njëratjetrën, dhe deklarimet e personave të përfshirë duhet të shqyrtohen me kujdes.

Në këtë kuadër të krijuar, Kolegji çmon se nevojat për sigurim personal të vlerësuara me masën e arrestit në burg, nuk duken më të jenë në përshtatje me rëndësinë e pasojës penale.

Ky Kolegj çmon se masa e sigurimit “arrest në shtëpi” nuk pengon hetimin e plotë, objektiv e të shpejtë të çështjes, nisur edhe nga fakti që një pjesë e mirë e hetimeve paraprake është kryer. Për sa u përket pretendimeve të ngritura nga ana e mbrojtjes lidhur me moscaktimin e masës së sigurimit dhe mungesës tërësore të dyshimeve, Kolegji Penal çmon se ato nuk janë të mbështetura në akte.

Në bazë të akteve të fashikullit, caktimi i çdo mase tjetër sigurimi veç asaj të arrestit në shtëpi për të hetuarin, do të ishte e papërshtatshme për nevojat e sigurisë, pasi në kundërshtim me sa pretendon mbrojtja, çmohet se akoma ekzistojnë nevoja të procedimit penal, dhe nuk jemi përpara rastit kur mungon tërësisht prania e dyshimeve të arsyeshme.

MUNGON RREZIKSHMERIA

Por, nga ana tjetër, Kolegji krijon bindjen se me kalimin e një periudhe kohore relativisht të konsiderueshme të fazës së hetimeve paraprake dhe mosevidentimi i një kuadri rëndues i të dhënave që janë vlerësuar kundër të hetuarit me vendimin për caktimin e masës së sigurimit personal, disa nevoja të procedimit penal, janë lehtësuar.

Kjo për faktin sepse nuk ka rezultuar një rrezikshmëri e theksuar shoqërore e personit nën hetim, edhe për shkak se të dhënat që dyshojnë për veprën e plagosjes shkojnë drejt plagosjes së lehtë dhe jo asaj të rëndë, sipas aktit të njoftimit të akuzës.

Gjykata vlerëson rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, për të cilat dyshohet i hetuari, si dhe përshtatshmërinë e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” me nevojat e sigurisë, ku janë mbajtur parasysh rrethana si: a) Gjendja sociale; b) Profesioni; c) Arsimimi; d) Gjendja familjare; e) Gjendja gjyqësore, domethënë faktin që ai është familjar, cilësia e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, që disponon një armë me leje dhe, nisur edhe nga interesi dhe figura e tij, krijon bindjen se ai nuk shfaq ndonjë shkallë rrezikshmërie të theksuar, por edhe që ai në asnjë rast nuk do t’i fshihet hetimit apo të ketë tendencën dhe rrezikun e ikjes dhe shmangies së hetimit, apo aq më tepër të zhdukjes ose deformimit të provave.

MENDIMI I PAKICES

Kryesuesja e Kolegjit Penal, Mirela Fana, ka qenë kundër ndryshimit të masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj deputetit Prenga. Në arsyetimin e saj gjyqtarja Fana shprehet se jo çdo ndryshim i rrethanave faktike të evidentuara nga veprimet hetimore të kryera, passjell detyrimisht një ndryshim të asaj natyre që të mbështesë nevojën për zbutjen e masës së sigurimit personal.

Në vlerësimin e Fanës, ekziston rreziku që i dyshuari Prenga të kryejë krime të rënda, ose të njëjta me ato për të cilat po hetohej. “Jam e mendimit se komunikimi i akuzës ndaj këtij shtetasi për kryerjen e tre veprave penale të sipërcituara vazhdon të provojë sërish përshtatshmërinë e masës së sigurimit ‘Arrest në burg’ me shkallën e nevojave të sigurimit, të cilat janë ende të pranishme për kërkuesin, pasi vazhdojnë të ekzistojnë kushtet e parashikuara në pikat ‘a’ dhe ‘c’ të nenit 228/ 3 të Kodit të Procedurës Penale, e konkretisht ekzistenca e shkaqeve të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, si dhe ekzistenca e rrezikut që, për shkak të rrethanave të faktit dhe të personalitetit të shtetasit nën hetim, ky i fundit mund të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet”, thuhej në mendimin e pakicës.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura