Votat e gabuara, sot prova e Kolegjit

Jun 3, 2011 | 10:50
SHPËRNDAJE

Kolegji Zgjedhor do të vendosë sot për kërkesën e Partisë Socialiste lidhur me votat e hedhura në kutinë e gabuar.Trupi gjyqësor do të përballet me argumentet e dy forcave të mëdha për vlefshmërinë e aktit të KQZ-së për hapjen e 117 kutive dhe numërimin e votave në kutinë e gabuar. Partia Demokratike do ta bazojë qëndrimin e saj në nenin 17 dhe 45 të Kushtetutës. Në nenin 17 të ligjit themeltar të shtetit thuhet se “Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë”. Ndërsa në nenin 45 theksohet se “Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. Një tjetër dispozitë ligjore që do të përmendin avokatët e PD-së në Kolegj gjatë seancës së sotme, është edhe neni 117 i Kodit që flet për votat e pavlefshme. “Vota të vlefshme janë vetëm fletët e votimit, në të cilat është votuar qartësisht vetëm për njërin nga subjektet zgjedhore apo partinë politike pjesëtare të koalicionit në fletën përkatëse të votimit”, thuhet në pikën 2 të këtij neni. Ndërsa në pikën 3, ku parashikohen të gjitha rastet kur vota është e pavlefshme, në asnjërin prej tyre nuk përmendet vota e hedhur në kutinë e gabuar. “Vota të pavlefshme janë fletët e votimit kur: a) fleta e votimit nuk ka të njëjtën madhësi, ngjyrë ose formë me fletën e votimit të miratuar nga KQZ-ja; b) fletës së votimit i mungojnë vulat e parashikuara në nenin 103 të këtij Kodi; c) në fletën e votimit janë bërë shënime apo shenja që bëjnë të pamundur vlerësimin e votës; ç) në fletën e votimit janë bërë shënime në favor ose në disfavor të subjekteve të caktuara zgjedhore; d) është votuar për më shumë se një nga subjektet zgjedhore në fletën e votimit; dh) nuk është votuar për asnjë nga subjektet zgjedhore në fletën e votimit; e) nuk është e qartë se për kë është votuar; ose ë) zgjedhësi ka votuar për një person apo subjekt që nuk është në fletën e votimit”.
Vendimi KQZ
Ndërsa KQZ-ja rrëzoi përfundimisht kërkesat e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për rezultatin në Tiranë. Në një seancë që zgjati jo më shumë se 40 minuta, për asnjërën nga kërkesat, përfshi edhe një kërkesë të Partisë së Pensionistëve, nuk u arrit kuorumi i nevojshëm prej 5 votash për të ndryshuar rezultatin për Bashkinë e Tiranës. Sipas nenit 24, germat “a” dhe “b” të pikës 1 të Kodit Zgjedhor, për të shpallur mandatet dhe për të ndryshuar rezultatin duhen minimumi pesë vota. Në përfundim të shqyrtimit të të gjitha animimeve në KQZ, Basha konfirmohet me 81 vota më shumë se rivali i tij, Edi Rama.
Debati në seancë
Socialistët parashtruan dy kërkesat e tyre për të shfuqizuar dy vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili, pasi numëroi votat e hedhura në kutinë e gabuar, korrigjoi edhe rezultatin duke e ndryshuar atë nga 10 vota në favor të Edi Ramës, në 81 vota në favor të Lulzim Bashës. “Kërkojmë pavlefshmërinë e vendimeve të KQZ-së për të urdhëruar ndryshimin e tabelave të rezultateve të qendrave të votimit të njëmbëdhjetë KZAZ-ve të Tiranës, ndryshimin e vendimit 711 të KQZ-së, duke miratuar rezultatin e tabelave përmbledhëse të zonës zgjedhore Bashkia Tiranë në bazë të tabelave të nxjerra nga grupet e numërimit deri më 16.05.2011, duke u shpallur fitues Edi Rama i Aleancës për të Ardhmen”, u shpreh avokati i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Eno Bushi. Përfaqësuesit e PD-së i kundërshtuan dy kërkesat e socialistëve, duke i kërkuar KQZ-së t’i rrëzojë ato si të pabazuara në prova. Me katër vota kundër dhe dy pro, kërkesat e Partisë Socialiste u rrëzuan. Në kërkesën e fundit ishin demokratët që kërkuan nga gjashtë anëtarët e pranishëm në mbledhjen e KQZ-së që të rivlerësojë edhe njëherë votat që vetë KQZ-ja numëroi në 117 kutitë. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tha se kërkesa e PD-së duhet të pranohet pjesërisht, ku të rrëzohet pretendimi për të rivlerësuar votat e 117 kutive, por të hidhet në tabelën përfundimtare rezultati i dalë nga 26 kutitë që u hapën. Kërkesa e PD-së u votua pjesërisht me katër vota pro dhe 2 kundër, por për shkak se asaj i duheshin pesë për ta përfshirë rezultatin në tabelën përfundimtare, ajo u konsiderua e rrëzuar si pasojë e mosarritjes së kuorumit të nevojshëm.

Vota më shumë se votues, Kolegji shpall pavlefshmëri

Kolegji Zgjedhor ka pranuar dje një kërkesë të Partisë Socialiste për t’i shpallur të pavlefshme zgjedhjet në komunë Armen të qarkut të Vlorës. Në këtë komunë kishte fituar kandidati i Aleancës për Qytetarin, me tre vota më shumë se kandidati i Aleancës për të Ardhmen. Gjatë seancës PS argumentoi se në dy qendra votimi nuk koordinojnë numrat dhe dilte që kishte më shumë vota se votues. Me këtë provë, Kolegji vendosi pavlefshmërinë në këtë komunë.

Rrëzohet kërkesa e PS-së për dy komuna

Gjatë shqyrtimit të disa kërkesave ankimore, Kolegji Zgjedhor rrëzoi dy kërkesa të Partisë Socialiste për komunën Qendër Vlorë dhe Moglicë të Korçës. Në komunën e qarkut të Vlorës, PD-ja ka fituar me rreth 160 vota, ndërsa në komunën Moglicë me 9 vota më shumë. Kërkesat e Partisë Socialiste u rrëzuan si të pabazuara në prova dhe fakte. Gjatë këtyre ditëve Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar një sërë kërkesash, përfshi edhe ato të kandidatëve të pavarur.

Këshillat, PD fiton Përmetin, humb Lushnjën

Gjatë mbledhjes së sotme, KQZ-ja do të miratojë ndarjen e mandateve për këshillat bashkiakë dhe komunalë në Përmet dhe Lushnjë. Nga tetë njësi vendore që ka rrethi i Përmetit, rezulton se 7 i ka fituar PD-ja, përfshi edhe Bashkinë e Përmetit, ndërsa një, Bashkia Këlcyrë, e ka fituar Partia Socialiste. Ndërsa në Lushnjë, nga 16 njësi vendore, 9 i ka fituar koalicioni i majtë dhe 7 koalicioni i djathtë. Në Bashkinë e Divjakës ka fituar koalicioni i majtë 9 mandate, ndërsa i djathti 8.

Partitë, 5 ditë kohë për në Kolegj
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, duke filluar nga dita e djeshme, kanë pesë ditë kohë për t’iu drejtuar Kolegjit Zgjedhor lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili i rrëzoi të dyja kërkesat. Në pikën 2 të nenit 152 të Kodit Zgjedhor thuhet se “ankimi për të gjitha vendimet që KQZ-ja merr në periudhën, e cila fillon 48 orë pas dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme ose të përgjithshme deri në përfundim të shqyrtimit administrativ të ankimeve zgjedhore, ose të kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje, bëhet brenda 5 ditëve nga shpallja e tyre. Për vendimet që KQZ-ja merr jashtë kësaj periudhe, afati i ankimit në Kolegjin Zgjedhor është 30 ditë”.

Debatet në mbledhjen e KQZ

Eno Bushi (PS): (Kërkesa e PS për tabelën e Njësisë Bashkiake Nr. 5). Kërkojmë pavlefshmërinë në vendimet e marra nga KQZ për ndryshimin e tabelave të rezultateve të qendrave të votimit të KZAZ 49 dhe ndryshimin e Vendimit 709 të KQZ-së duke nxjerrë tabelën e rezultatit sipas tabelave të hartuara nga grupet e numërimit të votave të kësaj KZAZ-je për çdo qendër votimi.
Ivi Kaso (PD): Ripërsëritet konfuzioni dhe kontradikta që përmban kjo kërkesë ankimore. Është një kërkesë, e cila ngeli e paargumentuar dhe nuk u soll asnjë provë që të bindte KQZ-në dhe palët e tjera të interesuara në këtë procedim administrativ pse këto vendime janë marrë në kundërshtim me ligjin. Nuk u provua pse këto vendime, që sollën më pas vendimet 710 dhe 711, janë të pavlefshme. Kërkesa ngeli e paargumentuar dhe jemi për rrëzimin e kërkesës.
Eno Bushi (PS): (Kërkesa e PS-së për tabelën përfundimtare të Tiranës). Kërkojmë pavlefshmërinë e vendimeve të KQZ-së për të urdhëruar ndryshimin e tabelave të rezultateve të qendrave të votimit të njëmbëdhjetë KZAZ-ve të Tiranës, ndryshimin e Vendimit 711 të KQZ-së, duke miratuar rezultatin e tabelave përmbledhëse të zonës zgjedhore Bashkia Tiranë, në bazë të tabelave të nxjerra nga grupet e numërimit deri më 16.05.2011, duke u shpallur fitues Edi Rama i Aleancës për të Ardhmen.
Ivi Kaso (PD): Është një kërkesë tërësisht e argumentuar dhe e paprovuar. Përfundimisht jemi për rrëzimin e saj.
Oerd Bylykbashi (PD): (Kërkesa e PD për të rinumëruar votat e kontestuara në 117 kutitë që hapi KQZ). Në përputhje me Kodin Zgjedhor, PD godet Vendimin 711 të datës 23 maj 2011. Interesi i ligjshëm për këtë është të sigurohet njëtrajtshmëria në vlerësimin e të gjitha votave të kontestuara nga subjektet zgjedhore apo komisionerët përkatës gjatë numërimit të votave të hedhura për kandidatët në Tiranë, si në 11 KZAZ-të, ashtu edhe gjatë numërimit në KQZ, kur u numëruan votat e hedhura në kutinë e gabuar.
Eno Bushi (PS): Kemi të bëjmë me një kërkesë pa objekt dhe pa shkak ligjor, që rezultoi e pabazuar në çfarëdolloj rrethane nga ato të pretenduara. Ishte një kërkesë alogjike, e pabazuar në ligj dhe për efekte publicitare. Duke mos pasur prova, shkak ligjor dhe asnjë argument, çmojmë se kjo kërkesë ankimore duhet të rrëzohet.
Arben Ristani: Propozoj që kërkesa 161 e PS të rrëzohet sepse KQZ ka zhvilluar një numërim fillestar për fletët e numërimit të panumëruara në KZAZ 49 dhe, si pasojë e këtij numërimi, dolën fletë votimi të panumëruara dhe që ndryshonin tabelën përfundimtare të KZAZ-së 49. Për këtë ka një vendim të KQZ-së, që tabelën përfundimtare të kësaj KZAZ-je e ka ndryshuar. Nëse pranojmë kërkesën e PS-së, ne kundërshtojmë vetveten.
Hidhen në votë kërkesat e PS-së dhe rrëzohet 4-2 sepse nuk merr kuorumin e nevojshëm të votave. Duhen 5 vota.
Arben Ristani: PD kërkon rivlerësimin e votave të kontestuara në 117 kuti që KQZ i vlerësoi në mënyrë fillestare dhe të 26 kutive që ne i rivlerësuam gjatë procesit ankimor. Mendoj që kërkesa e PD duhet pranuar pjesërisht. Përsa u përket 117 kutive të para, KQZ është shprehur një herë, i hapi kutitë, numëroi votat dhe i vlerësoi sipas vullnetit që zgjedhësit kishin shprehur. Duhet rrëzuar kërkesa për 117 kutitë. Ne s’mund t’i vlerësojmë edhe njëherë këto vota. Për 26 kutitë duhet ndryshuar tabela përmbledhëse. Propozoj ta pranojmë pjesërisht dhe të reflektojmë sipas 26 kutive që ne kemi vlerësuar.
Hidhet në votë propozimi për ta pranuar pjesërisht kërkesën e PD-së. Rrëzohet me 2 vota kundër dhe 4 vota pro. Duheshin pesë vota për ta pranuar.

 

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura