Vota e grave, në zonat rurale votojnë njëlloj si burrat e familjes

Dec 13, 2017 | 20:12
SHPËRNDAJE

Aristir Lumezi/ Parlamenti i Shqipërisë ka sot 40 gra deputete ose 28.57% të tij, ndërsa në këshillat bashkiake përfaqësimi i tyre ka arritur afër 50 përqindshit.

Edhe pse përfaqësimi i tyre ka ardhur në rritje, që prej vitit 2009 kur u aplikua për herë të parë kuota gjinore prej 30% në listat e kandidatëve për deputetë, mbetet ende problematik votimi i grave, veçanërisht në zonat rurale.

25394038_10155990408336692_1411473610_n

Vëzhguesit vendorë të zgjedhjeve kanë raportuar për votime familjare në zonat rurale, ku vota e grave nuk ndryshon nga vota e kryefamiljarit apo më të vjetrit të familjes.

Sipas vëzhguesve, në shumicën e rasteve, gratë nuk janë të lira të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar, apo për partinë që mendojnë se do të ndryshojë të ardhmen e tyre.

Më pak të organizuara në jetën sociale dhe në komunitet përmes shoqatave, gratë e zonave rurale janë më shumë të angazhuara në punët e përditshme të bujqësisë dhe të familjes. Në këtë mënyrë ato janë më pak të angazhuara edhe në zhvillimet politike, veçanërisht ato zgjedhore.

Ndryshe paraqitet situata në zonat urbane, ku gratë janë më të pavarura dhe më pak të ndikuar se për këtë duhet të votojnë. Në qytete nuk vërehen votime familjare, çka do të thotë se gratë dhe vajzat e ruajnë fshehtësinë e votës së tyre. Më të hapura drejt zhvillimeve sociale dhe politike, më pranë institucioneve shtetërore, fushatave sensibilizuese, trajnimeve, mediave, por dhe angazhimeve politike e sociale, grave dhe vajzave të zonave urbane nuk u imponohet vota.

Megjithatë sipas vëzhguesve vendorë të zgjedhjeve, ende është i pashmangshëm pozicionimi familjar ndaj një partie apo kandiddati të caktuar gjatë fushatave zgjedhore.

Raporti përfundimtar i vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve, OSBE-ODIHR-it vëren se gratë kanë qenë shumë pak të angazhuara dhe në administratën zgjedhore, në komisionet e qendrave të votimit.

“Gratë ishin të nënpërfaqësuara në administratën zgjedhore, veçanërisht në pozicionet vendimmarrëse. Dy nga shtatë anëtarët e KQZ-së dhe rreth një e treta e anëtarëve të KZAZ-ve ishin gra. Megjithatë, vetëm 20 për qind e grave në KZAZ kishin pozicione drejtuese, dhe asnjë në KQZ”, thuhet në raportin përfundimtar të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR-it.

Ata rekomandojnë përfshirje më të madhe të grave në administratën zgjedhore.

“Duhen bërë përpjekje për nxitjen e përfaqësimit të baraspeshuar gjinor në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore, përfshirë pozicionet vendimmarëse”, thuhet në rekomandimin e OSBE-ODIHR-it.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura