Vonesat në arrestimin e Frrokut, Holanda nis hetim administrativ

May 1, 2016 | 16:35
SHPËRNDAJE

Autoritetet policore në Holandë kanë nisur një hetim administrativ për të zbuluar motivin e vonesës së identifikimit të Arben Frrokut, raporton “Tv Klan”.

Nga ky hetim pritet të përcaktohet se përse u vonua zbulimi i identitetit të vërtetë të të dënuarit me burg përjetë, i cili mund të kishte fituar sërish lirinë.

Me 17 Maj Frroku do të lirohej nga qendra e pritjes së emigrantëve me kushtin që të largohej nga Holanda. Në të kundërt do të deportohej me forcë. Ai ishte ndaluar me 6 Mars gjatë një kontrolli rutinë të policisë, në Shipol, në periferi të Amsterdamit.

Frroku Pasaporta

Burime të policisë bëjnë me dije se autoritetet shqiptare janë njoftuar nga pala holandeze për hetimin e nisur. Nuk sqarohet se sa kohë do të zgjasë ky verifikim apo nëse do të kërkohet informacion nga pala shqiptare.

Nga veprimet e para hetimore është konstatuar se ka patur një problem me njohjen e shenjava të gishtave të Frrokut nga sistemi ku regjistrohen personat e kërkuar.

Pasi është ndaluar fillimisht nga policia në Amsterdam, Frrokut i janë marrë shenjat e gishtave, por shenjat qe gjendeshin në sistem nuk janë hapur.

Emri i Arben Frrokut nuk figuronte as në listën e të kërkuarve nga Interpoli.

Megjithatë autoritet holandeze nuk e kanë liruar, për shkak të pasaportës së falsifikuar.

Deklaratat e ish – Kryeministrit Sali Berisha se Frroku është ndaluar në Amsterdam kanë vënë në lëvizje policinë shqiptare. Vetëm pas kësaj shenjat e gishtave të Arben Frrokut janë dërguar nga Shqipëria në Holandë, ku janë krahasur dhe është vërtetuar se bëhet fjalë për të dënuarin me burg përjetë. /Tv Klan/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura